Marathonomakja Shqiptare – Pavlina Evro

1120
Adriatik R. DOSTI

Pjesë nga Krenaritë e Sportit tonë Kombëtar
Dy ditë më parë ajo kishte ditëlindjen ndaj vendosa që si dhuratë-speciale t‘i dedikoj këtë shkrim Pavlina Evros [Ylli] ..njërës prej Mbretëreshave të atletikës shqiptare dhe njërës prej ikonave, legjendave e krenarive të sportit tonë kombëtar. 

Pavlina lindi në Korçë më 20 shkurt 1965 në një familje të madhe me shumë fëmijë, ku dashuria e respekti ndaj prindërve e ndaj secilit pjesëtar të familjes ishin të shenjta Ishte vetëm një imcake 13 vjeçare kur kolosi i trajnigut të atletikës korçare e shqiptare bashkë, i paharruari Piro Kasati do ta pikaste e veçonte shpejt nga bashkëmoshatarët e saj. Dhe syri i Mjeshtrit Kasati nuk kishte se si të gabonte. Në Krosin Ballkanik të vitit 1981, në garën e saj të parë Ndërkombëtare kur sapo kishte mbushur vetëm 16 vjeç, Pavlina do të renditej në vendin e pestë, por duke tërhequr dukshëm vëmendjen e specialistëve të këtij sporti. Trajneri Kasati nisi ta specializojë Evron në garat e vështira të distancave të mesme e të gjata 800, 1500 e 3000 metrave.

Dhe më 1983 Pavlina bën shpërthimin e saj të parë në 800 m. thyen rekordin kombëtar me kohën 2.04.07 të mbajtur nga e famshmja Marinda Preka. Po këtë vit. në kampionatin Evropian për të Rinj në Shvehat të Austrisë, Evro, jo vetëm që thyen një tjetër rekord mitik kombëtar..atë të 1500 metrave, me kohën 4.13.03, por arrin të shpallet edhe Nënkampione e Evropës. Një vit më vonë, ajo do të kthehet gati-gati në një legjendë e gjallë e atletikës shqiptare. 1984, garat e Grand -Prix në Nicë të Francës. Në 1500 metra, Pavlina vendos rekordin e ri kombëtar me kohën fantastike 4.06.62, shpallet fituese e kampione në garën e saj, e mbi të gjitha renditet në 3 sportistet më të mirë të turneut, së bashku me të mëdhenjtë e atletikës botërore të asaj kohe, R. Kingdom, kampion i botës në 110 metra me pengesa, dhe F. Vinjero kampion i botës në kërcim me shkop. Krenaria e performanca e shkëlqyer e saj shpërblehet edhe me titullin e lartë të mirënjohjes ”Qytetare Nderi’,’ që Bashkia e Nicës i akordon atletes sonë të mrekullueshme Pavlina Evro. E sukseset,hipjet në podiumin e nderit e të fituesit, thyerjet e njëpasnjëshme të rekordeve kombëtare dhe medaljet në qafën e saj, duket se s’kanë të ndalur. Atletika shqiptare po përjeton një ndër ëndrrat e realitetet më të bukura të saj. Në Spartakiadën Kombëtare të 1984 thyen rekordin e vështirë kombëtar të 3000 metrave, me kohën 9.14.07. Në 1985,fituese në 800 metra në garën ndërkombëtare të Algjerisë, me 2.03.01. E paharruar për të, por edhe për ne që e ndoqëm plot emocion atë garë. Bitsle Game, mbetet performanca e saj e 20 Qershorit të 1986 në Oslo te Norvegjisë. E rrëzuan qëllimisht për ta shmangur nga konkurrenca, por ajo gjeti forcë e kurajë të jashtëzakonshme dhe, jo vetëm që rikthehet në garë, por arrin të hipë edhe në podiumin e fituesit duke u renditur e treta në 1500 metra, me kohën 4.06.41, e natyrisht njëherazi fitoi admirimin e duartrokitjet e merituara të të pranishmëve në stadium. Në Mitingun ndërkombëtar të Athinës, më 1987, Pavlina do të bënte të sajën Medaljen e Arit në 3000 m, e po këtë vit, në Lojerat Mesdhetare të Latakias në Siri, do të ishte e treta dhe fituese e Medaljes së Bronzit.

Dy vjet më pas,në Mitingjet ndërkombëtare të Bolzanos e Katolikos në Itali, ajo laureohet sërish me Medalje Ari. Në Francë,.më 1990, renditet në vendin e 12-të në Krosin Botëror, një arritje e madhe kjo për atletikën tonë tepër modeste, krahasuar me gjigantët e këtij sporti në Evropë e në Botë. Kaq për Shqipërinë,së cilës ajo i fali gjithçka të mirë që zotëronte. Nga 1991-1995 do të jetë pjesë e atletikës se vendit fqinj, Greqisë. Së pari, me Iraklis, ku më 1992 fiton garat e 800, 1500 e 4×400 m. dhe shpallet kampione e këtij vendi për herë të parë, së bashku me ekipin e saj të ri. E po këtë vit e po me këtë ekip, fiton Medaljet e Arta ne Kupën Bruno Zauli, në garat e 800 dhe 1500 m. Karrierën e saj të gjatë e brilante, e mbyll pranë klubit grek Iraklis, pranë të cilit qëndroi deri më 1995, e ku më pas do të atashohet si Trajnere e Pedagoge pranë klubit të njohur të Selanikut, kampion i Greqisë, Panelinio. Gati 14 vjet karriere të jashtëzakonshme, ç’ka e rendit atë në njërën prej krenarive absolute të sportit shqiptar të të gjitha kohërave, por edhe njërën ndër atletet me të suksesshme të Greqisë në fillimvitet ’90.

Që nga 1983-1991, Pavlina do të ishte në Shqipëri, me Skënderbeun e saj të dashur e me ekipin tepër simpatik të vajzave atlete të Piro Kasatit, por edhe me ekipin tonë kombëtar, fituese absolute e të gjitha garave në të cilat mori pjesë. Po gjatë kësaj periudhe kohore, në të 33 aktivitetet ndërkombëtare në të cilat ajo mori pjesë e mbrojti ngjyrat e Shqipërisë, Pavlina do të ishte e padiskutueshme në podiumin e nderit e të fituesit dhe gjithmonë në 8-shen më të mirë të aktivitetit. Për sukseset, arritjet e meritat e saj individuale, atletja e sportistja jonë kampione e rekordmene e llojit krejtësisht të veçantë e unikal, do të nderohej ndër vite me tituj, urdhra e medalje të ndryshme, plotësisht te merituara e që e lartësojnë edhe më shumë figurën e saj kaq të respektuar qytetare e sportive. Kështu. Pavlina Evro [Ylli] është Qytetare Nderi e Nicës, por edhe e Korçës. Është Mjeshtre Sporti, por edhe Mjeshtre e Madhe e Sportit dhe e Punës. Është Nderi i Sportit Shqiptar si dhe një Kampione e Rekordmene e madhe e atletikës shqiptare, rezultatet e arritjet e së cilës do t’i kishin zili sportistë elitarë të të gjitha vendeve të Evropës e të Botës. Atlete, Trajnere, Pedagoge, qytetare model, mike e mençur dhe e rrallë, sportiste klasi, e sot Konsulle shumë e respektuar, Nderi e Shqipërisë, në Selanik të Greqisë. 
Sigal