Me politikat e tij, shteti t’u japë më shumë prioritet sportisteve femra

609
Nga Agron KAJA

INTERVISTA/ Me rastin e festës së 8 marsit, gazeta “Telegraf” sjell emocionet e atletes shqiptare, nënkampione të Evropës, e para sportiste femër shqiptare në këto nivele ndërkombëtare

LUIZA GEGA
Luiza në këtë 8 mars 2017, ndjehet e plotësuar si femër për çka keni arritur deri më sot?
Së pari ju falënderoj që keni zgjedhur këtë ditë të veçantë për të bashkëbiseduar së bashku. Për sa i përket karrierës sime si atlete, unë ndjehem e plotësuar, sepse rezultatet kanë qenë të niveleve të larta. Por, që ta kesh këtë karrierë më të plotë, duhet të kesh më shumë regjim, duhet të kesh një ushqim të përzgjedhur. E gjithë dita është vetëm për stërvitje, kam një orar të disiplinuar dhe me një ngarkesë të madhe fizike.

Gjithsesi, në pesë vitet e fundit jeni femra numër një e atletikës shqiptare, si ndjehesh në këtë status?
Sigurisht që, për aq sa kam arritur, normalisht që ndjehem e tillë, por do të dëshiroja që të kishte edhe atlete të tjera konkurrente, pse jo edhe të niveleve më të larta se sa kam arritur unë. Këtu mendoj shteti me politika në përgjithësi, ti japin më shumë prioritet sportisteve femra. Siç ja unë krenare për çka kam arritur, pse të mos ketë edhe femra të tjera shqiptare. të japë më shumë për sportistet femra

Mos ndoshta e keni si apel këtë sugjerim?
Po, ky është këndvështrimi im për sa ju deklarova më sipër. Sepse në Shqipëri nuk kuptohet mirë femra në përgjithësi, sidomos në sakrificat që ato bëjnë në çdo fushë të jetës e veprimtarisë së tyre. Por, edhe nuk vlerësohen shumë femrat që merren me sport, e këtë konstatim e kam në përgjithësi.

Në muajt e parë të këtij vit keni pasur një agjendë të ngjeshur me gara të shumta ndërkombëtare. Me çka keni arritur, jeni në synimet tuaja personale?
Unë mund të them asnjëherë se me atë që arrita sot, do të jem e tillë edhe nesër. Por, do të thosha se në Kampionatin Evropian që u zhvillua në këto ditë të para të marsit 2017 në Beograd, unë edhe mund të mos merrja pjesë dhe do të jetë një garë që nuk do ta bëj më në karrierë.

Mos ndoshta duhet të shfajësoheni me vendin e pestë që arritët?
Jo, aspak. Në këtë Kampionat Evropian në Salla të mbyllura vendosa të marr pjesë me synime jot ë mëdha, dhe vendi i pestë ishte normal dhe i kënaqshëm për mua. Nuk do ta bëj më garën e 1500 metrave në këto kushte, sepse unë garën time e kam në 3000 m/p, garë e cila nuk zhvillohet në salla të mbyllura.

Po ju rikthej pak kujtesën, si erdhi mundësia që të merreshit me atletikë?
Kam qenë që fëmijë i lëvizshëm dhe më pëlqente të vrapoja gjatë. Një miku I familjes sonë, që unë e quaj edhe si njeriun që hodhi themelet e mia në këtë sport, Hazbi Dauti, foli me familjen time duke parë cilësitë e mia. Kam qenë 13 apo 14 vjeç atëherë kur nisa të vrapoja zyrtarisht.

Nëse ju kujtohet, cila është gara e parë e Luizës në atletikën shqiptare?
Në vitin 2003 në Krosin Kombëtar unë garova në 3000 metra dhe dola e para me të rriturat. Gara e parë dhe fitorja e parë kjo që solli emocion të madh për mua. Kam qenë 15 vjeç atëherë dhe këtu them se erdhi ngacmimi për ta vazhduar cilësisht këtë sport, natyrisht në garën e 3000 metra si preferencë kryesore.

Gjatë kësaj karriere, e keni të ruajtur në kujtesën tuaj numrin e garave që keni zhvilluar në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare?
Janë shumë gara, në Shqipëri dhe ato ndërkombëtare. Në këto 12 vite që po garoj në nivele të larta, më shumë se sa të mbaj mend për garat që kam zhvilluar, mendja shkon tek ato që do të bëj, në përmirësim nga të kaluarat. E rëndësishme është se nga gara në garë unë kam thyer disa rekorde kombëtare, prandaj të gjitha janë për tu mbajtur mend për mirë.

Cila është gara që ju ka lënë më shumë mbresa në karrierën tuaj deri më sot?
Për mua çdo garë që zhvilloj ka të veçantat e saj, por po sjell në kujtesë garën e 1500 metrave që unë theva rekordin kombëtar me kohën 4: 05,63. Si kohë ishte e vështirë, dhe kjo vështirësi më ishte ngulitur në mendje gjatë garës, dhe kur e theva rekordin, ishte një emocion shumë i madh.

Jeni zhgënjyer ndonjëherë gjatë garave që keni zhvilluar?
Sigurisht që çdo sportist ka edhe zhgënjime në karrierë. Edhe unë nuk i kam shpëtuar zhgënjimit, e po ju sjell si të tillë garën në Kampionatin Evropian të Atletikës për të Rritur që u zhvillua në vitin 2015 në Zyrih. Në 1500 metra kam arritur kohën 4:12.25, dhe kjo për fajin tim. Gabova gjatë garës, pasi mbeta në mesin e grupit dhe ndërkohë që po vinim drejt fundit dhe mua mu hap mundësia e shkëputjes, dallova që disa atlete kishin ikur. Mundësitë i kisha për më shumë, por duke qenë se gabova taktikisht gjatë garës, jam ndjerë e zhgënjyer.

Në Kampionatin Evropian që u zhvillua në ditët e para të këtij muaji, mendoni se vendi i 5-të në 1500 m ishte më i mundshmi?
Unë ja u përmenda më sipër, që vendosa të marr pjesë në këtë garë me synime jot ë mëdha. Edhe në renditje isha e pesta për këtë garë, dhe nuk u ndjeva e freskët për t’u karikuar si pjesë e medaljes. Besoj se kam bërë më të mirën që kisha mundësi në sallat e mbyllura. Do ta kujtoj këtë garë, sepse ju thashë se nuk do të garoj më në 1500 metra në sallat e mbyllura.

Ju si atlete, keni vite që stërviteni nga trajneri Taulant Stërmasi, çfarë mendoni se ka ndryshuar ai tek ju, bazuar në arritjet që keni pasur?
Në këto 10 vite rezultatet flasin flasin vetë. Gjatë kësaj periudhe dhjetë vjeçare që unë stërvitem me Taulantin trajner, çdo vit që vjen është më i mirë se ai që ikën. Çdo vit kam thyer rekorde kombëtare, që tregojnë se ndryshimi është cilësor.

Ky është 8 marsi i fundit i Luizës si vajzë, në 8 marsin e viti 2018 do të kemi Luizën 30 vjeçare me status tjetër?
Asnjëherë nuk parashikohen të tilla momente. Sinqerisht ju them se tani jam e përqendruar më shumë tek përgatitjet për eventet e mëdha që më presin. Por asnjëherë nuk mund të thuhet jo, dhe si përgjigje le t’ia lemë së ardhmes.

Eventi më i afërt ndërkombëtar cili është për ju?
Para se të zhvillohet Kampionati Botëror i Atletikës në Londër (5-13 gusht 2017), unë do të marr pjesë në disa aktivitete që organizon Federata Botërore e Atletikës me Top listën e 20 atleteve më të mira të Botës për momentin. Nuk e kam vendosur se ku, por më e sigurt është një garë në Kinë gjatë muajit maj të këtij viti. Do të garoj në 3000 metra me pengesa, Kupa “Diamond Ligë”.

Keni nisur përgatitjet tuaja, natyrisht tani mund të flitet vetëm për anën psikologjike?
Sigurisht që po, sepse përgatitjet deri atëherë për këtë bëhen (Botërori). Unë do të uroja që të jem mirë fizikisht dhe pa dëmtime. Do të marr pjesë në garën e 3000 metrave me pengesa dhe do kujdesem shumë që të ruaj formën time më të mirë sportive.

Cili është formimi juaj arsimor Luiza?
Unë bazat e mia arsimore sportive i kam marrë në Shkollën e Mesme Sportive “Bernardina Qeramixhi” në Durrës, dhe më pas kam mbaruar studimet në UST (Universiteti Sporteve Tiranë). Por, e shikoj se përvoja e deritanishme ka shërbyer si një arsimim më vete, dhe për këtë besoj se nuk do të zhgënjehem, sa do e gjatë që të jetë karriera ime.

Jashtë atletikës, çfarë hobi kini ose me sa e kaloni kohën tuaj?
Do të doja të më besonit, se ende nuk kam menduar për një kohë të lirë të mirëfilltë. Kam vite që unë kohë të lirë e quaj kur fle, ose kur bisedoj me dikë, duke futur këtu edhe bisedat telefonike. E gjithë pjesa tjetër e kohës është stërvitje, dhe kur kam garë, të cilat më detyrojnë të jem e privuar nga koha e lirë.

Në rrjetet sociale ju shohim aktive, kryesisht kur garoni jashtë Shqipërisë. E bëni për shkak të moshës apo të statusit?
Unë nuk kam shumë preferenca për rrjetet sociale, edhe pse jam prezent në to. Por, ndjehem mirë që në rrjetet sociale ka shumë njerëz që më urojnë, më japin kurajë e më motivojnë për rezultate më të mira.

Sot është festa e 8 marsit, çfarë do t’u uronit vajzave, grave e nënave shqiptare në këtë ditë?
Duke qenë Dita e 8 Marsit, unë do të uroj në radhë të parë që të gjitha femrat që të kenë shëndet të mirë, sepse pa atë nuk ka asgjë të mirë. Është një festë e madhe për nënat e motrat tona, uroj ta kalojnë sa më mirë nga viti në vit.
Në këto 12 vite që po garoj në nivele të larta, më shumë se sa të mbaj mend për garat që kam zhvilluar, mendja shkon tek ato që do të bëj, në përmirësim nga të kaluarat. E rëndësishme është se nga gara në garë unë kam thyer disa rekorde kombëtare, prandaj të gjitha janë për t’u mbajtur mend, vetëm për mirë

Luiza Gega
Datëlindja: 5 nëntor 1988
Vendlindja: Dibër
Sporti që ushtron: Atletikë
Gara e preferuar: 3000 m/p
Gjatësia trupore: 159 cm
Pesha trupore: 45 kg
Periudha që garon: Nga viti 2003
Arsimimi: Shkolla e Mesme Sportive “Bernardina Qeramixhi”, Universiteti Sporteve Tiranë

REZULTATET TË LARTA
Në stadiume të hapura
Gara Koha Viti Vendi 
800 m 2:01,31 2014 Tbilisi
1500 m 4:02,63 2015 Doha
3000 m 8:53,78 2016 Elbasan
5000 m 15:46,89 2014 Tiranë
3000 m/p 9:28,52 2016 Amsterdam
Në salla të mbyllura
Gara Koha Viti Vendi 
800 m 2:02.27 2013 Pire
1500 m 4:06.89 2017 Stamboll
3000 m 8:52,53 2017 Ebone
ARRITJE TË LUIZËS
KAMPIONE E BALLKANIT
Në vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016 në garën e 3000 metrave me pengesa 
NËNKAMPIONE NË LOJËRAT MESDHETARE
Në vitin 2013 në garën e 1500 metrave
NËNKAMPIONE E EVROPËS
Në vitin 2016 në garën e 3000 metrave me pengesa
NËNKAMPIONE NË LOJËRAT UNIVERSITARE BOTËRORE
Në vitin 2013 në garën e 1500 metrave
VENDI I GJASHTË NË BOTË
Arritur në Sopod të Polonisë në vitin 2014 
MEDALJE E ARTË, KUPA E EVROPËS/ GRUPI C
Në vitet 2011, 2012, 2013, 2014, 205 dhe 2016
REKORDI BALLKANIK/ SALLAT E MBYLLURA
Në vitin 2016 në Stamboll, gara e 1500 metrave, koha 4:06.89 

Gara më e mirë
Për Luiza Gegën, në karrierën e saj të deritanishme ka edhe një garë të mirë. “Në Kampionatin Evropian të Atletikës që u zhvillua në qershorin e vitit 2016 në Amsterdam, unë arrita të shpallem nënkampione e Evropës në garën time të preferuar 3000 metra me pengesa. Me kohën 9:28,52, jo vetëm që u thye rekordi ynë kombëtar, por atë e përmirësova ndjeshëm. Ishte një garë e përgatitur mirë së bashku me trajnerin tim Taulant Stërmasi, njëherësh edhe një garë e menaxhuar mirë në gjithë metrat e saj”.
Gara zhgënjyese
Edhe Luiza nuk i ka shpëtuar zhgënjimit në garat që ka zhvilluar. “Po ju sjell si të tillë garën në Kampionatin Evropian të Atletikës për të Rritur që u zhvillua në vitin 2015 në Zyrih. Në 1500 metra kam arritur kohën 4:12.25, dhe kjo për fajin tim. Gabova gjatë garës, pasi mbeta në mesin e grupit dhe ndërkohë që po vinim drejt fundit dhe mua mu hap mundësia e shkëputjes, dallova që disa atlete kishin ikur. Mundësitë i kisha për më shumë, por duke qenë se gabova taktikisht gjatë garës, jam ndjerë e zhgënjyer”.
Trajneri Taulant Stërmasi: Ndjehem i shpërblyer nga Luiza
Nëse nuk do të kishim edhe emocionet e trajnerit Taulant Stërmasi, këto radhë për Luiza Gegën mund të ishin paksa të “thata”, jo vetëm se ai është “arkitekti” përgatitor e rezultativ në arritjet e Luizës, por edhe pse vetë Taulanti ka vite që trajnon kampionë, duke treguar nivel të lartë trajningu në atletikë. Për gazetën “Telegraf”, ai theksoi se është i shpërblyer absolutisht me ato rezultate që Luiza ka arritur nën drejtimin e tij. “Jo vetëm në garën e fundit që u zhvillua në Beograd, por nga të gjitha garat që Luiza ka bërë, sa përgatitemi bashkë, unë ndjehem absolutisht i shpërblyer për punën që kam bërë me të. Në të gjitha garat ka thyer vazhdimisht rekorde kombëtare dhe aktualisht është një nga atletet shqiptare më të nominuara në të gjithë historinë e atletikës sonë”, theksoi fillimisht trajneri Taulant Stërmasi, i cili për garën e fundit në Kampionatin Evropian për Sallat e Mbyllura në Beograd, deklaroi se ishte një rezultat shumë i mirë, dhe nuk mund të kërkohej më shumë prej saj. “Në Beograd, Luiza garoi në një garë jo të preferuar të saj, dhe u vendos që ajo të garonte në 1500 metra, sepse në sallat e mbyllura nuk zhvillohet gara e 3000 metrave me pengesa”. Por, për trajnerin “Kampion”,gara më e afërt është “Diamond Leauge” ku marrin pjesë 10 atletët më të mirë të Botës në garat respektive, dhe Luiza do të garojë në 3000 metra me pengesa. “Në Diamond Leauge, Luiza do të garojë në 3000 metra me pengesa e, nëse do të bëjë garë tjetër, do të jetë vetëm testuese për të. Këtu synojmë renditje të mirë e përmirësim të rekordit tonë Kombëtar”, përfundoi në deklarimin e tij Taulant Stërmasi, trajneri i atletes Luiza Gega, i cili duke përfituar nga festa e 8 mars sot, i uron edhe asaj më të mirën e suksese në jetë e në sport.
Sigal