Maradona-Messit: Mos u kthe, Argjentina drejtohet nga një bandë tradhtarësh

446
Sigal

Diego Maradona ka përsëritur thirrjen e tij për Lionel Messin, që t’ia kthejë përfundimisht shpinën Argjentinës, pasi ai u hodh poshtë (nuk u mbrojt) nga shokët e ekipit kombëtar, si Javier Mascherano dhe tradhtarët brenda Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA).

Superstari i Barcelonës po i peshon tashmë opsionet e tij në aspektin ndërkombëtar, pas një fushate zhgënjyese në Kupën e Botës 2018. Ai e ka lënë veten jashtë grindjeve për përzgjedhjet e tanishme të lojtarëve, me trajnerin e përkohshëm, Lionel Scaloni, i detyruar të thërrasë të tjerë.

Messi nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të rikthehet në të ardhmen në kombëtare, pasi ka luajtur 128 ndeshje deri më tani, por Maradona i ka kërkuar sërish atij, që të qëndrojë në mërgim. “Dora e Zotit” beson se 31-vjeçari nuk ka mbështetjen e plotë të atyre që e rrethojnë tek Argjentina, me kolegët dhe drejtuesit, të cilët dështojnë të shmangin kritikat e padrejta ndaj një njeriu, që shpesh duhet të mbajë mbi vete krejt pritshmëritë e një kombi.

Fituesi i Kupës së Botës në vitin 1986 i tha “Infobae”: “Kjo është arsyeja, pse i them Messit që të mos kthehet më në kombëtare dhe të marrë të gjitha fajet mbi vete. Ne do të “mbajmë zi”, për shkak se nuk kemi asnjë lojtar tjetër si ai, por Messi nuk mund të mbajë gjithmonë mbi vete përgjegjësitë e AFA”.

Maradona nënvizoi se ish-ylli i Barcelonës, Mascherano, i veçuar si një figurë e rangut të lartë, duhej të kishte bërë më shumë për ta mbrojtur Messin nga kritikat, referuar Botërorit të Rusisë: “Është shumë e lehtë të fajësohet Messi për gjithçka, por kështu nuk rregullohet asgjë tek Argjentina.

Dhe kjo më vret, sepse, nëse ka shokë, që me të vërtetë e duan Messin, ata duhet të kishin dalë për ta mbrojtur, jo të heshtnin për mediat. Kam gabuar për Mascheranon, mendova se ishte një udhëheqës. Sot, më duhet të them se Mascherano nuk është ai që besova, por gabimi është krejtësisht imi, jo i tij”.

Maradona ka pohuar më parë se do të ishte i gatshëm të kthehej për një eksperiencë të dytë si trajner i kombëtares argjentinase, rol të cilin sugjeroi ta bënte edhe pa pagesë. Sidoqoftë, ai është kthyer prapa në këtë qëndrim. Diego nuk ka më dëshirë të mplekset me situatën që ekziston në kombëtaren e vendit të tij, por të punojë te skuadra meksikane e Dorados, ku drejton aktualisht.

“Nuk do të kthehem, – tha Maradona. – Unë jam duke pritur për të bërë shumë gjëra këtu, ndërsa në ekipin kombëtar dominon një bandë e tërë tradhtarësh. Aty nuk do të kthehem. Ne kemi kërkuar një drejtim të ri të AFA dhe kemi zgjedhur Claudio Tapia.

Unë jam fajtor për këtë zgjedhje. Ai erdhi për të më kërkuar ndihmë dhe i thashë “po”. Tapia më tregoi shumë gjëra, që do t’i bënte si president, por më pas nuk bëri asgjë. Ai, madje, nuk më telefonoi më. Kjo është tradhti dhe unë e pështyj fytyrën e tradhtarëve”.