Mbyllja e një sezoni me dritëhije pa shkëlqim!

490
Nga Agron KAJA
SKANER/ Dy javë pas mbylljes së topkëmbës 2016-2017, ja si kujtohen të veçantat që e bënë më të dobët garën
Sezoni futbollistik 2016-2017, ka pak ditë e ka mbyllur siparin e tij në të gjitha kategoritë e moshat, përjashtuar skuadrat kombëtare që janë në aktivitet. Por duke i futur edhe ato si pjesë e këtij skaneri, për një periudhë më shumë se dhjetë muaj, në të gjitha nivelet u luajt futboll me dritëhije e me mangësi, që nga infrastruktura, te organizmi, te drejtimi i skuadrave e klubeve, të cilët në përgjithësi prodhuan lojë, por sollën edhe situata nga më të ndryshmet, madje shumë prej tyre të përsëritura sezon pas sezoni. Në këtë sezon, më shumë spikatën dukuritë në Kategorinë Superiore dhe në Kombëtare, ndërkohë që në kategoritë e tjera, financat dhe infrastruktura ishin prezent regresi. Ja si ndahen të veçantat e sezonit, mes të cilave, progresi duket i ngadaltë. 
KATEGORIA SUPERIORE
Ndoshta duhet thënë që në fillim, se Kukësi u shpall për herë të parë Kampion në Superiore, dhe Tirana zbriti për herë të parë nga kjo kategori. Ndërkohë, Kategoria Superiore, e nisi dhe e mbylli sezonin 2016-2017 pa një top zyrtar të unifikuar, dhe një sponsor zyrtar. Më pas, sezoni për këtë kategori nuk nisi i mbarë për kampionët e Skënderbeut, pasi skuadra u dënua nga FIFA për dyshime në trukimin e disa ndeshjeve në Shqipëri dhe në Evropë, ndërkohë që Komisioni i Etikës në FSHF, u mblodh vetëm në muajin qershor 2017 për të dhënë një vendim. Paradoks apo qëllimisht kështu, kjo mbetet ende në ajër, ndërsa një pjesë e mirë e klubeve shqiptare ishin në kolaps financiar, dhe UEFA i dhuroi 1 milion euro pa asnjë motiv FSHF-së. Por, nëntë nga dhjetë klubet e Superiores, nuk ishin në dijeni të këtij fondi solidariteti, që u “zbardh” pas investigimeve në mediat sportive shqiptare. Dhe starti ishte i dyshimtë për Korabin debutues, i cili nuk kishte stadium, dhe për gjithë sezonin gjezdisi nëpër stadiume të ndryshme, herë me qira dhe herë për bamirësi. Mes kampionatit dhe Kupës, dukuritë ishin nga më të ndryshmet. Pas një jave shterpë vetëm me 1 gol (java e 4-ët, Skënderbeu-Luftëtari 1-0), duhet thënë se, situatë më të rënduar në këtë sezon kaloi Tirana, e cila përjetoi eksperienca negative, për herë të parë në historinë e saj. FIFA i bllokoi mundësinë për të ndërhyrë në merkato gjatë janarit, për shkak të një detyrimi të papaguar prej 5 mijë dollarësh ndaj futbollistit Kavdanski. Pas disa javësh me Ilir Dajën, erdhi Mirel Josa, trajneri gjashtë herë radhazi kampion me Skënderbeun. Ndërsa Daja kaloi te Skënderbeu dhe e renditi atë në vendin e tretë, Josa me Tiranën zbriti në Kategorinë e Parë, por më pas fitoi Kupën e Shqipërisë. Futbollisti Edeh u bë sulmuesi i vetëm në Superiore që ju anuluan thuajse gjysma e golave (shënoi 15), ndërsa skuadra për një vit nuk fitoi asnjëherë në transfertë, dhe në 36 ndeshje nuk u dha asnjë penallti në favor të saj. Në ndeshjen e fundit Vllaznia-Tirana, dy futbollistë nga skuadrat respektive, Bakaj te Vllaznia e Lika te Tirana, refuzuan të luanin kundër. Kjo ndeshje ishte përcaktuese dhe pas barazimit, Tirana zbriti në Kategorinë e Parë. Vetëm Luftëtari mbajti një trajner të huaj në bankinë dhe e mbylli gjithë sezonin me Milinkoviç, ndërkohë që Kukësi doli Kampion pa e ndryshuar trajnerin Gjoka. Ndërsa Partizani bëri të veçantën me daljen nga lufta për titullin, por që në ecurinë e garës, në staf pranoi Luçiano Moxhin, i cili nga drejtësia sportive italiane është përjashtuar përjetësisht nga aktivitete futbollistikë. Dhe në këtë skuadër, tre javë para mbylljes së Kampionatit, del në media video-skandali, ku një menaxher futbollistësh tenton të korruptojë Emiljano Vilën. Në këtë kampionat, dy javë para mbylljes ishin tre skuadra në luftën për Titullin Kampion, ndërkohë që lufta për mbijetesë vazhdoi deri në javën e fundit, dhe këtu u përfshinë 9 nga 10 skuadrat, pasi Korabi kishte tre faza që “vegjentonte”.
KATEGORITË E TJERA
Në Kategorinë e Parë, fillimisht ishte Besa për rekord, sepse ndërroi katër trajnerë në katër javët e para të kampionatit, ku Bekim Kuli qëndroi vetëm 24 orë, pa pasur mundësinë që të drejtojë qoftë edhe një minutë lojtarët në fushë gjatë një ndeshjeje. Në Grupin e Veriut të kësaj kategorie, ishin disa skuadra që administroheshin nga e njëjta Bashki, Kastrioti dhe Iliria nga ajo e Krujës, ndërsa Besëlidhja me Shënkollin nga ajo e Lezhës. Të katër klubet mbijetuan pa probleme, ndërsa Besëlidhja luajti deri në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen gjysmëfinale me Tiranën, FSHF-ja e transferoi në Kukës, pasi stadiumi i Lezhës nuk plotësonte kushtet e licencimit. Për herë të parë kampionati u zhvillua me tre faza, ku në të tretën, vetëm në javën e fundit u përcaktuan verdiktet: Kamza e Lushnja u ngjitën në Kategorinë Superiore, ndërsa Mamurrasi dhe Elbasani zbritën në Kategorinë e Dytë. Për ndeshjen “finale” me Lushnjen, Bylis merr trajner vetëm për një ndeshje, por as me Devollin nuk e mundi dot skuadrën lagunare. Duhet veçuar në këtë kategori, pasi në mbyllje u shty sfida Kamza-Besëlidhja, pasi dyshohej për akt terrorist. Për herë të parë në Shqipëri u fol për një shumë të konsiderueshme parash për shitjen e një klubi. Elbasani u ble nga anglezët për rreth 1 milion euro, por në fund të kampionatit preku pikën më të ulët në histori duke rënë në Kategorinë e Dytë. Ndërkohë që, Lushnja dhe Kamza u ngjitën në Superiore, por stadiumet e tyre nuk janë të licencuara për këtë kategori.
PERFORMANCA E ARBITRAVE
Kanë qenë “xhaketat e zeza” më të kontestuara nga presidentët e klubeve, nga lojtarët e trajnerët, dhe vetëm një fakt e bën edhe më të dukshëm performancën e dobët të tyre në këtë sezon që u mbyll. FSHF-ja e promovoi arbitrin Andi Koçi me stemën FIFA-s në muajin dhjetor 2016, ndërkohë që pesë muaj më vonë, për gabime skandaloze të tij, atij i hiqet kjo stemë. Presidenti i Skënderbeut ka akuzuar shpesh arbitrat për ndeshje të njëanshme, por FSHF-ja pak ka reaguar ndaj gabimeve të tyre. Duke mos pasur shumë besim te arbitrat shqiptarë, klubet kanë kërkuar vazhdimisht gjatë garës, që ndeshjet ti gjykonin arbitra të huaj, por që aplikimi u bë në pak raste, një herë edhe në Kategorinë e Parë. Edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zyrtarisht në media e pranoi, se gjyqtarët kanë përcaktuar disa ndeshje me gabimet e tyre. Këtë sezon u promovua ngritja e Akademisë së Arbitrimit.
DUKURI EKSTRA
Për herë të parë në Shqipëri, të paktën pas vitit 1997, në sezonin që u mbyll, u zbuluan dy tentativave për sulme terroriste. I pari ishte sinjalizimi që bënë shërbimet e huaja sekrete për akte terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael, e cila nga Shkodra u transferua në Elbasan. Rasti i dytë që u sinjalizua nga policia shqiptare, solli shtyrjen me 10 ditë të ndeshjes Kamza-Besëlidhja, e luajtur në të njëjtin stadium dhe në të njëjtat kushte. Në “derbin” Partizani-Tirana, u fikën dritat e stadiumit “Selman Stërmasi”, dukuri kjo që ishte shfaqur edhe në dy stadiume të tjera, por nuk kishin shtyrë zhvillimin e ndeshjeve. 
Dy skuadrat që bënë aleancë mes tyre gjatë edicionit, Tirana dhe Kukësi, morën dy trofetë më të rëndësishëm dhe ndërkohë do të diskutojnë edhe Superkupën mes tyre, ndërsa Dy nga tre klubet me stadiume të reja ranë nga kategoria (Tirana dhe Elbasani), ndërsa Vllaznia ishte gjithashtu shumë pranë rënies.
TIFOZËT E KRYEQYTETIT
Më “aktivë” në shkallët e stadiumeve, por edhe jashtë tyre, kanë qenë tifozët e Tiranës, Partizanit e më pak Skënderbeu e Vllaznia. Asnjëherë nuk kishte ndodhur që të braktisej skuadra, e këtë e bënë “Fanatiks’at” e Tiranës, që shpesh edhe bllokuan stërvitjet e skuadrës apo dhunuan lojtarët, pas marrëveshjes së Refik Halilit me Gazmend Demin e Partizanit, që të luheshin ndeshjet e tyre në stadiumin “Selman Stërmasi”. Më pas, kujtohen trazirat në stadium gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu, ku tifozët mjekohen në fushë, dhe tre muaj më pas, tifozja e plagosur fillon punë në TVSH.
GOLASHËNUESI MË I MIRË
Pero Pejiç i Kukësit u shpall kryegolashënues me 26 gola, duke ja marrë garën Hamdi Salihit, i cili në këtë sezon nuk do të mbahet mend më shumë për golat, se sa për grisjen e kartonit të kuq në ndeshjen me Kukësin, ku doli nga fusha dhe u fut sërish në lojë.
Sigal