Manipulimet e ndeshjeve godasin sërish, këtë herë gishti drejtohet ndaj Laçit

491
Sigal

Akoma pa u shuar jehona e dyshimeve për manipulim e ndeshjes Skënderbeu-Den Haage, vjen një tjetër lajm ku përsëri ndodhet e përfshirë një skuadër shqiptare. Bëhet fjalë për Laçin që në takimin e luajtur me Shtutgartin, miqësore, të parët u mundën me rezultatin 5-0, diçka që sigurisht nuk bie shumë në sy, duke pasur parasysh edhe ndryshimet në nivele të skuadrave. Por dyshimet erdhën më pas, kur në bazë të një hetimi të bërë, u vu re një “lajthitje” e koeficienteve për atë ndeshje, ku në një hark kohor të shkurtër u pasua me rritjen e tyre, duke u vënë re një sjellje e habitshme e kompanive. Ndërkohë, në gazetën gjermane shprehen të rezervuar për përfshirjen e skuadrës së Bundesligës, duke hedhur hijet e dyshimit vetëm tek futbollistët e Laçit dhe përfshirjen e mundshme të tyre në këtë “veprimtari”. Sipas “Bild”, gjermanët janë thjeshtë viktima, duke mos pasur aspak dijeni mbi çdo gjë që ka vepruar aty, gjatë ndeshjes. Pas takimit, trajneri i skuadrës së Shtutgartit u shpreh se përballë patën një skuadër që nuk arriti tu bënte rezistencë, duke shprehur madje dëshirën që në takimin e ardhshëm miqësor të kenë më shumë nivel nga ana e kundërshtarit. Sigurisht që këto janë vetëm në planet e një dyshimi të thjeshtë, që bazohet në disa të dhëna që mund të jenë thjeshtë rastësore, si rritja e koeficienteve gjatë ndeshjes apo lëshimet që mund të ketë bërë Laçi gjatë takimit, që shumë mirë mund të jetë “lëshim nga pamundësia për t’u matur me forcën e kundërshtarit”. Mbi këtë ndeshje sigurisht që do të nisin hetimet, e deri atëherë secila skuadër është e pafajshme për  mungesë provash, por nëse ky rast është i vërtetë do ishte diçka e papëlqyeshme për futbollin tonë, ku sigurisht ndaj Laçit, ose Shtutgartit, do të merreshin masa të rënda për të sjellë një shembull të fortë se si dënohet rezultati i vendosur paraprakisht nga skuadrat. Duke u nisur nga ky lajm, detyrimisht që një sy e hedh edhe në kampionatin vendas, ku sipas vëzhgimeve të UEFA-s ky ka qenë një nga kampionatet më të “pastra” deri më tani, ku nuk viheshin re hije trukimi të ndeshjeve e rezultatet ishin vetëm në bazë të meritës. Por disa deklarata të fundit nga zv/kryetari i Komisionit të Etikës pranë FSHF, Bejkush Birçe, ku tha se Elbasani ka shitur dy ndeshje, atë me Teutën në javën e tretë ku u mund 5-1 dhe atë me Vllazninë në javën e 15-të ku u mund 4-1. Në bazë të këtyre deklaratave erdhën reagime të ndryshme nga të tre skuadrat e përfshira, që sigurisht nuk pranuan asgjë nga deklaratat e bëra të Birçes, duke thënë se çdo gol ka ardhur si rezultat i punës së tyre nga një anë por edhe nga paaftësia e Elbasanit për të bërë rezistencë nga ana tjetër. Gjithsesi, çdo gjë mbetet për tu parë, deri më tani janë vetëm fjalët e “Bild”-it gjerman.

Andi Ribaj rikthehet tek Apolonia

 Apolonia godet në merkato një ditë para fillimit të kampionatit ndaj ndeshjes që do të luajmë me Tiranën, duke rikthyer në skuadër një ish të tyre, Andi Ribaj. Mesfushori i avancuar ka qenë pjesë e akademisë fierake duke filluar që nga viti 2002 e deri në 2008, ku edhe shkoi në huazim tek skuadra e Flamurtarit të Vlorës, për t’u drejtuar më tej tek Skënderbeu, nga ku kaloi dy sezone. Futbollisti mund të jetë një ndihmesë e madhe për Apoloninë që ndodhet në një gjendje jo shumë të favorshme në kampionat, ku prej disa kohësh ka “përqafuar” vendin e fundit, e ku dita-ditës bëhet më e vështirë për të qenë pjesë e Superligës edhe në sezonin e ardhshëm. Në fakt, nëse bëjmë krahasimin mes Elbasanit dhe Apolonisë, kjo e fundit ka lëvizur më shumë në blerjen e futbollistëve, ndërkohë që elbasanasit nuk është se kanë parë shumë nga kjo anë, vetëm kanë shitur lojtarët e tyre.

Partizani nuk sprapset. Duro: Objektivi është titulli

 Partizani e fillon gjysmën e dytë të kampionatit me vetëbesim, duke u shprehur mbi të gjitha se e shohin veten si skuadër kampione, pas rezultateve të arritura në gjysmën e parë por edhe pas fazës mjaft pozitive të trajnimit në këtë muaj pushimesh. Kështu u shpreh edhe trajneri i Partizanit, Duro që duket se po i karikon të tijtë para fillimit të ndeshjeve duke u shprehur mbi formën e mirë që ruan skuadra, ndërkohë që nuk kursen fjalët e mira edhe për sulmuesin lituanes që e afruan së fundmi: “Kemi zhvilluar një fazë përgatitore mjaft intensive dhe pozitive. Skuadra është e plotë duke mos pasur probleme dëmtimi. Rezultatet pozitive në miqësoret e luajtura janë shenjë e mirë ku e gjithë skuadra ka qenë e impenjuar maksimalisht. Ndaj Laçit na pret një ndeshje e vështirë ku shpresojmë të dalim me rezultat pozitiv. Është një takim rivalësh ku cilësitë e kundërshtarit dihen por nëse duam të arrijmë titullin duhet të marrim maksimumin në këtë transfertë. Ardhja e sulmuesit lituanes do na ndihmojë edhe më tepër për arritjet e synimeve tona. Është një lojtar me cilësi dhe eksperiencë i cili mund ta rrisë rendimentin e lojës.

 Rikthehet sot Superliga, pas plot 33 ditësh mungesë

 Më në fund do të shohim edhe pjesën e dytë të kampionatit më elitar në Shqipëri që të zërë vend pikërisht sot, me skuadrat që thirren sot në “krye” të detyrës ku Tirana pret në “Niko Dovana” skuadrën e Apolonisë së Fierit, në një kohë që fitorja është shumë më shumë sesa detyrim për të besuarit e Maganit. Bashkë me Tiranën, sot është edhe një skuadër e dytë pretendente e madhe për titull që luan ndeshjen e vet, pikërisht kryesuesja, Kukësi, që shkon në Shkodër për të luajtur shanset e veta mbi qëndrimin përsëri në krye të Superligës, duke qenë se e mbylli vitin në krye të renditjes. Ndeshja e tretë për sot është mes Flamurtarit dhe Teutës, ku vlonjatët kanë si synim që të tregojnë se janë aty, ndoshta jo për titull por të paktën me një formë shumë më të mirë se në gjysmën e parë të sezonit ku u vu re një “varfëri” e kësaj skuadre në rezultate pozitive dhe në qëndrueshmërinë që duhet të ketë një ekip që ka synime të shpallet kampione. Ndërkohë, e nesërmja rezervon përsëri ndeshje interesante, ku Laçi pret në shtëpi Partizanin në një kohë që të dy skuadrat kanë shumë për të treguar, sidomos Partizani që është edhe një nga skuadrat më në formë të kampionatit, të paktën para mbylljes së gjysmës së parë, po ashtu edhe Laçi që ka treguar nivel të një skuadre që qëndron mbi mesataren gjatë këtij sezoni. Takimi përmbyllës flet me gjuhën e Elbasanit që pret në shtëpi kampionët në fuqi, Skënderbeun, për të luajtur një ndeshje që ndoshta nuk është se do të ketë shumë histori. Kujtojmë që edhe në dy ndeshjet e luajtura më përpara për këtë sezon, Skënderbeu i’a ka dalë që të fitojë me të njëjtin rezultat, 1-0.

 Sot

Tirana 14:00 Apolonia

Vllaznia 17:00 Kukësi

Flamurtari 17:00 Teuta

Nesër

Laçi 14:00 Partizani

Elbasani 17:00 Skënderbeu