Marcio Sampaio: “Jam fajtor, jap dorëheqjen!”

507
Sigal

Trajneri portugez i Partizanit: “Është përgjegjësia ime”. Tifozët e kuq në kor: “Ik, ik, ik!”

Trajneri portugez i Partizanit, Marcio Sampaio, pranoi përgjegjësinë e humbjes ndaj Skënderbeut (1-2), pas një goli të pësuar në minutën e 94-t, duke dhënë dorëheqjen nga skuadra e kuqe. “Faji është i mi. Vetëm i imi, për gjithçka që ndodhi në këtë takim. Lojtarët nuk kanë asnjë përgjegjësi. Kemi shumë pak shanse për të luajtur në Europë. Kjo ishte ndeshja e fundit në stolin e Partizanit, jap dorëheqjen”, – tha Sampaio për “Telegraf”. Pas ndeshjes, tifozët e kuq thirrën në kor: “Ik, ik, ik!”, kur trajneri portugez shkoi për t’i përshëndetur ata.

  – Sampaio, pas humbjes me Skënderbeun, Partizani është thuajse jashtë Europës. Çfarë do të ndodhë tani?

– Sigurisht që, faji është i mi. Vetëm i imi, për gjithçka që ndodhi në këtë takim. Lojtarët nuk kanë asnjë përgjegjësi. Kështu, unë jam i vetmi që merr përgjegjësi për atë që ndodhi në fushë. Unë jam lideri. Sigurisht, sikur ne të kishim marrë një rezultat tjetër dhe ne i patëm shanset, do të ishte një tjetër situatë. Por, tani ajo ndodhi dhe mua më duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë. Dhe e theksoj se, komplet faji është i imi dhe marr të gjitha pasojat e këtij rezultati.

– Si do ta komentonit humbjen, edhe pse Partizani pati shumë raste për të shënuar dhe fituar takimin?

– Po, ne patëm raste, por nuk shënuam. Ne fituam një penallti dhe nuk shënuam. Kishim një rast thuajse brenda portës dhe nuk realizuam. Për me tepër që ne arritëm ta barazonim ndeshjen, por sërish pësuam gol në minutat shtesë. Çfarë mund të them më shumë!

Kështu që, dua ta përsëris së e gjitha përgjegjësia është e imja dhe do ta mbaj atë.

– Ka mbetur edhe një ndeshje nga përfundimi i kampionatit. Partizani do të luajë javën e fundit me Lushnjën, e rënë nga Superliga. A mendoni se ka përfunduar gjithçka për Europën?

– Në këtë moment ne kemi vetëm një ndeshje, por jo gjithçka varet nga ne, pasi dhe rivalët tanë direktë fituan, përfshirë Laçin dhe Teutën. Por, unë nuk e di se çfarë mund të ndodhë në ndeshjen e fundit, pasi unë sot (dje) do të flas me Presidentin (Gaz Demi) dhe unë kam vendosur të largohem nga Partizani.

– Keni vendosur të jepni dorëheqjen si trajner?

– Po, unë nuk mund të bëj dot më për këtë ekip. Unë jam i vetëdijshëm se, do të kem pasoja për këtë gjendje. Lojtarët bën gjithçka për ta fituar ndeshjen, por ata nuk e fituan atë. Unë jam përgjegjës për këtë. Nuk është e pamundur, por ne tashmë kemi më shumë vështirësi për të kapur një vend në Europë. Por, pa një fitore ne nuk do të kemi më shanse për ta bërë këtë realitet.

– A ishte ndeshje kundër Skënderbeut, e fundit në stolin e Partizanit për ju?

– Po, për mua po.

– Si një trajner, apo dhe si pjesë e stafit?

– Si trajner dhe si pjesë e stafit.

– A është ky një vendim që e morët pas humbjes së kësaj ndeshjeje, apo e kishit menduar edhe më parë?

– Për bazë është kjo ndeshje, por në fakti ne nuk fituam kundër Teutës, kundër Laçit, të cilët ishin rivalët tanë kryesorë. Kur nuk fituam edhe në këtë ndeshje, atëherë unë nuk mund të ndihem më komod më këtë ekip. Ne patëm, shumë shanse për ta fituar këtë ndeshje, por ne morëm rezultatin më të keq të mundshëm. Unë jam përgjegjës për të marrë rezultate të mira, por rezultatet e mira nuk erdhën.

– A keni folur me presidentin Demi në lidhje me dorëheqjen tuaj?

– Jo, do të flas më vonë, por unë e kam vendosur tashmë. Nuk do të jem më, trajneri i Partizanit.

– Sampaio, iu e drejtuat Partizanin në nëntë ndeshje pa humbje, ndërkohë që pësuat tri humbje në pesë takimet e fundit me Teutën, Laçin e Skënderbeun. Çfarë ndodhi më ekipin?

– Unë e theksova, se jam unë përgjegjësi. Por, shikoni, kur një trajner aplikon një strategjie kërkon një strategji për ta fituar ndeshjen. Nëse jo, atëherë ka disa probleme. Ndoshta ekipi ka nevojë për një ndryshim në drejtim.

– Sampaio, a i keni zbuluar pikat e dobëta të këtij Partizani?

– Kjo mund të ishte një pyetje, për një bashkëbisedim të gjatë për një kohë tjetër, por tashmë e kam marrë vendimin tim. Nuk do të jem më trajner i Partizanit.

 Penalltia fatale e Memellit

 Partizani i kishte të gjitha shanset, për ta mbyllur me sukses supersfidën një Skënderbeu jo shumë aktiv, por fati nuk ishte as me të kuqtë dhe as me goleadorin Migen Memelli, e sigurisht as dhe me trajnerin portugez Marcio Sampaio. Në minutën e 54’ të takimit Partizani ka pasur një rast të artë për të shënuar edhe golin e avantazhit, por nuk e ka arritur një gjë të tillë. Shkëmbi ka kthyer një top të diskutueshëm për te Shehi. Ky i fundit del ndërsa më i shpejtë është Memelli i cili pengohet nga portieri i korçarëve. Kryesori Jorgji nuk ka asnjë dyshim dhe akordon 11-metërsh për të kuqtë. Memelli merr përsipër realizimin e tij, por sulmuesi që ka arritur të shënojë gjashtë gola në gjysmën e dytë të sezonit, nuk ka arritur të shënojë edhe pse Shehi është hedhur në krahun e kundërt nga ka shkuar topi. Memelli e ka nxjerrë sferën jashtë duke i hequr mundësinë e artë të kuqve për të kaluar në avantazh. Në rast se Memelli do të kishte shënuar këtë gol, atëherë situatat për të kuqtë do të kishin shkuar ndryshe.

 Golat

 0-1

86’ Shkëmbi arrin të kontrollojë një top brenda zonës së kuqe dhe gjuan saktë duke mposhtur portierin Hoxha.

 1-1

89’ Pliska jep një asist brenda zonë për Mazrekaj i cili përfiton edhe nga një hutim i mbrojtjes korçare dhe arrin të shënojë.

1-2

90’+4’ Rrahmani nuk kthen siç duhet një top te portieri Alban Hoxha dhe Pejiç përfiton dhe shënon me portën e boshatisur.

  Trajneri i Skënderbeut: “Luajtëm lirshëm, nuk mund të jap garanci nëse fitojmë ndaj Laçit”

 Mirel Josa: “Partizani luajti gjithë ankth”

 Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, pranoi faktin se, Partizani edhe mund të kishte dalë me pikë nga takimi në “Qemal Stafa”, madje në rast se të kuqtë do të kishin shënuar ndeshja mund ta kishte marrë tjetër drejtim. “Ne luajmë lirshëm, ndërsa Partizani gjithë ankth. Gjithsesi, unë besoj se humbja e penalltisë e dëmtoi Partizanin, pasi po të ishte në avantazh loja do të shkonte ndryshe”, – tha ai pas ndeshjes. Skënderbeu ka në dorë edhe faktin nëse Partizani do të shkojë në Europë apo jo, pasi kampionët do të presin Laçin në Korçë. “Nuk mund të jap garanci do të fitojë skuadra apo jo, por që ajo do të shprehet e lirshme në lojën e saj”, – tha Josa.

 – Mirel, një tjetër fitore pas fitimit të titullit kampion. Kësaj here me Partizanin. A e prisnit atë?

– Ne i kishim plotësuar qëllimet tona, përsa i përket kampionatit. Skuadra erdhi në Tiranë, për të luajtur lirshëm, pas festimeve që ka bërë gjatë gjithë kohës për fitimin e titullit.

– Pse fitoi Skënderbeu?

– Ishim të vendosur mirë taktikisht dhe lojtarët e bënë punën e tyre normalisht.

– A ndjetë presionin e Partizanit?

– Normale, pasi Partizanit i bënte punë vetëm fitorja. Lojtarët patën  shumë ankth dhe nuk mund të luante lirshëm. Gjithsesi, unë besoj se humbja e penalltisë e dëmtoi Partizanin, pasi po të ishte në avantazh loja do të shkonte ndryshe. Gjithsesi, nuk mund të flas më tepër për këtë ndeshje. Më intereson që, të mbyllet sa më shpejt kampionati. Edhe një javë punë kemi dhe më pas do të bëjmë llogaritë, për të ardhmen.

– Josa, në një farë mënyre, Skënderbeu ka në dorë edhe faktin nëse Partizani do të shkojë në Europë apo jo, pasi skuadra juaj do të presë Laçin në Korçë. Të dyja skuadrat ndahen vetëm nga një pikë. Çfarë Skënderbeu do të presim kundër Laçit?

– Unë nuk mund të them se, çfarë Skënderbeu do të presim kundër Laçit. Ne na intereson që, në fushën tonë kundër Laçit skuadra të luajë futboll atë që bëri edhe sot (dje kundër Partizanit). Nuk mund të jap garanci do të fitojë skuadra apo jo, por që ajo do të shprehet e lirshme në lojën e saj. Pastaj, sesi del rezultati shumë pak më intereson.

– Mirel, ju jeni një trajner që keni fituar tre tituj kampion, dy me Skënderbeun dhe një me Tiranën, duke u futur tashmë te emrat elitarë. Çfarë kënaqësie ka Josa, kur rreshtohet përkrah emrave më të mëdhenj të trajnerëve fitues?

– Nuk më ka shkuar kurrë ndërmend kjo gjë. Dua të keni një gjë parasysh, unë nuk dua të jetoj me atë çfarë kam bërë më përpara. Thjesht, më intereson të vazhdojë punën në të ardhmen. Siç duket do të vazhdojë te Skënderbeu. E kam thënë edhe një herë tjetër, historia në futboll nuk ka shumë rëndësi. Mund të ketë një histori personale, por ju e dini shumë mirë se, fëmija të harron shumë shpejt dhe nëse të vjen momenti i keq, të gjitha gjërat të rrëzohen poshtë. Mund të kemi dhe momente të këqija, por ne duhet të dimë t’i menaxhojmë ato qoftë individualisht, qoftë si skuadër.

– Kjo do të jeta hera e katërt që Skënderbeu do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve. Edicionin e kaluar e kaluat një tur. A do të shohim një Skënderbe më ambicioz me më shumë ture të kaluara?

– Sigurisht, mendoj për më shumë. Atë që bëri Skënderbeu dhe Kukësi vjet, pak skuadra shqiptare e kanë bërë. Përsa i përket skuadrës sime, unë duhet të përgatis atë për kampionatin dhe normalisht për një përfaqim jo vetëm dinjitoz, por me një ego për të kaluar më shumë se një tur në Ligën e Kampioneve. Se çfarë do të ndodhë, varet nga shumë gjera, varet shumë edhe nga skuadra që do të bjerë. Jo se, vitin e kaluar Neftçi Baku ishte skuadër e dobët, pasi ishte skuadër shumë e mirë, skuadër më e pasur se ne nga pikëpamja ekonomike, por mua më intereson që përfaqësimi i mirë në Kupat e Europës (Liga e Kampioneve dhe Liga e Europës) i dha skuadrës një kënaqësi shumë të madhe. Ne nuk pushuam vitin e kaluar gjatë gjithë verës, por i dha skuadrës një besim e siguruar për të vazhduar kampionatin. Nuk mund të flas shumë, për kupat e Europës, pasi ne mund të duam të marrim edhe Ligën e Kampioneve, por janë gjëra të pamundura.

Magani: “Shmangëm rënien e turpshme”

Pas barazimit 2-2 me Flamurtarin në Vlorë, Tirana siguroi përfundimisht mbijetesën në Superiore pas një sezoni të vështirë, një përfundim që e lejon trajnerin Magani të jetë më në fund i qetë pasi e mori skuadrën në një moment jo të thjesht:

“Hera e parë që jam i kënaqur sepse arritëm objektivin final, që Tirana të qëndronte në Superiore. Kemi qenë në pozita shumë të vështira por evituam një rrëzim të turpshëm për Tiranën. Unë falënderoj të dyja tifozeritë, atë të Tiranës për përkrahjen dhe atë të Flamurtarit, që është shumë e veçantë për mua, pasi kam drejtuar në këtë qytet dhe e kam shumë për zemër. Si Tirana, ashtu dhe Flamurtari për mua nuk e meritojnë kategorinë e parë por vetëm Superioren”. Sa i përket të ardhmes së tij, dhe mundësisë së një rinovimi, Magani u shpreh: “Kontratën e mbyll me datë 31 maj, dhe nëse them jo do të ishte diçka jo profesionale sepse Tiranën nuk e refuzon askush”.

Gjoka: “Duhet të fitojmë në Krujë”

Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, shprehu keqardhje për faktin që Flamurtari nuk fitoi dhe nuk e mbylli në shtëpi çështjen e mbijetesës. “Është për të ardhur keq. Ishte ndeshje e tensionuar për të siguruar fitoren dhe Superioren. Edhe pse arritëm të ishim në avantazh nuk arritëm ta menaxhonim dot. Tani duhet dhe një sforco e fundit për të kaluar Kastriotin. Flamurtari ka pasur shumë luhatje këtë vit, megjithatë deri në fund do të jemi pjesë e Superiores”.

Mërgjyshi: “Besa, në rrezik rënie”

Barazimi pa gola me Vllazninë, e vendos vërtetë në rrezik Besën, që sheh tashmë veten shumë pranë rrëzimit një kategori më poshtë. Trajneri Mërgjyshi shprehu keqardhje për rezultatin. “Jam i zhgënjyer sepse prisja më shumë nga lojtarët. Krijuam mundësinë tona por kundërshtari u mbrojt më shumë seç duhet dhe vonoi së tepërmi lojën. Gjyqtari gjithashtu nuk e administroi ndeshjen siç duhet. Kemi merituar të jemi pjesë e Superiore por ky nuk është futboll. Nuk na u dha një penallti”

Haxhiosmanoviç: “Morëm pikën”

Trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanovic u shpreh i kënaqur me barazimin dhe faktin që Vllaznia është shumë pranë shpëtimit

“Ishte një ndeshje e vështirë por ne bëmë maksimumin dhe morëm atë për të cilën kishim nevojë, pikën”. Ndeshjen e fundit, Besa do të luajë në kryeqytet me Tiranën, ndërsa Vllaznia do të përballet me Teutën, që kërkon një vend në Europë. Shkodranët ndihen disi më të qetë, pasi kanë një avantazh trepikësh ndaj kavajsve kur ka mbetur vetëm një ndeshje.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 32

Dje, 4 maj

PARTIZANI-SKËNDERBEU  1-2

Golat: Mazrekaj 90’ / Shkembi 86’, Pejic 90+2’

LAÇI-KASTRIOTI   6-0

Golat: Cela 24’, Xhejms 44’, 49’, Kehinde 55’, Bakaj 57’ (pen), Jubani 74’

KUKËSI-LUSHNJA  4-1

Golat: Cikalleshi 1’, 25’, 70’ (pen), Hysa 6’ / Gjoni 30’

BESA-VLLAZNIA  0-0

FLAMURTARI-TIRANA  2-2

Golat: Abilaliaj 26’, 56’ / Gilberto 6’, Morina 69’

TEUTA-BYLISI (3-0)

RENDITJA

1 Skënderbeu      32   +21 61

2 Kukësi             32   +9   54

3 Laçi           32   +12 51

4 Teuta         32   +9   51

5 Partizani    32   +5   50

6 Tirana       32   +2   47

7 Vllaznia           32   +8   45

8 Flamurtari 32   +3   45

9 Besa Kavajë     32   +5   42

10 Kastrioti  32   -18  29

11 Lushnja          32   -25  26

12 Bylis       32   -31  24