Sigal

Belgjika largon Brazilin, trofeu i Kupës së Botës mbetet në Evropë, pa udhëheqësit e historisë

Nga Agron KAJA

Si i përshkruani dy ndeshjet e djeshme çerekfinale, të bukura apo thjesht kualifikuese për Francën e Belgjikën?

Sikundër edhe u zhvilluan të dyja ndeshjet çerekfinale dje, unë mendoj se ishin të bukura. Por, lodhja ka hyrë tek ekipet që vazhdojnë turet e Botërorit, por e justifikuan me nivelin e mirë që treguan, pavarësisht nga pritshmëritë.

Në këndvështrimin tuaj teknik, çfarë dukurish do veçonit më shumë nga ndeshjet e luajtura dje?

Dukuria më e spikatur dje ishte se, të katërta skuadrat nuk kishin shumë ndryshime në planin taktik, dhe te mënyra e lojës. Me atë format që ato e filluan, ashtu edhe e mbaruan lojën, pavarësisht rezultateve. Të gjitha ishin standarde në lojën e tyre.

U shënuan 7 gola dhe nuk kishim minuta shtesë, çfarë tregon ky fakt?

Mendoj se dje, të gjitha skuadrat hynë në fushë që ta zgjidhnin rezultatin brenda 90 minutave, ndoshta edhe nga lodhja që mund të ishte delikate për cilën do prej tyre. Nuk kishte akademizëm në y ndeshjet dje, sikundër ndodhi në takimin kur Rusia eliminoi Spanjën.

Dje, mund të themi se arbitrat dhe sistemi VAR ishin në sinkron në këto dy ndeshje, sidomos te rasti i penalltisë të pretenduar nga Brazili?

Edhe dje, sistemi VAR tregoi domosdoshmërinë e përdorimit të tij. Ishte një rast i diskutueshëm që pretendoi Brazili në pjesën e parë, por që nuk rezultoi sikundër u pretendua. Por, edhe dy arbitrat dje, ishin pjesë e ritmit të lojës, pavarësisht 7 kartonëve të verdhë.

Pas eliminimit të Brazilit, në gjysmëfinale do të jenë vetëm skuadra nga Evropa, si e përshkruani këtë dukuri?

Tashmë Kampionati Botëror do të duhet të vazhdojë pa udhëheqësit e historisë. Brazili 5 herë Kampion ja bëri më të lehtë Francës fitimin e Kupës, dhe iku së bashku me Gjermaninë 4 herë Kampione, Argjentinën e Uruguajin 2 herë, dhe Spanja 1 herë Kampione Bote. Kjo tregon se Evropa ka më shumë nivel në futbollin që luan.

Sot luhen dy ndeshjet e fundit çerekfinale, si i mendoni përfundimet e tyre?

Të dyja ndeshjet nesër (sot), unë i shoh në barazi të plotë mes tyre. Pse? Sepse të katër skuadrat nuk kanë shumë diferenca mes tyre, as Anglia ndaj Suedisë, ashtu edhe Kroacia me Rusinë. Rëndësi ka, se cila do t’i imponohet kundërshtarit.

Që do të thotë se parashikimet nesër mund të jenë më shumë rreth barazimeve e zgjidhjet me kohë shtesë apo penallti?

Nëse do të shkonin sfidat nesër (sot) me kohë shtesë apo penallti, nuk mendoj se fitorja do të shkonte te skuadra më e mirë. Sepse penalltitë janë fat, dhe nuk do të ishte keq që të shikonim sa më shumë minuta në fushë, në të dyja këto sfida të fundit çerekfinale.

BRAZIL-BELGJIKË 1-2

Shënues: Augusto 76’/ Fernandinjo (aut) 13’, De Bryn 31’

Brazili (1-4-2-3-1): Alison; Fagner. T. Silva, Miranda, Marselo; Paulinjo (Augusto 73’), Fernandinjo; Uilliam (Firminjo 46’), Koutinjo, Nejmar; G. Xhezus (D. Kosta 58’). Trajner: Tite

Belgjika (1-3-4-3): Kurtua; Arderveireld, Kompani, Vertonghen; Meunier, Felaini, Vitsel, Shaldi (Vermaelen 83’); De Bryn, Lukaku (Tielemans 87’), Hazard. Trajner: Roberto Martinez.

Gjyqtarë: Arbitër kryesor: Milorad Maziç; Asistentë Milovan Ristiç dhe Dalibor Xhurxheviç (Nga Serbia); Zyrtar i katërt Zhair Marufo (Nga USA)

Kartonët: KV Fernandinjo, Fagner/ Arderveireld, Meunier

           Të dhëna-Çerekfinalet

Ndeshje të luajtura:     2

Gola të shënuar:          5

Autogola:                    1

Gola me penallti          0

Ndeshje me shtesë      0

Kartonë të verdhë       7

Kartonë të kuq                        0

Shkojnë në gjysmëfinale

Franca dhe Belgjika

Largohen nga Botërori

Uruguaji dhe Brazili

Ndeshjet çerekfinale

Novgorod/ Dje, 6 korrik 2018

A)Uruguaj-Francë       0-2

Kazan/ Dje, 6 korrik 2018

B)Brazil-Belgjikë        1-2

Samara/ Sot, 7 korrik 2018

D)SuediAngli                        16:00

Soçi/ Sot, 7 korrik 2018

C)RusiKroaci             20:00

 

Ndeshjet gjysmëfinale

Shën Petersb./ 10 korrik 2018

E)Francë-Belgjikë       20:00

Moskë/ 11 korrik 2018

F)Fituesi C-Fituesi D  20:00

Pepe Reina “avokat” i gafave të portierëve: Do vazhdojmë të shpikim topa?!

Në këto ndeshje të Botërorit “Rusi 2018”, ka pasur edhe momente delikate, sa i përket portierëve, të cilët janë bërë protagonistë në rezultate me gabimet që kanë bërë, nga De Gea i Spanjës e deri tek Muslera i Uruguajit. Është portieri i njohur, Pepe Reina, që së fundmi firmosi me Milanin, i cili në një reagim dje në Twitter , u ka dalë në mbrojtje portierëve. “Do vazhdojmë të ‘shpikim’ topa, që portierët ta kenë më të lehtë ‘të gjejnë’ trajektoren e topit”, kështu shkruante dje spanjolli Reina.