Mesi-Ronaldo bashkohen në “Ekipin e ëndrrave”

444
Sigal

Pesë futbollistë nga Barcelona, dhe katër nga nga Reali në skuadrën më të mirë të vitit 2012

 Pesë lojtarë të Spanjës, kampione e Euro 2012, janë përfshirë në formacion ideal, “Ekipi i vitit 2012”, të përzgjedhur pas numërimit të 5.3 milionë votuesve në sondazhin e organizuar nga UEFA. “Ekipi i ëndrrave” i përshtatet skemës 4-4-2. Faqja zyrtare e UEFA-s u ka publikuar deklaratat e 11 protagonistëve.

 PORTIER

 Iker Kazijas (Real Madrid)

“Në vitet e fundit ne u bëmë kampionë të Europës dhe të Botës, dhe tani njerëzit kërkojnë këtë sërish nga ne. Por, ata nuk duhet të harrojnë se kjo nuk është aspak e lehtë”.

 MBROJTËS

 Serxho Ramos (Real Madrid)

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për atë që kemi arritur. Dhe, nëse ju lini përshtypje për lojën individuale, kjo është për shkak të punës kolektive, pra të gjithë mbrojtjes sonë”.

 Xherard Pike (Barcelona)

“Janë shumë gjëra pas skenave, të cilat njerëzit nuk i shohin. Njerëzit shohin vetëm atë që ndodh në stadium, por pas saj ka shumë punë, vuajtje dhe sakrifica”.

 Filip Lahm (Bajern Munih)

“Unë e di se, mund të luaj në nivel të lartë, si nga krahu i djathtë, ashtu dhe nga ai i majtë. Dhe këtë e kam bërë si me Bajernin, ashtu dhe me ekipin Kombëtar”.

 Tiago Silva (Paris SG)

“Unë gjithmonë përpiqem të bëj gjënë më të thjeshtë të mundur dhe të sjell siguri për ekipin tim, pasi puna ime është të mbroj, dhe jo të shkoj përpara për të shënuar gola”.

 MESFUSHORË

 Andres Iniesta (Barcelona)

“Unë jam shumë i lumtur dhe krenar që të fitoj këtë çmim. Dy Europianë dhe një Kupë Botë, të cilët ne nuk e kishim bërë kurrë më parë, është diçka historike”.

 Çavi Hernandez (Barcelona)

“Unë jam shumë krenar. Është një nder për mua që të jem i votuar në këtë ekip me lojtarë të mëdhenj, si në Europë ashtu dhe në nivel botëror. Dua të bëj më të mirën time”.

 Andrea Pirlo (Juventus)

“Ok, ju keni nevojë të dini paksa nga të gjitha gjerat. Ju keni nevojë të dini si të mbroni, si të sulmoni, si të drejtoni ndeshjen, të fitoni topin dhe të shënoni gola”.

 Mesut Ozil (Real Madrid)

“Unë jetoj në Madrid, ekipi më mbështet shumë, trajneri ka shumë besim te mua, kështu që unë mund të shpreh të gjithë potencialin tim në fushë. E njëjta dhe me Kombëtaren e Gjermanisë”.

 SULMUES

 Lionel Mesi (Barcelona)

“Çdo vit unë përpiqem të zhvillohem më tej dhe të bëhem një lojtar më i mirë. Kam pasur fatin të shënoj më shumë gola, por objektivi im real është të fitojë sa më shumë trofe”.

 Kristiano Ronaldo (Real Madrid)

“Unë do të kem gjithmonë përgjegjësi, por jo dhe aq shumë presion. Ne mund të përmirësohemi në çdo repart. Mendoj se gjëja më rëndësishme është të punojmë mirë dhe gjithmonë”.

  Votat, Iniesta mund Mesin

 Mund të duket e pabesueshme, por mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta ka mundur shokun e tij të skuadrës, Lionel Mesin, fituesin e katër “Topave të Artë” rresht (2009, 2010, 2011 dhe 2012). Iniesta ka grumbulluar 351,105 vota, ndërkohë që Mesi ka 313,853 vota nga rreth 5.3 milionë votuesit.

Portier

Iker Kazijas    219,163

Mbrojtës

Serxho Ramos    295,037

Tiago Silva     184,779

Xherard Pike    225,534

Filip Lahm      209,718

Mesfushorë

Andres Iniesta  351,105

Mesut Ozil      214,463

Andrea Pirlo    225,455

Çavi Hernandez  270,520

Sulmues

K.Ronaldo       255,803

Lionel Mesi     313,853

 Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare ishte një figurë popullore në vendin tonë

 “Die Welt”: “Brigel,një trajner i dështuar”

  Në Bundesligën e Dytë gjermane kanë punuar shumë trajnerë me emra të mëdhenj, por vetëm pak prej tyre kanë qenë të suksesshëm. Në një artikull të gazetës së njohur gjermane, “Die Welt”, është bërë një analizë e arritjeve dhe dështimeve të disa prej trajnerëve, të tillë si Maks Merkel, Bernd Shuster, Pier Litbarski, Kristof Daum, Oto Rehagel dhe Hans-Peter Brigel. Ish-tekniku i Shqipërisë është përfshirë në listën e të dështuarve. Brigel ka drejtuar ekipin e SG Vatenshajdit në sezonin 1994-1995, (1 korrik 1994–20 mars 1995), por pa qenë i suksesshëm. “Hans-Peter Brigel në Vatenshajd, Bernd Shuster në Këln me Fortunën dhe FC Këlnin, si dhe Pierre Litbarski në Duisburg, të gjithë këta nuk e realizuan qëllimin e madh”. Vetëm Rehagel (1. FC Kaiserslautern) dhe Daum (1. FC Këln) kanë qenë të suksesshëm me ekipet e Bundesligës 2. Në fakt, Brigel, pas dështimit me Vatenshajdin qëndroi tre vjet pa ekip, derisa u bashkua me turqit Beshiktashit (6 maj 1999-shtator 1999, pra vetëm pesë muaj) dhe dhe  Trabonsporit (7 nëntor 2001-30 qershor 2002). Nga 21 dhjetor 2002 dhe deri, më 9 maj 2006, kur ai dha dorëheqjen, Brigeli ishte trajneri i Shqipërisë, ku vendosi disa rekorde lokale me Kombëtaren shqiptare: numrin më të madh të pikëve të grumbulluara ndonjëherë në një fazë eliminatore (13 pikë, Botërori 2006) dhe numrin më të madh të ndeshjeve për një trajner (31). Triumfet e tij më të mëdha si trajner janë fitoret kundër Kampiones së Europës, Greqisë, dhe ai kundër Kombëtares ruse, çka e bënë gjermanin një figurë popullore në Shqipëri. Mediat gjermane veçojnë edhe faktin se, ai ka banuar në Tiranë në lagjen ku ndodhet shtëpia e diktatorit Enver Hoxha. Gjithsesi, Brigeli dështoi edhe me Kombëtaren e Bahreinin, të cilën e drejtoi vetëm pesë muaj (korrik 2066-janar 2007) dhe po kështu me turqit e MKE Ankaragyçy (pesë muaj në sezonin 2007-2008).

 Pep Guardiola zgjedh Bajernin e Munihut

 Pep Guardiola do të jetë trajneri i Bajernit, duke filluar nga sezoni 2013-2014. Ish-tekniku i Barcelonës do të nënshkruajë një kontratë deri në korrik të vitit 2016 me rekordmenët gjermanë. Për Guardiolën kishte interesime nga shumë klube me emër në Europë, por më në fund spanjolli ka pranuar ofertën e Bajernit. Trajneri aktual Jup Hejnkes (67 vjeç), ashtu edhe siç e kishte planifikuar i jep fund karrierës me përfundimin e sezonit. Guardiola, 41 vjeç, do të mbërrijë të premten në Munih. “Pep Guardiola është një nga trajnerët më të mirë në Botë dhe ne jemi të sigurt që, jo ai jo vetëm Bajernit, por veçanërisht futbollit gjerman do t’i japë më shumë shkëlqim”, – tha presidenti i Bajernit, Karl-Heinc Rumenige. Uli Henës shtoi: “Kalibri i Guardiolës nuk mund të diskutohet”. Guardiola u kërkua me forcë nga ekipe të tilla si, Mançester Junaitid, Mançester Siti dhe Çelsi, por mesa duket ai nuk zgjodhi paratë e shumta dhe vendosi për Bajernin. Pep, i cili ka luajtur 47 ndeshje me Kombëtaren spanjolle, deri në verën e vitit 2012 ishte trajner me Barcelonën. Me katalanasit ai fitoi 14 trofe në katër vjet, midis tyre dy herë Ligën e Kampioneve dhe një Kampionatin Botëror për klube. Në vitet 2009 dhe 2011 ai u përzgjodh si trajneri më i mirë në botë.