Sigal

Ekipi nën menaxhimin e Jose Mourinho filloi parasezonin në SHBA me një rezultat 1-1 kundër ekipit meksikan Club America. Henry Martin shënoi me kokë në minutën e 60-të për të vënë në avantazh ekpin meksikan. Por, vetëm 18 minuta më vonë Juan Mata barazoi gjithçka.

Trajneri i ekipit anglez, Mourinho, ka thënë se nuk është i shqetësuar për rezultatin pasi këtë lojë ai e ka konsideruar më shumë si stërvitje, transmeton gazeta Express.

“Ishte një stërvitje e mirë për ne dhe mendoj se ata e fillojnë sezonin e tyre këtë javë, kështu që ishin në një fazë më të avancuar se ne. Mendoj se që të dy ekipet luftuan për rezultat. Ishte miqësore, rezultati nuk ishte gjëja më e rëndësishme por mendoj se lojtarët luftuan për këtë rezultat”, është shprehur portugezi Jose Mourinho.

Kjo është loja e parë për ekipin anglez në turneun e parasezonin, ku do të luajë edhe 5 lojë. Ndër ekipet që do të takojë gjatë këtij parasezoni janë Real Madridit, Liverpoolit, Milanit dhe Bayern Munchenit.

Në këto lojë Unitedi nuk do t’i ketë 12 yje të ekipit në dispozicion, ndër ta Pogba, Lukaku dhe De Gea. Shumica prej tyre nuk do të jenë të gatshëm as për fillimin e sezonit, kur Unitedi do të takohet me Leicester City më 10 gusht. Ata kanë marrë tri javë pushim për shkak të pjesëmarrjes në Botërorin e organizuar në Rusi.