Mark Iuliano: Alban Hoxha çështje e mbyllur, Kukësin ta kalojmë me sukses

624
Nga Agron KAJA
PARTIZANI-KUKËSI/ Trajneri italian i Partizanit, e ka prezantuar situatën e skuadrës së tij si normale para sfidës së sotme, serbi i kuksianëve, në gazetën “Telegraf”, duket se “ndez” më shumë sfidën
Një ditë para ndeshjes së sotme me Kukësin, trajneri i Partizanit Mark Iuliano, ka dalë në konferencë për shtyp, në të cilën foli për gjendjen e skuadrës së tij para kësaj sfide, njëherësh edhe për problematikat që të kuqtë kanë aktualisht, me referim kryesor portierin Alban Hoxha. Njëherësh, italiani i bankinës së Partizanit, ka dhënë edhe sinjale për formacionin titullar që do të zbresë sot në fushën e lojës, duke përjashtuar vetëm mbrojtësin Fejzullahu të dëmtuar në Kuçovë, të gjithë sipas tij do të jenë në fushë, me dyshen e sulmit Sukaj-Çani.
Pas kësaj periudhe këtu në Shqipëri, si e shikoni futbollin shqiptar?
Sinqerisht ju deklaroj se, futbolli shqiptar është më i fortë sesa unë e imagjinoja. Ka skuadra shumë të mira, dhe për këtë jam i kënaqur, sepse konkurrenca e fortë rrit gjithmonë nivelin e futbollit. Kjo gjë më kënaq dhe më imponon të punoj akoma më shumë, sepse e shikoj që nuk është vetëm futboll fizik, por ka edhe cilësi, çdo skuadër mund të të hapë probleme.

Si e keni përgatitur skuadrën, e më tej, cili është vlerësimi për ndeshjen me Kukësin?
Me Kukësin, është një ndeshje shumë e vështirë, një nga ndeshjet më kryesore të futbollit shqiptar. Ne jemi përgatitur për ta kaluar me sukses këtë takim, edhe pse vijmë pas një rezultati zhgënjyes ndaj Laçit. Ajo që më jep qetësinë e duhur është se në skuadër ka lojtarë mjaft cilësorë, të cilët kanë punuar shumë. Ata i kanë aftësitë dhe cilësitë për ta kaluar këtë moment. 

Gjatë kësaj jave keni pasur debate edhe për portierin Alban Hoxha, cila është situata më e fundit?
Albani është një lojtar shumë i rëndësishëm , është njëkohësisht një lojtar cilësor dhe pjesë e Kombëtares shqiptare. Dhe, ky problem është zgjidhur edhe falë reagimit dhe inteligjencës së tij përballë klubit dhe shokëve të skuadrës. Tani quhet një çështje e mbyllur, ndërsa portieri bëri zgjedhjen e tij, duke dorëzuar shiritin e kapitenit. Në klub ka një hierarki dhe tashmë shiriti i kapitenit i kalon Bathës.

Përpos mungesave të tjera që mund të keni, do të rikthehet Alban Hoxha në portë?
Patjetër që po, do të jetë titullar në sfidën me Kukësin, ndërsa dëmtimi i Fejzullahut është një humbje e madhe, pasi ai është një lojtar cilësor. Në skuadër kemi mjaft alternativa dhe jam i qetë për sa i përket zëvendësuesit të tij.

Në ndeshjen e Kupës ndaj Naftëtarit, mesfushori Adorjan u pa i lodhur, si është gjendja e tij para ndeshjes me Kukësin?
Adorjan do të jetë i gatshëm në këtë ndeshje, ndërsa ka kaluar disa momente lodhjeje. Stafi mjekësor ka monitoruar me kujdes futbollistin gjatë këtyre ditëve, ai ka zhvilluar një program disi të veçantë nga grupi tjetër i skuadrës. Mendoj do të jetë i gatshëm në ndeshjen ndaj Kukësit. 

Në repartin e mbrojtjes, kryesisht ndaj Laçit, janë shfaqur mangësi, çfarë keni rikuperuar në këtë repart?
Mbrojtja ka qenë pika më e fortë e Partizanit, ndërkohë që në dy ndeshjet e para: Kampionat-Kupë kemi pësuar 4 gola. Më shumë sesa gabime të repartit mbrojtës, mendoj se ato kanë qenë gabime individuale, për të cilat them se duhet të përmirësohemi.

Në skuadër keni dy sulmues të mirëfilltë: Sukaj dhe Çani, cila është gjendja e tyre para ndeshjes me Kukësin?
Tashmë vlerat e tyre njihen dhe, si Sukaj ashtu edhe Çani, janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për Partizanin. Çani po fiton pak nga pak formën e tij më të mirë dhe do të jetë i gatshëm për këtë sfidë dhe këtë do ta vlerësoj deri në minutën e fundit kur të vendos formacionin. Ne do kërkojmë të shënojmë, por duhet të bëjmë kujdes në mbrojte, të mos gjendemi të papërgatitur.
Sukaj dhe Çani, janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për Partizanin. Çani po fiton pak nga pak formën e tij më të mirë, por këtë do ta vlerësoj deri në minutën e fundit, kur të vendos formacionin
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e dytë
Të shtunën, 16 shtator 2017
Flamurtari-Lushnja 3-1
Shënues: Alvesh 38’, 
Bushiç43’, Musta77’/Gava31’
Të dielën, 17 shtator 2017 
Laçi-Luftëtari 0-1
Shënues: Abazaj 61’
Vllaznia-Teuta 0-1 
Shënues: Çyrbja 70’
Sot, 18 shtator 2017 
Kamza-Skënderbeu 16:00
Partizani-Kukësi 19:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 1 3
2.Vllaznia 2 3/
3.Teuta 2 3/
4.Laçi 2 3
5.Kukësi 1 3
6.Flamurtari 2 3
7.Luftëtari 2 3
8.Partizani 1 0
9.Kamza 1 0
10.Lushnja 2 0
Sigal