Met Metani: “Gardiani” me kasketë, i portës bardheblu

540
Nga Bedri ALIMEHMETI
Dossier / Rruga e një futbollisti golashënues, i cili me sukses përfundoi në roje të katërkëndorit 
Kur filloi të ngjisë shkallët e mjeshtërisë së futbollit Met (Ahmet) Metani, sigurisht nuk e pati menduar, madje edhe as i kishte shkuar ndër mend, që do të vinte një ditë, dhe sporti i magjishëm i topkëmbës, do të bëhej pjesë e pandarë e familjes së tij. Dhe faktikisht tashmë kur ai nuk është më mes nesh, futbolli vijon të mbetet ende i tillë për familjen e tij të bukur e të nderuar, pinjollë të së cilës edhe sot vijojnë të kontribuojnë nëpër fushat e blerta. Por, veçmas këtij fakti, interesante shumë është edhe udha sportive e Met Metanit, këtij njeriu pasionant pas sporteve, i cili njihte mirë volejbollin e basketbollin, madje në këtë aspekt atë e ndihmonte shumë shtatlartësia. Ndërkohë zemra e tij rrihte vetëm për futbollin dhe fillimet e para në këtë sport i ka pasur si sulmues me Tiranën më 1947. Vijon më tej në vitin 1948 tek Erzeni i Shijakut, që në ato vite rivalizonte me sukses në kategorinë e parë (sot superiore). Dhe pavarësisht se në rolin e sulmuesit të Erzenit, në radhët e të cilit luante edhe Tefik Jashari futbollist legjendë i futbollit shijakas emrin e të cilit mban sot stadiumi qytetit, shquhet shumë si golashënues, madje vlerësohet ndër “bomberët” më të mirë të kampionatit, specialistët e vendosën përfundimisht në rolin e “gardianit” të portës. Natyrisht fillimi qe paksa i vështirë. Por, aq u desh Meti u dashurua shumë pas këtij roli, të cilin nuk e ndërroi deri në fund të karrierës.

Kështu, në rolin e “gardianit” të portës Met Metani u rikthye sërish tek skuadra e qytetit të tij Tirana, duke luajtur për ngjyrat e saj më 1949 dhe 1950. Pas kësaj kalon tek Dinamo e sapokrijuar, e cila që në pjesëmarrjen e parë në kampionatin e topkëmbës shqiptare më 1950 shpallet kampione. Me Dinamon fiton edhe Kupën e Shqipërisë dhe në vitin 1951 rikthehet përfundimisht tek skuadra bardheblu, katërkëndorin e së cilës e mbron deri në vitin 1965, kur mbyll përfundimisht karrierën sportive. Për kohën që u aktivizua dhe për kontingjentin e futbollistëve që kishte skuadra bashkë me shokët e tij Osman Caslli, Enver Shehu, Bedri Stërmasi, Enver Rada, Besim Borici, Sadik Struga, Xhaferr Merja, Aristidh Parapani, Galip Caushi, Hysni Skëndëri, Aristidh Papadhopulli, Remzi Bulku, Osman Reci etj., bëri të pamundurën për ta mbajtur skuadrën në elitën e futbollit dhe në këtë drejtim ia doli mbanë. Themi kështu ngaqë në ato vite skuadrës bardheblu ia “rrëmbenin” njëri pas tjetrit sapo shfaqeshin në fushën e blertë talentë të shkëlqyer si Skënder Halili, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Osman Mema, Luigj Bytyci, Pavllo (Ben) Bukoviku, Tomor Gjoka, Ali Mema etj., të cilët më pas bën emër në futbollin tonë.

Mbrojtës i portës edhe në takime ndërkombëtare
Portën e Tiranës, Met Metani e ka mbrojtur me sukses edhe në mjaft takime miqësore ndërkombëtare, që në ato vite ishin të shpeshtë. Kështu ai u dallua në turneun miqësor disa javor, që skuadra bardheblu bëri në vitin 1958 në qytete të ndryshme të Bashkimit Sovjetik (sot Rusia) duke filluar në Odesa, vijon në Kishinjev dhe përfundon në Moskë. Pas kësaj Meti u dallua edhe në ndeshjet për Kupën Ballkanike, ku Tirana garoi me sukses.

Në ato vite, falë performancës dinjitoze, Met Metani “gardiani” që në mes të katërkëndorit të portës zuri vend absolutisht gjithnjë me kasketë, pa thënë që asnjëherë dhe në asnjë ndeshje të Tiranës nuk mbahet mend pa të në kokë, qe vlerësuar nga specialistët ndër portierët më të mirë të kampionatit shqiptar. Në detyrën delikate të “gardianit” ai ishte tejet i qartë e zotërues i situatave të vështira. Mbi të gjitha shquhej për lojën pozicionale, e cila padyshim ishte një nga dhuntitë e tij më të vyera. Ndërkohë duhet theksuar fakti, që në ato vite pikërisht për këto cilësi të veçanta ka rivalizuar shumë me të mirënjohurin Qemal Vogli, si kur ishin bashkë tek Dinamo, ashtu edhe si “kundërshtarë”, pa harruar edhe në rastin e “gardianit” të kombëtares kuqezi. Pas ndërprerjes së karrierës, Meti nuk iu nda skuadrës bardheblu. Kujtojmë, që në ato vite ekipet tona nuk kishin si sot trajnerë enkas për portierët. Pikërisht për këtë gjë Met Metani, vullnetarisht shkonte shpesh në fushën e qytetit të nxënësve ku stërvitej Tirana dhe merrej me përgatitjen e portierëve Bujar Tafaj, Shpëtim Habibi e Gut Tafaj, që vijuan të mbrojnë më pas portën bardheblu. Ndërkohë nuk reshti së frymëzuari fillimisht djemtë e tij, më pas nipërit për t’iu përkushtuar sportit magjik të futbollit. 

“Dinastia” sportive Metani
Në krye të listës së kësaj “Dinastie”, në mënyrë të padiskutueshme qëndron Meti, portieri i Tiranës në vitet 50-të, “gardiani” që e mbrojti me fanatizëm katërkëndorin bardheblu, 15 vite me radhë në një periudhë vërtet tejet të vështirë, kur skuadrës në çdo sezon i “rrëmbenin” futbollistët më të talentuar. Ndërkohë duhet thënë se përpara Metit si futbollist në familjen e hershme tiranase kishte spikatur i vëllai Haxhiu dhe djali i xhaxhait Nuriu, të cilët u shquan në kampionatin lokal të Tiranës. Më pas stafetën e “Dinastisë” Metani, pra kur Meti u largua për herë të fundit nga fusha e lojës e morën djemtë e tij. Kështu i pari në fushën e vlertë spikati Luani, djali i parë njohur nga të gjithë me emrin Ili, i cili u shqua futbollist golashënues së pari në radhët e Shkëndisë më pas tek Tirana, ndërkohë që me ekipin Shpresa U-21 ka fituar titullin kampion i Ballkanit në vitin 1981 në Vollos të Greqisë. Tashmë prej vitesh trajner Ili ka drejtuar në kohë të ndryshme Kamzën, Turbinën, Albpetrolin, Tërbunin, Kukësin etj. Bashkëshortja e tij Engjëllushja ka qenë gjimnaste e dalluar. Djali i madh Erdisi u dallua në ekipin e të rinjve të Partizanit, madje edhe në ekipin e parë të të kuqve, por për shkak të një dëmtimi u detyrua të ndërpresë karrierën. Djali tjetër Mikeli luajti fillimisht me Tiranën, kaloi tek Gramozi dhe më pas në Bundesligën 2 të Austrisë, ku gjendet edhe sot. Djali i dytë Blerimi, ndoqi rrugën e të atit Metit, zuri vend në roje të katërkëndorit të portës së Shkëndisë. Kurse i biri i tij Ronaldi (Gërcaliu), spikati në radhët e skuadrës austriake Sturm të Gracit, Salsburgut etj. Në ekipet kombëtare të grupmoshave të Austrisë, Ronaldi ka qenë futbollist i formacionit bazë, më pas tek U-21, madje edhe titullar në ekipin përfaqësues austriak, për ngjyrat e të cilit luajti edhe në finalet e evropianit 2008. Në sezonin 2015-2016 luajti në radhët e skuadrës bardheblu. Edhe dy djemtë e tjerë të Met Metanit, Agroni e Altini kanë veshur fanellën bardheblu. Kurse vajza e Agronit, Merilin u shqua në basketboll me Tiranën dhe tashmë aktivizohet me Studentin.
Ahmet Metani
Datëlindja: 30 mars 1929
Ekipet për të cilët ka luajtur: Tirana, Erzeni, Dinamo.
Trofe: Kampion Kombëtar me Dinamon më 1950
Fitues i Kupës së Shqipërisë: Me Dinamon më 1950, dhe me Tiranën më 1963
Vlerësime: “Mjeshtër Sporti”, “Simbol i qytetit të Tiranës”
U nda nga jeta: 30 prill 2003
Sigal