Migen Memeli: “Te Partizani, për të fituar titullin kampion”

1275
Sigal

Sulmuesi i “demave të kuq” e ka fituar dy herë “Këpucën e Artë”:  “U premtoj gola tifozëve”

Migen Memelli është një nga blerjet e bujshme të Partizanit gjatë merkatos dimërore. Sulmuesi pogradecar, i kërkuar edhe nga Flamurtari e Tirana, firmosi një kontratë gjashtë mujore me klubin e kuq, me të drejtë rinovimi edhe për një vit. Memelli luajti në fazën e parë Al-Faisalin, por u nda në mirëkuptim em me klubin nga Arabia Saudite, me të cilin ai ka luajtur edhe në sezonin 2010-2011. “Shpresoj që skuadra të rritet nga ndeshja në ndeshje dhe te arrihen objektivat e klubit, pastaj në aspektin personal shpresoj të bëj më të mirën dhe të shënoj sa më shumë”, – tha Memelli për gazetën “Telegraf”. Migeni është një forcë më shumë në sulmin e Partizanit, që për hir të së vërtetës vuajti jo pak në finalizim. Ai është dy herë fitues i “Këpucës së Artë” të Shqipërisë, si golashënuesi më i mirë i sezoneve 2008-2009 me Tiranën (me të cilin fitoi dhe titullin kampion) dhe 2012-2013 me Flamurtarin. Sulmuesi 34-vjeçar ka një përvojë të madhe ndërkombëtares, pasi përveçse se ka luajtur me Al-Faisaly dhe Al-Tauon në Arabinë Saudite, është aktivizuar edhe në Norvegji me Bran Bergen dhe në Suedi, me Gaisin. Memelli është autori i mbi 130 golave ka veshur edhe fanellën e Skënderbeut, Teutës, Elbasanit, Laçit dhe Flamurtarit është autor i golit më të shpejtë në kampionatet shqiptare, pas vetëm 8 sekondash lojë, në fitoren 2-1 të Tiranës në Vlorë (2009).

 – Migen, tashmë je një lojtar i Partizanit. Një sfidë e re në karrierën tënde, apo jo?

– Sigurisht. Sfidat janë bërë për t’u përballur me realitetin sportiv në Shqipëri. Gjykoj se, për mua të qenit një lojtar i Partizanit është një eksperience e re, por dhe një sfidë e bukur.

– Memelli keni luajtur në Shqipëri, me disa nga skuadrat më të mira, përfshirë Tiranën, Skënderbeun, Flamurtarin, Teutën. Çfarë do të thuash të luash për një nga ekipet më popullore në vendin tonë?

– E ndjej veten me të vërtetë të vlerësuar që do të jem pjesë e atij ekipi. Në historinë e këtij klubi kanë dalë shumë figura të shquara, që gëzojnë respekt të madh në ambientin e futbollit shqiptar dhe më gjerë. Dëshiroj që të lë gjurmë dhe unë, dhe kjo është edhe një arsye më shumë që jam këtu.

– E ke shijuar titullin kampion me Tiranën, në sezonin 2008-2009, njëherësh edhe i fundit për bardheblutë. Partizani e ka titullin objektivin kryesor. A besoni se i ka mundësitë, kur kanë mbetur edhe 17 ndeshje në lojë?

– Mundësitë janë përderisa na e lejon matematika, por unë them që duhet të jemi me këmbë në tokë. Partizani është një ekip që sapo është formuar dhe duhet kohë për t’u përshtatur midis lojatërëve, një pjesë e të cilëve kanë ardhur edhe gjatë merkatos dimërore. Unë mendoj se, edhe pjesëmarrja në Ligën e Europës nuk do të ishte pak për ne, si një ekip në formim e sipër.

– E ke fituar dy herë “Këpucën e Artë”, me Tiranën dhe Flamurtarin. Partizani dhe tifozët presin një lumë golash nga ty. A je gati për t’ua plotësuar këtë kënaqësi?

– Shpresoj që skuadra të rritet nga ndeshja në ndeshje dhe te arrihen objektivat e klubit, pastaj në aspektin personal shpresoj të bëj më të mirën dhe të shënoj sa më shume.

Ke një karrierë të gjatë ndërkombëtare, Norvegji, Suedi dhe Arabi Saudite. Tashmë një lojtar me përvojë të madhe, sa do të vlejë kjo eksperiencë?

– Shpresoj që t’i vlejë skuadrës dhe aftësitë e mija dhe eksperiencën ta vendos në funksion të saj.

– Skuadrat janë të ngjeshura në tabelë,  a prisni një luftë të fortë sportive në fazën e dytë?

– Ka dhe 17 ndeshje, shpresoj të marrim pikët maksimale të mundshme. Sigurisht, s’do jetë e lehtë, por skuadra është e përgatitur mirë psikologjikisht, për t’u përballuar dhe duruar presionin e çdo skuadre. Qëllimi ynë është të fitojmë çdo ndeshje.

10 skuadra

Gjatë karrierës së tij 13-vjeçare (nga viti 2000), Migen Memelli ka veshur fanellën e 10 skuadrave: gjashtë në Shqipëri, dy në Arabinë Saudite dhe nga një në Suedi dhe Norvegji.

 2 “Këpuca”

Migen Memelli është dy herë fitues i “Këpucës së Artë” të Shqipërisë, si golashënuesi më i mirë i sezoneve 2008-2009 me Tiranën dhe 2012-2013 me Flamurtarin.

 8 sekonda

Migeni shënoi në sezonin 2008-2009 ndaj Flamurtarit edhe golin me të shpejtë të kampionatit kur realizoi pas vetëm 8 sekondash lojë në takimin e zhvilluar në Vlorë.

 Rekordi

Ai mban një rekord origjinal në edicionin 2008-2009 të Kupës. Shënoi pesë gola në fitoren 5-0 të Tiranës kundër Lushnjës në 1/8 e finaleve: 36’, 63’, 67’, 82’ (11-m), 88’.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi

Bylis-Flamurtari

Partizani-Kukësi

Kastrioti-Tirana

Teuta-Lushnja

Skënderbeu-Vllaznia

RENDITJA

1     Skënderbeu  16   +12 33

2     Partizani       16   +3   26

3     Kukësi  16   +1   25

4     Laçi              16   +3   25

5     Flamurtari    16   +4   24

6     Teuta            16   +0   24

7     Besa             16   -3    21

8     Vllaznia 16   +1   21

9     Bylis            16   +2   21

10   Lushnja 16   -6    18

11   Kastrioti       16   -6    16

12   Tirana   16   -11  12

Tetë blerje, më aktivi në merkato

 Partizani është një prej ekipeve më aktive në merkaton dimërore. Tetë lojtarë kanë nënshkruar me klubin e kuq: Ersen Sali, Liridon Ahmeti, Almir Pliska, Fatmir Hysenbelliu, Migen Memelli dhe Dragan Antanasijeviç, ky i fundit do ta firmosë zyrtarisht kontratën sot. Marrëveshje parashikohet të lidhen edhe me dy kroatët Antun Dunkoviç e Mario Sacer. Me këta lojtarë, Partizani thuajse është kompletuar plotësisht. Drejtuesit kanë krijuar një grup cilësor dhe kanë synime të qarta në pjesën e dytë të sezonit, ku do të kërkojnë të fitojnë titullin kampion. Mesfusha dhe sulmi ishin dy repartet ku të kuqtë hasën vështirësi në pjesën e parë të sezonit dhe afrimet u bënë pikërisht në këto reparte. Ndërkaq, ekziston mundësia që deri në fund të ketë blerje të tjera dhe një fakt të tillë e ka bërë të ditur përpara dy ditësh edhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Eduard Prodani.

Ersen Sali

Liridon Ahmeti

Almir Pliska

Fatmir Hysenbelliu

Migen Memelli

Dragan Antanasijeviç,

Antun Dunkoviç

Mario Sacer

Lamtumirë Antalia, të kuqtë sot në Tiranë

 Partizani zhvilloi dje dy seancat e fundit stërvitore në fushën e “Acardia Hotel” në Belek të Turqisë, ku edhe është akomoduar që mbrëmjen e datës 9 janar. Në stërvitjen e djeshme trajneri Lika ka punuar me lojtarët e tij më shumë në aspektin tekniko-taktik pasi edhe starti i pjesës së dytë të sezonit është shumë afër.

Gjatë këtyre dy javëve ne skuadër janë provuar disa lojtarë të ardhur nga vende të ndryshme dhe stafi teknik ka marrë vendime për të ardhmen e tyre. Kështu për kroatët Antun Dunkovic dhe Mario Sacer shpresohet se do të përmbushin nevojat e ekipit për pjesën e dytë të sezonit. Gjithashtu më herët me ekipin ka arritur marrëveshjen edhe mesfushori serb Dragan Antanasijevic dhe mesfushorin Fatmir Hysenbelliu. Goditja e merkatos së janarit në klubin e kuq ka qenë sulmuesi Migen Memelli, i cili është rikthyer në kampionatin shqiptar, pas eksperiencës në Arabinë Saudite. Ndërkohë që nuk kanë bindur stafin teknik dyshja e sulmit, Martin Saba dhe Amick Cian të cilët janë larguar nga skuadra gjatë ditës së djeshme. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar edhe pesë ndeshje miqësore. Partizani luajti me Darmshtadin (humbi 2-1), Neftçin (humbi 2-0), Karlsruhen (2-2) dhe Holsten Keilin (4-0). Në përfundim të pesë ndeshjeve sën Antalia të Turqisë, Partizani regjistroi këtë bilanci: 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje. Tre prej kundërshtarëve të Partizanit kanë qenë skuadra gjermane, një azerbajxhanase dhe një kineze. Ekipi do të niset mëngjesin e sotëm nga aeroporti i Antalias dhe rreth orës 08:00 dhe parashikohet të jetë në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 13:00.

Ndeshjet miqësore të Partizanit në Turqi

 11 janar

Partizani-Darmstadt (Gjermani) 1-2

 15 janar

Partizani-Neftçi (Azerbajxhan) 0-2

 17 janar

Partizani-Karlsruhe (Gjermani) 2-2

 18 janar

Partizani-Holsten Kiel (Gjermani) 0-4

 22 janar

Partizani-Shandong Luneng (Kinë) 2-0