Sigal

5 fitore radhazi në Premier League, 15 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar. Ecuria e Manchester United nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaer është për rekord. Dhe kur fitorja arrihet ndaj forcës së tretë të kampionatit, Tottenham Hotspur, merr një vlerë të veçantë.

Në mitikun “Wembley” të Londrës “Djajtë e Kuq” mposhtën 0-1 me gol të Marcus Rashford londinezët e Pochettinos, që tashmë ndiejnë edhe dihatjen e Chelsea-t, me vetëm një pikë më pak në renditje.

Lufta për zonën Champions bëhet më e ashpër, pasi United ka barazuar pikërisht Arsenalin e vendit të pestë me 41 pikë, ndërsa Chelsea ka vetëm 6 pikë më shumë. Gara për titullin duket e mbyllur në një duel mes Liverpoolit dhe Manchester City-t, por me këtë ecuri të çmendur të “Djajve të Kuq” mund të presësh gjithçka. Merita e tëra e Ole Gunnar Solskjaer? E vështirë për ta besuar, me siguri “yjet” e United thjesht prisnin momentin për të shpërthyer… largimin e Jose Mourinhos.