Sigal

Ka përfunduar me “happy end” makthi i aktivizimit të futbollistit të Partizanit, Lorenc Trashi. Tashmë mbrojtësi i majtë do të jetë nën komandën e trajnerit Skënder Gega për takimin e së premtes me Tiranën. Ditën e djeshme Komisioni i Disiplinës në FSHF është treguar tolerant teksa ka vendosur që Lorenc Trashi të dënohet vetëm me gjobë, duke anashkaluar vendime të tjera më të rënda. Në vendimin e Komisionit të Disiplinës thuhet: “Lojtari i FK “Partizani”, Lorenc Trashi, për sjellje jo sportive ndaj publikut në përfundimin të ndeshjes Flamurtari – Partizani, në bazë të Nenit 15 të KDS, dënohet me gjobë me vlerë 50.000 (pesëdhjetëmijë) lekë”.

Rastet analoge kanë qenë të prera për Komisionin e Disiplinës, teksa për veprime të tilla në bazë të nenit 153 të Kodit të Disiplinës Sportive gramshioti mund të dënohej nga Komisioni i Disiplinës me dy ndeshje pezullim. Neni 53 i Kodit të Disiplinës Sportive që parashikon, se kushdo që provokon publikun gjatë një ndeshjeje do të dënohet me pezullim nga gara për 2 (dy) ndeshje, si dhe me gjobë me vlerë jo më pak se 500,000 (pesëqind mijë) lekë. Çuditërisht rasti “Trashi”, edhe pse është brenda “mbulimit” të këtij neni apo sjelljeje nuk është në atë “nen” të Komisionit të Disiplinës, që e ka toleruar futbollistin edhe në rastin kur dënohet me dy ndeshje pezullim, por edhe në rastin alternativ atë të dënimit me 500,000 (pesëqind mijë) lekë. Ndoshta sjellja jo sportive e mbrojtësit ka qenë sa 10% e vlerës së antisportivitetit… ?!

Rëndësia e këtij takimi e ka bërë po kaq tolerant sa edhe Komisionin e Disiplinës, stafin e ekipit të Partizanit që, së paku deri tani është treguar tepër fanatik në vlerësimin e shkeljeve të rregullave dhe disiplinës brenda ekipit, pse jo, duke qenë më e ashpër se vetë Komisioni i Disiplinës. Gjithsesi “Komisioni i Disiplinës” së Partizanit ende nuk e ka thënë fjalën, edhe pse një “fjalë” është parathënë, futbollisti po stërvitet në formacionin e ekipit që do të jetë përballë Tiranës!

Kështu Partizani duhet të gëzohet për këtë lajm, pasi do të ketë në dispozicion një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, për ndeshjen e së premtes ndaj Tiranës.

Stërvitjen e ditës së djeshme e ka ndjekur edhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, i cili ka mbajtur edhe një fjalim para skuadrës, duke kërkuar përqendrim maksimal dhe sforcim për të fituar “derbin”, që edhe për tifozët vlen jashtëzakonisht.

Për “derbin” Partizani me shumë gjasa do të duhet të bëjë pa portierin Alban Hoxha, i cili edhe nga klubi mund të marrë ndonjë ndëshkim, pas 2 ditëve të kaluara në polici për ngarje makine në gjendje të pirë.