Maratona Egnatia mes sportit dhe historisë

501
Maratona Egnatia, e cila do të zhvillohet më 28 nëntor në Durrës, do të jetë një aktivitet mes sportit dhe historisë. Shoqata italiane kulturore-sportive ka marrë përsipër zhvillimin e kësaj maratone, ndërsa në Shqipëri është krijuar dhe shoqata e Rrugës “Egnatia”, me president ish-kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin. Tashmë për këtë maratonë, e cila do të jetë e standardeve ndërkombëtare e jo vetëm kaq, ka shumë aktorë që janë angazhuar. Sekretari i shoqatës së Rrugës Egnatia, Gjon Koliqi, shpjegon se ky aktivitet do të jetë nën kujdesin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. “Jo vetëm kaq – thotë Koliqi – por ne kemi takuar dhe zëvendësministrin e Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, i cili ka angazhuar Federatën Shqiptare të Atletikës për gjithë mbështetjen infrastrukturore. Më tej akoma ne kemi folur dhe me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili është angazhuar për zhvillimin e maratonës në mënyrë korrekte. Mendojmë që do të jetë një aktivitet gjithëpërfshirës, i cili ka për qëllim dhe ringjalljen e interesit për rrugën e vjetër Egnatia, që shkon deri në Lin të Pogradecit. Besojmë se do të kemi dhe mbështetjen e komunitetit evropian, sepse shoqata jonë, e krijuar posaçërisht për rrugën Egnatia, ka pasur për qëllim dhe rritjen e interesit të ndërkombëtarëve për këtë rrugë historike në vendin tonë”. 
Itinerari i maratonës
Maratona Egnatia, për herë të parë në historinë e maratonave në vendin tonë, do të ketë gjatësinë sipas rregullave ndërkombëtare. Pra që do të thotë se do të vrapohet 42 kilometra e 195 metra. “Ka dy variante për përfundimin e Maratonës, e cila është duke u studiuar. Së pari të përfundojë në pistën e stadiumit “Niko Dovana”dhe tribuna e mbushur me fëmijë, apo nxënës të shkollave të ngrihet në këmbë për të pritur maratonistët. Dhe së dyti një tjetër mundësi është që të përfundojë dhe pranë Amfiteatrit. Maratona do të nisë dhe do të përfundojë në Durrës. Do të shkohet deri në Kavajë e do të kthehet nëpër rrugët e Plazhit”, ka thënë Koliqi. Ndërkohë që duke pasur dhe ndihmën e Federatës Shqiptare të Atletikës synohet dhe futjen e kësaj Maratone në kalendarin vjetor të aktiviteteve të Federatës Botërore. “Sepse jemi të ndërgjegjshëm që në të do të marrin pjesë nga e gjitha bota të ndarë sipas kategorive të moshave që ne tashmë i kemi caktuar”, ka thënë Koliqi. 
Oraret dhe kategoritë e garimit
Shoqata Evropiane e rrugës Egnatia organizon në bashkëpunim me Shoqatën italiane të Kulturës dhe Sportit (Komitetet periferike të Frozinones dhe Romës), edicionin e parë të Maratonës Egnatia, e cila do të zhvillohet në Durrës më 28 nëntor të këtij viti. Starti i garës do të jepet më 09:00, kurse paraqitja dhe rikonfirmimi i sportistëve duhet të jetë në ora 08:00. Gara, e cila do të ketë gjatësinë e 42 kilometrave e 195 metrave, është e hapur për të gjithë, të cilët janë mirë me shëndetin dhe të aftë për të përballuar Maratonën. Vrapimi do të zhvillohet në një terren të sheshtë dhe nuk ka ndryshime të lartësive gjatë korsisë së garimit. Për matjen e kohës nga gjyqtarët, të gjithë pjesëmarrësve do t’u jepet një çip, ndërsa tarifa e pjesëmarrjes përfshin pije, qese me ushqime të ndryshme. Gjatë garë do të jetë i siguruar shërbim mjekësor, ambulanca do të shoqërojë sportistët, ndërsa pijet do të jenë çdo pesë kilometra në vrapim. Shpërblimi financiar do të jetë për pesë sportistët e klasifikuar në vendet e para. Kategoritë do të jenë; 23-34 vjeç, mbi 35 vjeç, mbi 40 vjeç, mbi 50 vjeç, mbi 55 vjeç, mbi 60 vjeç dhe mbi 65 vjeç. Do të ketë dhe për kategorinë 70-75 vjeç, kurse për femra mosha limit do të jetë 55 vjeç. 
Angazhimi i Federatës Shqiptare të Atletikës
Ndërkohë Federata Shqiptare e Atletikës, tashmë e angazhuar plotësisht në këtë aktivitet, do të ofrojë jo vetëm sportistët e saj cilësor, por dhe gjyqtarinë. Nuk duhet harruar që ka një eksperiencë në të bërin garime ndërkombëtare, sepse gati katër vjet më parë në Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë është organizuar dhe Kampionati Botëror i Vrapimit në Mal. Dhe për rrjedhojë kjo Maratonë duket se do të ketë dhe aktorë të tjerë, të paktën Agjencinë e Shërbimit të Sporteve, pa thënë dhe Ministri të tjera si ajo e Brendshme, apo e Shëndetësisë. Ruli si president i atletikës shqiptare e që ka marrëveshjen e parë me italianët për këtë maratonë beson dhe shpreson se nuk do të jetë si farsa e Maratonës së Tiranës më 2012-ën. “Përkundrazi jemi të angazhuar të gjithë për një aktivitet sa më cilësor. Dhe jemi të bindur për këtë”, ka përfunduar Ruli.
Sigal