Mbarëkombëtari tregoi drejtimin profesional të notit shqiptar

Nga Arian FETISHAJ

OPINION/ Pas një eventi të parë në sportin e ujit në Shqipëri, vlerësimet dalin lirshëm për garat e zhvilluara dhe më gjerë 

Gjatë gjithë garave, të paktën unë si trajner i ekipit Tirana, jam ndjerë i emocionuar nga organizimi dhe mbarëvajtja, pasi punojmë shumë me sportistët në bordin e pishinës, dhe fryti i rezultateve tona ishte ky aktivitet që organizoi e zhvilloi FSHN-ja

Sporti i bukur i Notit, për të cilin tashmë vlerësimet dalin lirshëm, me Kampionatin Mbarëkombëtar që zhvilloi në Durrës, e meritoi atë pishinë me standarde dhe një aktivitet mbarëkombëtar si asnjëherë tjetër. Të shkruash për një event që nuk e ke prekur më parë në këtë sport, si ky Mbarëkombëtar, natyrisht që veç optimizmit, është edhe një detyrim sa profesional aq edhe njerëzor. Për tre ditë me radhë, Durrësi, qyteti mikpritës i aktivitetit, tregoi edhe një herë tjetër qytetarinë e këtij sporti, pa harruar edhe historinë, pasi aktiviteti i parë i notit në Shqipëri është zhvilluar pikërisht në këtë qytet. Pjesëmarrja në Kampionatin Mbarëkombëtar të Notit ishte e madhe dhe cilësore, ku u pa qartë që te bateritë e zhvilluara në shumë disiplina, të cilat ishin të plota. Gjatë gjithë garave, të paktën unë si trajner i ekipit Tirana, jam ndjerë i emocionuar nga organizimi dhe mbarëvajtja, pasi punojmë shumë me sportistët në bordin e pishinës, dhe fryti i rezultateve tona ishte ky aktivitet që organizoi e zhvilloi FSHN-ja. Pra, me pak fjalë, gjatë këtij Mbarëkombëtari jemi ndjerë siç shprehemi zakonisht me shaka: si “jashtë shtetit”. Këtu nuk mund të mohohet edhe kontributi i Kosovës në këtë aktivitet, dhe në veçanti sekretari i kësaj federate, Astrit Haliti, i cili tregoi se po punon shumë në promovimin e sportistëve dhe për infrastrukturën e kësaj federate. Sikundër ai e menaxhoi gjithë këtë Kampionat Mbarëkombëtar, në pishinë gjatë garave dhe jashtë saj, mendoj se është shembull për tu ndjekur edhe nga federata jonë. Gjithsesi, ajo që vlen të përmendet më pas, është edhe bashkëpunimi i mirë që kanë të dyja federatat tona, bashkëpunim për të cilin le të shpresojmë që të jetë i tillë edhe në aktivitete të tjera. Me syrin e një trajneri, vura re që me matësit elektronikë u eliminuan shumë keqkuptime në rezultatin final të sportistëve, dhe ata ndiheshin shumë të motivuar në gara. Edhe pse me shumë sportistë, garat nuk patën vonesa, vlerësimi i sportistëve në podiume ishte madhështore, gjithçka ashtu siç e meriton ky sport. Nëse do të shtrihesha më gjatë, për rezultatet e skuadrave dhe sportistëve në këtë aktivitet, progresi u prek nga të gjithë konkurruesit, si në gara, në kohët e tyre në tabelat elektronike, edhe medaljet e diplomat e dhëna në podiume, si edhe në kupat e skuadrave e të notarëve. Më duhet që të veçoj edhe një tjetër detaj mediatik, të cilin unë e quaj shumë të rëndësishëm. Gjatë tre ditëve të Kampionatit Mbarëkombëtar të Notit në Durrës, pamë gjithçka të renditur mirë në gazetën “Telegraf”, dhe ajo që me ngelet, është ti them suksese të gjithëve atyre që e drejtojnë e menaxhojnë këtë gazetë, që në këtë rast, ka sfiduar shumë media të profilit sportiv në vendin tonë. Të gjithë aktorët e faktorët në këtë event, dhuruan bukurinë e sportit të notit dhe nota ime është maksimale. Kësisoj, unë ndjehem i motivuar për gjithçka do bëjmë ne si trajnerë, që ky sport të ketë pjesëmarrje shumë më të gjerë dhe të fitojë respektin e të gjithëve, në marrëdhëniet sportist-trajner-prindër-drejtues të federatës, e kushdo që ka një copëz të jetës në sportin e Notit. Duke parë se ky sport në Shqipëri po merr përkujdesje e drejtim serioz me perspektivë të mirë nga FSHN-ja, ndjej një detyrë tjetër e rëndësishme, që ti transmetoj djalit tim, Keis Fetishaj, profesionin e bukur të instruktorit të notit, ashtu siç kam bërë ndër vite me sportistët e klub Tiranës. Ky sport ka nevojë për sa më shumë trajnerë e instruktorë të rinj, vetëm kështu mundemi ta bëjmë këtë sport masiv dhe cilësor. 

#Trajner noti, ekipi Tirana