Mavraj: Mbrojtja shtylla e Kombëtares, ja dallimi mes De Biazit dhe Panucci-t

709
Në konferencën për shtyp të Kombëtares ditën e sotme është paraqitur mbrojtësi Mërgim Mavraj. Futbollisti i cili luan në Gjermani ka deklaruar se reparti difensiv ka qenë shtylla e Kombëtares, ndërsa lidhur me krahasimin që bëhet shpesh ndërmjet De Biazit dhe Panucci-t Mavraj shprehet se trajneri aktual është më entuziast dhe i përjeton shumë situatat dhe rezultatet
Siguria në mbrojtje?
“Për mbrojtjen kemi folur shumë dhe kemi dëshmuar se porta dhe mbrojtja kanë qenë shtylla të Kombëtares. Me rivalë të fortë kemi ditur të dalim mirë dhe me lojtarët që kanë ardhur mund të përmirësohemi edhe më shumë ne ‘të vjetrit’.”
Kapiteni?
“Një ekipi të suksesshëm i duhen 11 liderë dhe jo vetëm ai që mban shiritin. Çdo lojtar duhet të mbajë përgjegjësi dhe në ekipin tonë ka shumë nga ata që duan të përmirësohen. Grupi nuk është përfundimtar, por jemi në fillim të zhvillimit tonë dhe kjo është vetëm ndeshja e dytë miqësore. Kemi kohë për të krijuar një ekip dhe sot mund të lihet njëri jashtë, ndërsa nesër një tjetër.”
De Biazi dhe Panucci?
“Dallimi më i madh është mosha e tyre. De Biazi ka qenë më i qetë, ndërsa Panucci është më entuziast dhe i përjeton shumë situatat dhe rezultatet. Ai flet me të gjithë dhe mundohet me mish e me shpirt t’i përjetojë gjërat ashtu si ne. Duhet të kontribuojmë shumë për të pasur sukses.
Në futboll nuk ka mirë ose keq, por ka vetëm sukses. Në fund është rezultati ai që vlen. Tani kemi më shumë eksperiencë dhe kemi më shumë guxim. Them që kontributi i De Biazit na ka ndihmuar shumë.”
Abazaj dhe Gavazaj?
“Është një shans shumë i madh për ta dhe ne gjithmonë kemi qenë në një situatë të tillë dhe duhet t’i ndihmojmë për të hequr emocionet. Ata kanë krijuar vetëbesim dhe siguri.”
Kontigjenti?
“Kemi një grup të mirë dhe nga njëra ditë në tjetrën mund të programohen shumë skena. Nëse një herë mundesh, kjo do të thotë se ajo që ke zgjedhur nuk ka funksionuar. Ne kemi shumë lojtarë dhe konkurrencë të madhe.

Eliminatoret?
“Nuk e shoh të ardhmen, por e kaluara na ka treguar se nëse paraqitemi siç duhet, mund të fitojmë gjithmonë, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë.”
Sigal