Mbijetoi vetëm dy ndeshje në Kinë, ish-trajneri i Partizanit mbetet i papunë

538
Ish-trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, duhet të fillojë të kërkojë shumë shpejt një sistemim të ri, pasi aventura e tij e fundit në Kinë, te Vuhan Zall, është mbyllur pa filluar mirë.
Pas largimit nga klubi kryeqytetas, Sormani nuk vonoi të gjente shpejt një klub të ri, pasi iu bashkua stafit të Çiro Ferrarës në kampionatin kinez të futbollit. Ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Italisë drejtonte Vuhan Zall në kategorinë e dytë kineze dhe Sormani, bashkë me Xhovani Macela që e ndiqte hap pas hapi në aventurën shqiptare, në fundin e janarit udhëtuan drejt Azisë.
Por gjërat nuk shkuan ashtu siç pritej dhe Vuhan Zall, në dy ndeshjet e para të sezonit, pësoi dy humbje radhazi. Kaq u mjaftoi drejtuesve të skuadrës për të dekretuar se projekti i Çiro Ferrarës ishte i dështuar dhe ai iu shkarkua nga detyra, bashkë me stafin e tij.
Kësisoj, Sormani dhe Macela po bëjnë gati valixhet për t’u kthyer në Europë, në kërkim të një skuadre të re dhe një projekti të suksesshëm, duke llogaritur se ato të muajve të fundit janë mbyllur me dështime.
Sigal