Marko Materaci thumbon Juven: Pa Champions, është dështim!

408
Sigal

Marko Materaci, mbrojtësi i “çmendur” i Interit dhe i Kombëtares së Italisë, ka folur për EuroSport duke përmendur shanset e Juventusit për të fituar Ligën e Kampioneve, natyrisht pa kursyer shigjetimet ndaj bardhezinjve.

“Juvja çdo vit në Champions është e fortë dhe e ka obsesion këtë trofe. Kur fiton shumë në Itali duhet të bësh ndonjë hap më shumë në Champions. Këtë vit kanë marrë një lojtar që nuk ka të dytë në nivelin e tij dhe e kanë marrë pikërisht për këtë objektiv. Në Itali askush nuk është në gjendje t’u heqë atyre titullin kampion. Ata janë të pajisur më mirë këtë vit, kanë lojtarë që luajnë bashkë prej vitesh dhe kanë Ronaldon, që duhet të bëjë pjesën e tij.

Problemi qëndron nëse nuk e fitojnë sepse nëse nuk e fitojnë do të jetë një dështim. Kur merr atë që së bashku me Mesin është më i forti në botë, është e drejtë të presësh triumfin në Champions. Unë e shoh Ronaldon nga jashtë, ka mentalitet. Por unë jam interist dhe nuk mund të bëjë tifo për Juventusin, nëse e fitojnë do t’i komplimentoj sepse jam italian, por mos më kërkoni që të bëj tifozllik për ta”.