Mbrojtësi i Barcelonës, Piquè: Askush nuk më largoi nga Spanja, ishte një vendim të cilin e mora vetë

493
Sigal

Gazeta Telegraf/ Mbrojtësi
i Barcelonës foli rreth vendimit për t’u larguar nga përfaqësuesja e Spanjës.
Një zgjedhje e bërë publike menjëherë pas fitores së “La Roja”-s në “Loro
Boriçi” përballë Shqipërisë. Akuza se kishte prerë mëngët e fanellës në Shkodër
për të hequr simbolet e vendit, edhe pse u hodhën poshtë nga federata, ishte e
fundit e një serie të gjatë polemikash rreth mbrojtësit katalan.

“Nuk e ndryshoj vendimin për t’u
larguar nga përfaqësuesja spanjolle. Kam lexuar se do të ndikohesha nga
Twitter, nga gazetat apo nga marioneta e Florentino Perez, drejtori i faqes ‘Ok
Diario’, Eduardo Inda. Por, kjo nuk do të ndodhë”. Pike sqaroi zgjedhjen
për t’u larguar nga ish-kampionët e botës dhe Europës, menjëherë pas Botërorit
Rusi 2018.

“Nuk kisha ndërmend ta komunikoja
zgjedhjen time në atë moment, por u krijua një situatë e tillë që preferova ta
thoja menjëherë. Askush nuk më largoi, ishte një vendim të cilin e mora vetë.
Mendoj se pas 10 vjetësh është koha e duhur për t’u larguar. Do të jem në
dispozicion të trajnerit, që nëse kualifikohemi dhe do ta vlerësojë të drejtë,
të më grumbullojë. Pas Kupës së Botës nuk do të luaj më në Kombëtare. Është
koha për të parë përpara dhe t’i liroj vendin brezave të rinj”, – shton
mbrojtësi i Barcelonës.

Ai zbuloi edhe një prapaskenë, me
vendimin që kishte kohë që qarkullonte në kokën e tij. “Pas Botërorit 2014
mendova seriozisht të tërhiqesha nga futbolli, të largohesha nga Barcelona dhe
nga përfaqësuesja. Nuk kisha më stimuj për të vazhduar dhe këtë ia kisha
komunikuar trajnerit Del Bosque. Më pas erdhi Luis Enrique që më bindi. Më bëri
të ndihesha komod dhe tashmë jam më i kompletuar se asnjëherë. Objektivi im
është të luaj sa më shumë vite në këtë nivel”.