Maqedonia në gjunjë, barazon me penallti të dyshimtë

100
Nga Agron KAJA
BOTËRORI 2018/ Dje u mbyll “telenovela” e “Majmunëve” të Prilepit, ku nuk dhanë rezultat koret e tyre raciste
Dje në mbrëmje, Strumica që u paraqit si e frikshme, ndoshta edhe si një “gogol” për shqiptarët, ka rënë në gjunjë, madje që në minutën e 53-të, kur Roshi shënoi golin e avantazhit për skuadrën tonë. Një ndeshje e tensionuar nga vendasit, të cilët tregojnë se janë ende njerëz, që në mentalitete i përkasin shekujve të kaluar. Në stadiume ata të “shqyejnë” me fyerje nga më të ulëtat, ndërkohë që kur janë të veçuar, ua kalojnë edhe heshtjes së pulave. Gjithsesi, kjo ishte pjesa emocionale e pragut dhe e zhvillimit të kësaj ndeshjeje, sepse duke iu referuar lojës, ajo erdhi e ndryshme në të dyja pjesët e saj. Në të parën, futbollistët tanë nuk e gjetën organizimin e mirë, por edhe nuk i shpëtuan emocioneve të kësaj sfide, duke bërë shpesh edhe gabime që mund të ndëshkoheshin. Nestorovski, Pandev dhe Alioski, kishin mundësitë e shënimit, por forma e mirë e portierit Berisha, njëherësh edhe disa ndërhyrje në kohën e duhur, bënë që rrjeta të mos prekej në fraksionin e parë të ndeshjes. Futbollistët tanë vetëm në fundin e kësaj pjese krijuan një rast goli, por të dështuar, duke ia lënë fjalën vetëm pjesës së dytë, sa i përket shënimit të golit. Dhe në minutën e 53-të, Sadiku krosoi bukur për Roshin, i cili me të djathtën e dërgoi topin në rrjetën kundërshtare. Avantazhi ynë e rriti presionin e maqedonasve, të cilët me treshen e mësipërme, e kërkuan golin, deri sa gjetën penalltinë e dyshimtë në minutën e 77-të. Gjithsesi, ishte një penallti, që edhe pse u kontestua, nuk u diskutua nga gjyqtari, e kështu Trajkovski shënoi, duke barazuar rezultatin. Në minutat e mbetura, skuadra jonë u lëkund në lojën e saj, sepse pati një shthurje në mbrojtje dhe në organizimin e lojës, duke i dhënë mundësinë Alioskit që të rrezikonte pesë minuta para mbylljes së sfidës. Vetëm barazim dha kjo ndeshje e përfolur, nga e cila Maqedonia e nacionalistëve e ka nxjerrë ndoshta një përfundim për shqiptarët e futbollit, por edhe për ata në shkallët e stadiumit. Kudo që të “degdisej” kjo ndeshje, nuk do të shpëtonte pa kuqezi, dhe kështu ndodhi, sepse ata u bënë “mushkëria” e Kombëtares sonë në këtë përballje. Këtu u mbyll ndeshja e tetë në grupin G, dhe ndoshta këtu mbyllet edhe konfigurimi i renditjes në këtë grup. Shqipëria “saldohet” në vendin e tretë, një vend nga e “keqja”, duke mos pasur mundësinë që të kalonim Spanjën dhe Italinë. Tashmë edhe trajneri Panuçi e ka qartësuar mendimin e tij se ku duhet të ndërhyjë me “bisturi” dhe ku duhet të “androjë” në vazhdimësi.
E martë 5 shtator 2017, ora 20:45 në stadiumin e Strumicës, ndeshje kualifikuese “Botërori 2018”, Grupi G

MAQEDONI-SHQIPËRI
Shënues: Trajkovski (p) 78’/ Roshi 53’

FORMACIONET
Maqedonia: Dimitrevski, Ristevski (Trickovski 87’), Musliu, Ristovski, Velkoski, Nikolov (Trajkovski 58’), Bardhi, Spirovski (Radeski 78’), Alioski, Pandev, Nestorovski. Trajner: Igor Angelovski

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ajeti, Mavraj, Agolli (Memolla 73’), Kukeli (Basha 46’), Lila, Roshi, Hyka, Llullaku (Memushaj 46’), Sadiku. Trajner: Kristian Panuçi
Gjyqtarë: Jonas Erikson (Suedi) 
Kartonët: Ristevski, Musliu/ Mavraj, Kukeli, Roshi, Basha
MINUTA TË VEÇANTA
4’ Rrezik në portën e Berishës. Ristovski arrin të pasojë në qendër nga e djathta, fatmirësisht Nestorovski nuk mbërrin te topi, Ajeti largon atë në goditje nga këndi.
23’ Pandev nga jashtë zonës godet fort, portier Berisha grushton i pasigurtë e sjell drithërrima, por mbrojtja largon rrezikun.
24’ Pas goditjes së dënimit nga Bardhi, portieri Berisha e grushton topin, por në zonë, dhe Nestorovski nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë. 
38’ Mbrojtësi i qendrës, Arlind Ajeti, tregohet i vëmendshëm duke larguar një top i ardhur nga mesfusha maqedonase për Pandev, duke larguar kështu një rrezuk goli.
43’ Aksioni i fundit i skuadrës sonë për pjesën e parë, kombinojnë mirë Roshi-Hysaj dhe Hyka, por asnjeri nuk e dërgon topin në zonën maqedonase.
51’ Hysaj i dorëzon topin Alioskit, i cili harkon të rrezikshëm drejt zonës sonë, por e largojnë me vështirësi mbrojtësit, ndërsa Hyka e largon jashtë zonës.
53’ GOL 0-1 Odise Roshi e kalon në avantazh skuadrën tonë, pas një kundërsulmi të Sadikut në krahun e majtë. Krosimi ishte i saktë dhe Roshi gjuan fort duke e dërguar topin në rrjetën e portierit maqedonas Dimitreski.
69’ Alioski harkon nga e djathta, Nestorovski devijon topin, Pandev gjuan me kokë duke kaluar Berishën. Por, Hysaj tregohet vendimtar duke larguar topin nga vija e portës.
76’ Gabon mbrojtja jonë, Nestorovski shfaqet para Berishës, por portieri ynë e devijon topin nga këmbët tij. Aksioni vazhdon, dhe Alioski nuk arrin të dërgojë topin në portën e boshatisur.
Barazon shifrat Maqedonia me penalltinë e Trajkovskit. 1-1
77’ GOL 1-1 Arbitri suedez, Erikson, nuk ngurron të drejtojë dorën te pika e penalltisë, dukshëm e dyshimtë. Pas një harkimi në zonë, Hysaj e largon, por topi preket me dorë nga Roshi. Maqedonia barazon 1-1 me penalltinë e Trajkovskit.
85’ Portieri Berisha shpëton portën nga dy goditje radhazi. Së pari pas gjuajtjes së Alioskit, duke e grushtuar, e së dyti devijon gjuajtjen e Nestoroskit nga një distancë e afërt.