Mahmuti e Fetishaj “ngrejnë” stekën, përmirësojnë kohët individuale

472
Nga Agron KAJA
NOT, KAMPIONATI EVROPIAN/ Vazhdojnë me sukses garat e sportistëve tanë në Kopenhagen, dje rekordet ishin “fshehur”
Në ditën e tretë të garave të Kampionatit Evropian të Notit, të cilat po zhvillohen në pishinën 25 m të Kopenhagenit në Danimarkë, për Shqipërinë garuan notarët Binald Mahmuti në 50 m stil i lirë dhe në 200 m miks, si dhe Keis Fetishaj në 50 m stil i lirë. Gjithnjë, të mbështetur në informacionin e trajnerit shqiptar në këtë Evropian, Arian Fetishi, të dy notarët kanë shënuar kohë individuale më të mira, por kanë qenë larg rekordeve kombëtare. Për notarin e ri Keis Fetishaj, kjo është një kohë e mirë, e cila mbetet si pedanë për kohë më të mira në dy garat e tjera. “Në këtë garë unë përmirësova kohën time, dhe ndjehem i kënaqur, por jo plotësisht, sepse kisha menduar që të isha më mirë. Gjithsesi, këtë kohë në 50 m stil i lirë (27.20) e mendoj si një statistikë personale, por shpresoj të përmirësoj diçka në garat e tjera, 50m stil flutur dhe 50 m stil shpinë. Janë dy garat e mia të fundit në këtë Evropian, e mendoj se do të arrij kohë të mira”, kështu theksoi dje për gazetën “Telegraf” notari Keis Fetishaj, i cili në program garon sot në garën 50 m stil flutur, dhe e mbyll garimin për notarët tanë ditën e diel me garën 50 m stil shpinë. Ndërkohë, dje së bashku me Keisin garoi edhe notari Binald Mahmuti, i cili edhe pse i përmirësoi kohët e tij individuale në dy gara: 50 m stil i lirë me 25.09, dhe 200 m miks me 2.14.13, edhe ai deklaroi për gazetën “Telegraf” se ishte larg pritshmërive të tij dhe të trajnerit. “Mendoj se kanë qenë dy gara të mira si kohë, por për mua ishin larg sa prisja. I kam përmirësuar kohët në këtë dy gara, gjë që më bën të jem më shumë i përqendruar në dy garat nesër (sot, 100 m stil i lirë dhe 100 m miks). Janë gara ku kam arritur kohë të mira, besoj shumë për më mirë”, kështu theksoi dje nga Kopenhageni notari Binald Mahmuti, që sot në dy gara, ndoshta ka “fshehur” edhe ndonjë kohë rekord. Ndërkohë që trajneri Arian Fetishi, për këto dy gara që u zhvilluan dje, deklaroi se pritej më shumë. “Të dy notarët që garuan sot (dje), kishin mundësi për kohë edhe më të mira, por ndoshta ana emocionale nuk ju dha mundësinë për më shumë. Nesër (sot) kemi katër notarë në tre gara, në të cilat besoj se do të kemi edhe ndonjë kohë të mirë, pse jo, edhe ndonjë rekord kombëtar. Mundësitë janë”, theksoi në deklarimin e tij trajneri Fetishi, i cili shoqëron notarët shqiptarë në këtë Kampionat Evropian të Notit. Garat mbyllen të dielën, ku për Shqipërinë noton vetëm Keis Fetishaj në garën e 50 m stil shpinë.
50 m stil i lirë
Binald Mahmuti/ 25.09 
“Përmirësova kohët në këtë dy gara, dhe kjo më bën të jem më shumë i përqendruar në dy garat që kam nesër (sot)”
50 m stil i lirë
Keis Fetishaj/27.20 
“Në këtë garë unë përmirësova kohën time, dhe ndjehem i kënaqur, por jo plotësisht, kisha menduar për më mirë”
JANË ZHVILLUAR
Garat/ 13 dhjetor 2017
Notarët Koha 
100 m stil flutur
Binald Mahmuti(8) 59.68 
400 m stil i lirë
Franci Aleksi (8) 4.07.93 
Spiro Goga (9) 4.14.58 
Garat/ 14 dhjetor 2017 
Notarët Koha 
1500 m stil i lirë 
Franci Aleksi (RK) 16.11.03 
Spiro Goga (RK) 16.34.07 
200 m stil i lirë
Aleksandër Ngresi 2.01.71 
Garat dje/ 15 dhjetor 2017 
Notarët Koha 
50 m stil i lirë
Binald Mahmuti 25.09 
Keis Fetishaj 27.20 
Franci Aleksi e Spiro Goga
I kanë mbyllur garimet
DO ZHVILLOHEN
Garat sot
16 dhjetor 2017 
50 m stil flutur
Keis Fetishaj
100 m stil i lirë
Binald Mahmuti
Aleksandër Ngresi
100 m mix
Binald Mahmuti
100 m mix
Keisi Fetishaj 
Garat të dielën
17 dhjetor 2017 
50 m stil shpinë
Keis Fetishaj
Sigal