Merkatoja “europiane” e kuqezinjve

658
Sigal

Transferimi më i bujshëm është ai portierit Etrit Berisha te Lacio. 15 lëvizje në total

Merkatoja verore në tregun europian regjistroi 15 lëvizje të futbollistëve shqiptarë, ku ajo më e bujshmja është transferimi i portierit të Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha nga Kalmari i Suedisë te Lacio e Italisë. Kosovari 24-vjeçar firmosi për tre vjet dhe një rrogë sezonale prej 500 mijë eurosh me klubin italian. Duke qëndruar tek portierët, Saimir Ujkani qëndroi te Palermo, pavarësisht se nuk munguan zërat për një transferim në skuadrat e Serisë A. Në merkaton italiane kemi edhe disa lëvizje të tjera. Kështu, sulmuesi kosovar me pasaportë suedeze, Agon Mehmeti, u huazua nga Palermo në Portugali, tek Olhanense. I grumbulluar për herë të parë nga De Biazi, Mehmeti bëri këtë lëvizje për të pasur mundësinë të luajë rregullisht, ku në tre javët e para të kampionatit ka shënuar një gol. Sulmuesi Edgar Çani la Katanian e Serisë A, për t’u bashkuar me Karpin në Serinë B. Po te ky Karpi mbërriti edhe mesfushori Ledian Memushaj,  huazuar nga Kievo, si dhe mbrojtësi i ri Harrallamb Qaqi, i huazuar nga Verona. Ndryshim të skuadrës bëri Debatik Curri i cili la turqit e Genshlerbirlizxhisë, për t’u rikthyer në Ukrainë, tek Hoverla. Në merkaton “gjermane”, mesfushori Odise Roshi zyrtarizoi transferimin përfundimtar nga Këlni, te FSV Frankfurtit, duke i dhënë fund huazimit. Mesfushori tjetër i Kombëtares, Jurgen Gjasula, u transferua MSV nga Duisburgu, te Liteks Loveçi në Bullgari, atje ku luan edhe mesfushori tjetër Armando Vajushi. Nga ana tjetër, nga skuadra bullgare u largua për në Rumani, te Celahuli, mesfushori shkodran Edon Hasani.

Këtë sezon do të kemi dy lojtarë shqiptarë në Superligën polake: Sebino Plaku u transferim nga Skënderbeu, te Slask Vroklav dhe Bekim Balaj u huazua nga Sparta e Prages (Çeki), te Jagiellonia.

Në Arabinë Saudite kemi dy transferime: mesfushori Gilman Lika, nga Tirana, tek Al-Faisali, dhe po te ky klub i Premier Ligës arabe mbërriti nga Flamurtari edhe sulmuesi Migen Memelli, i cili ka luajtur më parë tek ky ekip. Një hap të madh përpara ka hedhur Migjen Basha, i cili ka nënshkruar kontratë të re me Torinon deri në 30 qershor të 2015. Po, kështu ripërtëritje të kontratës pati dhe Valdet Rama me Valadolidin në Spanjë.  Pavarësisht kërkesave të shumta, nuk kanë ndërruar destinacion mbrojtësit Andi Lila dhe Elseid Hysaj, të cilët do të qëndrojnë të paktën deri në Janar tek ekipet e tyre, respektivisht te Janina dhe Empoli. Gjithsesi, te PAS Janina mbërriti nga Olimpiakosi, mbrojtësi i ri, Ardian Muskaj. Erjon Bogdani për momentin është futbollist i lirë, ndërsa sulmuesi Armando Sadiku vendosi vetëm në orët e fundit të qëndrojë tek Lugano.

LËVIZJET

 Etrit Berisha

Portier: transferim nga Kalmar (Suedi, Allsvenskan), te Lacio (Itali, Seria B)

Odise Roshi

Mesfushor: transferim nga Këlni (Gjermani, Bundesliga 2), te FSV Franfkurti (Gjermani, Bundesligs 2)

Jurgen Gjasula

Mesfushor: transferim nga MSV Duisburgu (Gjermani, Bundesliga 2), te Liteks Loveç (Bullgari, Superliga)

Edgar Çani

Sulmues: huazim nga Katania (Itali, Seria A), te Karpi (Itali, Seria B)

Debatik Curri

Mbrojtës: transferim nga Genshlerbirlixhi (Turqi, Superliga), te Hoverla (Ukrainë, Superligë)

Sebino Plaku

Sulmues: transferim nga Skënderbeu (Shqipëri, Superliga), te Slask Vroklav (Poloni, Ekstraliga)

Bekim Balaj

Sulmues: huazim nga Sparta e Prages (Çeki, Superliga), te Jagiellonia (Poloni, Ekstraliga)

Gilman Lika

Mesfushor: nga Tirana (Shqipëri, Superliga), te Al-Faisali (Arabia Saudite, Superliga)

Migen Memelli

Sulmues: nga Flamurtari (Shqipëri, Superliga), te Al-Faisali (Arabia Saudite, Superliga)

Agon Mehmeti

Sulmues: huazim nga Palermo (Itali, Seria A), te Olhanense (Portugali, Primiera Liga)

Edon Hasani

Mesfushor: transferim nga Liteks Lovech (Bullgari, Superliga), te

Ceahlaul Piatra Neamt (Rumani, Superliga)

Ledian Memushaj

Mesfushor: huazim nga Kievo (Seria A, Itali), te Karpi (Seria B, Itali)

Harrallamb Qaqi

Mbrojtës: huazim nga Verona (Seria B, Itali), te Karpi (Seria B, Itali)

Arben Muskaj

Mbrojtës: transferim nga Olimpiakos (Greqi, U-21), te PAS Janina (Greqi, Superliga)

 PAS Janina e katër shqiptarëve

 PAS Janina, skuadra greke e qytetit të Janinës e që merr pjesë në Superligën helene, është ekipi që ka më shumë lojtarë shqiptarë. Kështu, te “Princi i Epirit” aktivizohen mbrojtësi Andi Lila, Arben Muskaj, Simon Rrumbullaku dhe mesfushori Emiljano Vila. Te Lacio aktivizohen tre futbollistë shqiptarë: dy portierët, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha, si dhe mbrojtësi Lorik Cana. Nga dy lojtarë kanë ukrainasit e Vorskla Poltavës: mbrojtësi Armend Dallku (kapiten) dhe sulmuesi Ahmed Januzi. Te Çernomorets Odesa (Ukrainë) janë mbrojtësi Kristi Vangjeli dhe mesfushori Elis Bakaj. Në Iran, te Sepahani luajnë mesfushori Ervin Bulku dhe sulmuesi Xhevair Sukaj. Në Arabinë Saudite, tel Al-Faisali janë mesfushori Gilman Lika dhe sulmuesi Migen Memelli. Në Gjermani, te FSV Frankfurti i Bundesligës 2 janë sulmuesi Edmond Kapllani dhe mesfushori Odise Roshi.

Java e parë e Kategorisë Superiore

Sot, Lushnja-Kukësi

Java e parë e Kategorisë Superiore do të mbyllet sot me ndeshjen Lushnja-Kukësi. Lushnjarët vijnë në këtë ballafaqim në “Roza Haxhiu” me statusin e kampiones së Kategorisë së Parë, ndërsa kuksianët si skuadra e vetme shqiptare që ka kaluar tre ture eliminatore në Europë, përkatësisht në Ligën e Europës. Kukësi është një nga pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion. Pas pesë ndeshjeve të luajtura, të shtunën dhe të dielën e kaluar, është Partizani që kryeson renditjen. Të kuqtë fituan 2-0 me Kastriotin në Krujë. Fitore tjetër në transfertë regjistroi edhe Flamurtari me Vllazninë (0-1) në Shkodër. Teuta fitoi 2-1 me Bylisin, ndërsa Skënderbeu fitoi 1-0 me Besën në Korçë. Takimi i vetëm i mbyllur në barazim (0-0) ishte ai midis Tiranës dhe Laçit në “Qemal Stafa”. Kampionati do të ndërpritet për dhjetë ditë, për shkak të ndeshjeve të Kombëtares me Slloveninë (6 shtator) dhe Islandën (10 shtator). Java e dytë do të luhet më 15 shtator.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA I

Të shtunën, 31 gusht 2013

Vllaznia-Flamurtari  0-1

Teuta-Bylis          2-1

Kastrioti-Partizani  0-2

Të dielën, 1 shtator 2013

Tirana-Laçi          0-0

Skënderbeu-Besa      1-0

Sot, 4 shtator 2013

Lushnja-Kukësi       17:00

RENDITJA

1    Partizani       1    +2   3

2    Teuta           1    +1   3

3    Flamurtari      1    +1   3

4    Skënderbeu      1    +1   3

5    Laçi            1    +0   1

6    Tirana          1    +0   1

7    Kukësi          0    +0   0

8    Lushnja         0    +0   0

9    Bylis           1    -1   0

10   Besa            1    -1   0

11   Vllaznia        1    -1   0

12   Kastrioti       1    -2   0