Mërgim Mavraj, polici që kapte kriminelët, tani mbron skuadrën

626
Sigal

Rrëfehet në 360 gradë mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, kapiteni i Grojther Fyrthit në Bundesligën 1

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, është kapiteni i skuadrës gjermane të Bundesligës 1, Grojther Fyrth. Mavraj, i cili është aktivizuar në tri ndeshje e fundit të kuqezinjve – kundër Katarit, Iranit dhe Moldavisë – është rrëfyer për mediat gjermane përpara ndeshjes kundër Bajernit të Munihut. Kapiteni i Grojther Furthit flet për të kaluarën e tij, nga ëndrra për t’u bërë polic, dhe si ai u bë futbollist. Pse shokët e tij e zgjodhën atë të jetë kapiteni i ekipit.

Mavraj, ju do të jeni kapiteni i ri i skuadrës pas votimit të fshehtë të lojtarëve përpara fillimit të sezonit. Paraardhësi juaj, Tomas Klajne, me të cilin ju formoni qendrën e mbrojtjes, u ndje i zhgënjyer për humbjen e besimi të shokëve. Si e pritët detyrën e kapitenit?

Ishte më të vërtetë një surprizë e madhe për mua. Zgjedha ishte krejt spontane, e që erdhi pas dy seancave stërvitore, dhe të them të drejtën nuk e kisha menduar deri atëherë, se unë do të bëhesha kapiteni i skuadrës. Unë kam luajtur aq gjatë në Fyrth, sa unë të merrja në dorëzim shiritin. Është një gjë e bukur, kur e di se pas ke një ekip që të mbështet. Por situata e krijuar ishte pakëndshme për të dy ne. Unë e vlerësoj shumë Tomasin, si nga ana sportive, ashtu dhe nga ana njerëzore. Është dikush, që unë e shoh shumë lart. Unë e kuptoj plotësisht, zhgënjimin dhe trishtimin e tij. Gjithsesi, ai ruajti raportin dhe është treguar luajal me mua. Ne kemi folur për situatën e veçantë të krijuar, dhe ne e dimë se asnjë nga të dy nuk ka të bëjë. Dua ta theksoj, se në ngjitjen tonë në Bundesligën 1, harmonia jonë si mbrojtës të qendrës ishte shumë e rëndësishme.

A e mësuat, se përse ju morët kaq shumë vota?

Ndoshta edhe nga fakti, që unë jam 26 vjeç, dhe ndodhem në mes të dy grupeve të skuadrës: brezit të rinjve, prej të cilëve unë nuk jam shumë larg, dhe gjeneratës së vjetër, të cilët për shkak të eksperiencës së viteve të fundit kam ndërtuar një raport të mirë.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe karakteri juaj. Ata e shohin se ju jeni njeri, që i respektoni rregullat deri në imtësitë më të parëndësishme.

Edhe kjo mund të jetë. Për mua ishte e rëndësishme, që nga dita e parë nuk u jam larguar përgjegjësive dhe jam përpjekur të jap rezultate. Jam njeri, që i respektoj në maksimum rregullat, madje edhe jashtë fushe jetoj po me këtë përgjegjësi, ashtu siç edhe unë pres prej të tjerëve. Edhe pa shiritin e kapitenit, unë do t’i respektoja rregullat, pasi unë jetoj prej një kohe të gjatë me rregulla. Është diçka e natyrshme tek mua.

Ekziston një mendim në Gjermani, që shumë futbollistë të rritur në Gjermani, por që kanë një begraund emigrantësh, janë të padisiplinuar. A e ndjeni veten ndryshe nga të rinjtë e tjerë?

Dikur po. Natyrisht, që ka në fazat e rinisë, që ndonjëherë jo gjithmonë gjithçka shkon mirë. Gjithsesi, unë vij nga një familje me bazë të mirë. Dhe kur unë mendohem, se përse është kjo tek mua, atëherë kthehem te origjina e familjes sime. Babai im ka studiuar për inxhinier mekanik në Shqipëri, por ai nuk mund të punonte atje, dhe kur erdhi në Gjermani, ai punoi si punëtor i thjeshte fabrike. Ai bëri hapa njëri pas tjetrit, për të na siguruar një jetë më të mirë. Për këtë unë i jam atij pafundësisht mirënjohës, duke pasur një respekt maksimal për ta. Përpara çdo vendimi, unë i bëj një pyetje vetes. “Çfarë do të prisnin prej meje babai dhe nëna ime?” Natyrisht, që dhe unë bëj gabime, por sigurisht që përpiqem të gaboj sa më pak.

Kur ju ishit 16 vjeç, ju bëtë përpjekje të bënit praktikë në polici, apo jo?

Po, është e vërtetë. Më ka pëlqyer të jem autoritar, të respektoj drejtat dhe rregullat. Ndërkohë që, kur isha fëmijë nuk e kam pasur ëndërr që të bëhesha futbollist, por mendoja një karrierë në polici. Një polic merr gjithmonë përgjegjësi dhe merr vendime në kohë të vështira, pavarësisht se ndonjëherë ai është një rol përbuzës. Unë gjykoj se, ajo është një punë e mrekullueshme. Kur e mendoja këtë në klasën e 10-të, se si do të ishte rruga ime profesionale, pikërisht këtë doja të shikoja, pasi më pëlqente shumë.

Dhe një nga talentet më të mëdha të futbollit të landit të Hesenit do të bëhej polic apo jo?

Pikërisht. Unë shkova në rajonin e Zelgenshtadt, ku isha rritu, dhe pyeta. Ata më thanë, se ata fatkeqësisht nuk mund të më lejonin të bëja praktikë, pasi duhet ta bëja në Myhlhajm. Shkova më pas në Myhlejam, por policët u treguan skeptikë ndaj meje. Ata menduan, që unë nuk doja të ndiqja dhe qëlloja keqbërësit. Unë doja t’i bindja ata dhe më lejuan të qëndroja katër javë. Fillimisht u vendosa në një zyrë, dhe po merresha me formalitet e regjistrimeve të pijanecëve dhe deri te vjedhësit e magazinave. Në fund, unë mund të merrja pjesë dhe në vendosjen e gjobave.

Por, përse jeni tani një futbollist profesionist i Bundesligës, dhe jo një polic?

Unë kisha filluar të mendohesha seriozisht, që pas mbarimit të shkollës profesionale, të vazhdoja studimet e larta për polic. Por, atëherë vendosa që të mos merresha dhe me futboll, pasi koha e stërvitjes me atë të punës nuk përputheshin aspak. Ndërkaq unë luaja me kartën e futbollit dhe bëja njëkohësisht edhe të mesmen. Nëse nuk do të vazhdoja me futbollin, atëherë të qenit polic do të ishte një alternativë. Në fakt, isha i mërzitur, që të qëndroja i mbyllur në një zyrë dhe të merresha me formalitet administrative dhe të bëja një rrugë të ngadaltë.

Ju jetoni me familjen tuaj në një lagje shumë të vështire. Ekziston rreziku të përballeni me botën e krimineleve, apo jo?

Rreziku është i pranishëm gjithmonë atje. Prindërit e mi ishin shumë të kujdesshëm, që të më jepnin një edukim të mirë dhe u kam qëndruar larg grupeve keqbërëse. Unë nuk kam qenë kurrë i interesuar për këta persona. Mund të ndajmë një interes të përbashkët për futbollin, por unë shpresoj që ata djem të periferive, të bëjnë gjëra të mëdha, dhe profesionale.

Duket paksa e çuditshme, që ju dëshironit të bëheshit polic?

Në fakt, kjo provokon të qeshura. E mendoni dot: një shqiptar në polici? Është normale, por tani varet çfarë uniforme ke veshur. Nga ana tjetër, unë e ndjej se kam respektuar rrugën time.

SI U ZBULUA MAVRAJ

Mavraj ka lindur, më 9 qershor 1986.  Në vitin 2006, ai u dallua për herë të parë. Trajneri Bruno Labadia e mori 19-vjeçarin e atëhershëm në formacion bazë të Darmshtadt, ekipit të Ligës së tretë gjermane. Debuton në vitin 2007 me Kombëtaren U-21 gjermane, kur ishte vetëm 20 vjeç. Në verën e vitit 2007 ai transferohet në Bundesligë, te Bokumi, duke u bërë një lojtar bazë në sezonin 2008-2009. Në sezonin 2009-2010 ai ishte një nga lojtarët kryesorë të skuadrës, por Bokumi ra nga kategoria.

Në merkaton dimërore të sezonit 2010-2011, ai u transferua te Grojther Fyrthi, duke dhënë një kontribut të madh në ngjitjen e skuadrës në Bundesligën 1, një sezon më pas. Në verën e vitit 2012, Mavraj merr shiritin e kapitenit të Grojther Fyrthit.

TRI NDESHJE ME KOMBËTAREN

Pas dy refuzimeve për arsye personale, Mavraj pranon të luaj me Kombëtaren shqiptare, duke u aktivizuar në tri ndeshjet e fundit, ato kundër Katarit, Iranit dhe Moldavisë. Së bashku me Lorik Canën formojnë një dyshe të fortë në qendër të mbrojtjes së kuqezinjve tanë, duke dhënë një garanci më shumë për trajnerin Xhani De Biazi.