Sigal

Pas polemikave të shumta, të shkaktuara nga vendimi paraprak për të shtyrë me një afat të pacaktuar ndeshjen mes Laçit dhe Skënderbeut, për mungesë stadiumi, më në fund ka ardhur edhe zgjidhja. Ky takim do të luhet normalisht këtë të mërkurë, në orën 14:00, në stadiumin e kryeqytetit, “Selman Stërmasi”, vetëm 20 orë pasi në të të luhet sfida mes Tiranës dhe Kukësit.

Sfida është e vlefshme për javën e 12 të kampionatit, por punimet në stadiumin e Laçit dhe vështirësitë në gjetjen e një fushe tjetër, bënë që fillimisht ky takim të shtyhej për një afat të pacaktuar. Kjo shkaktoi reagim të menjëhershëm, veçanërisht të klubit të Flamurtarit, që do të udhëtojë në fundjavë drejt Korçës dhe e komentoi shtyrjen e sfidës si një favor që po i bëhet skuadrës së Skënderbeut. Me një njoftim në faqen e saj, FSHF ka bërë të ditur se takimi do të luhet në mesjavë, të mërkurën, në Tiranë. “Sektori i Garave, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit njofton median dhe opinionin futbolldashës se ndeshja Laçi-Skënderbeu do të zhvillohet ditën e mërkurë në kryeqytet, në stadiumin “Selman Stermasi” ora 14:00.

Përballja, Laçi-Skënderbeu, e vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë Superiore do të zhvillohet në datën 7 nëntor”, njoftoi sot FSHF, duke mbyllur këtë raste të paprecedent.