Mesfushorët Memushaj e Kaçe me valixhe në dorë, Strakosha preferencë e Napolit

579
Nga Agron KAJA
LEGJIONARËT/ Ja se si rrotullohen thashethemet e kësaj merkatoje për futbollistët e Kombëtares që luajnë jashtë Shqipërisë
Në këtë periudhë dimërore, ku futbolli në Evropë bën të veçantën edhe me merkaton që zhvillojnë skuadrat, edhe futbollistët shqiptarë që luajnë në kontinentin tonë, kanë qenë në fokusin e skuadrave të ndryshme. Dhe në epiqendër duket se po mbetet mesfushori vlonjat Ledjan Memushaj, i cili këtë gjysmë sezoni ka luajtur në skuadrën e Beneventos në Serinë A të Italisë, e cila renditet në vendin e fundit. Thashethemet kanë qenë të shumta për mesfushorin, ndërsa dje ka ndryshuar skenari, dhe e ardhmja mendohet se do të vendoset brenda 48 orëve. Skuadra e Beneventos, mesa duket ka ndryshuar mendjen për mesfushorin e Kombëtares, dhe drejtuesit e skuadrës italiane pritet të mblidhen brenda 48 orëve që të vendosin për të ardhmen e Memushajt. Më shumë mundësi ka që ai të qëndrojë te kjo skuadër, për ta ndihmuar Beneventon në luftën për mbijetesë në Serinë A. Por, gjatë këtyre dhjetë ditëve të para të muajit janar, për 31-vjeçarin është interesuar edhe skuadra e Barit në Serinë B, atje ku luan edhe mesfushori tjetër i Kombëtares sonë, Migjen Basha. Bari po i kërkon me ngulm shërbimet e shqiptarit, pasi ka si objektiv ngjitjen në Serinë A, dhe duke u përforcuar me mesfushorin vlonjat, ndjehet më i sigurt për vazhdimësinë. Por, të tjerë emra futbollistësh të Kombëtares sonë kanë hyrë në fokusin e kësaj merkatoje dimërore, ku Kamer Qaka që bëri debutimin e tij kuqezi dy muaj më parë, kërkohet nga Sampdoria në Serinë A, ndërsa dy skuadrat spanjolle Las Palmas dhe Girona kanë konfirmuar interesimin për shërbimet e tij. Në udhëkryq mbetet në këtë periudhë mesfushori korçar Ergys Kaçe, i cili nuk ka kaluar situata të mira si me PAOK-un në kampionatin grek, ashtu edhe në skuadrën Kombëtare. Legia e Varshavës në Poloni, dhe Nantë në Francë, këto janë dy skuadrat që e kërkojnë atë në këtë gjysmë sezoni, ndërkohë që mesfushori-sulmues Eros Grezda, në thashethemet e merkatos së janarit, ka pasur shumë oferta, dhe Osijeku, skuadra e tij aktuale, është treguar e hapur për të gjitha ofertat ndaj tij. Por, Xhenova dhe Lacio në Serinë A janë skuadrat më shumë të interesuara për të. Emanuele Ndoj kërkohet nga disa skuadra në Serinë B, por largimin e tij e vendos skuadra e Romës, ku Avelino është më pranë shërbimeve të tij, ndërsa më e veçanta mbetet portieri Thomas Strakosha. Ai luan aktualisht me Lacion dhe këtë sezon ka bërë paraqitje shumë të mirë, por zëvendësimi i portierit Reina te Napoli për sezonin tjetër, duket se ka gjetur emrin e duhur me shqiptarin, por në muajin qershor 2018.
MERKATO TE LEGJIONARËT
1. Thomas Strakosha është në listën e preferencave të Napolit. Zëvendësimi i portierit Reina duket se ka gjetur emrin e duhur me shqiptarin, por në qershor.
2. Mesfushori korçar Ergys Kaçe, është larg planeve të PAOK-ut. Legia e Varshavës dhe Nanta janë skuadrat që e kërkojnë në këtë gjysmë sezoni.
3. Ledjan Memushaj kërkohet nga disa skuadra në Serinë B. Por fati i tij varet nga skuadra e Beneventos, e cila këtë javë arriti një fitore shprese në Serinë A.
4. Kamer Qaka kërkohet nga Sampdoria në Serinë A, por dy skuadrat spanjolle Las Palmas dhe Girona kanë konfirmuar interesimin për shërbimet e tij.
5. Eros Grezda ka shumë oferta, dhe Osijeku është i hapur për të gjitha. Por, Xhenova dhe Lacio në Serinë A janë skuadrat më shumë të interesuara për të.
6. Emanuele Ndoj kërkohet nga disa skuadra në Serinë B, por largimin e tij e vendos skuadra e Romës, ku Avelino është më pranë shërbimeve të tij.
Sigal