Sigal

Mediat italiane raportojnë se presidenti i Komitetit Kombëtar Olimpik të Italisë, Giovanni Malago, si dhe nën-sekretari për Sport, Giancarlo Giorgetti, janë duke bërë shtytje që Beppe Marotta, shefi ekzekutiv i Juventusit të garojë për president të Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC).

FIGC është pa president të përhershëm që prej se Carlo Tavecchio dha dorëheqje pas dështimit të Italisë për ;tu kualifikuar në Kupën e Botës, me Roberto Fabbricinin që është emëruar president i përkohshëm, transmeton Express.

Një takim për të gjetur presidentin e ri është thirrur për 22 tetor, i cili për t’u zgjedhur duhet t’i fitojë 73 për qind të votave të këshillit federal.

Sot, mediat italiane si La Stampa, Corriere dello Sport dhe Corriere della Sera raportojnë se Malago dhe Giorgetti duan që Marotta të jetë kandidat pë president.

Derisa ky rol i intereson Marottas në princip, ai do të preferonte të kandidojë më vonë dhe do të dëshironte përkrahje më të gjerë nga ligat më të ulëta dhe lojtarët para se të vendosë për të kandiduar.