Mahir Halili: Një Kampionat pa problematikat e së shkuarës e rrit cilësinë e futbollit

977
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Dinamos, Tiranës, Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, ja situata
Pas lënies së futbollit, sa e ndiqni këtë sport në Shqipëri dhe më gjerë?
Kur largohesh nga futbolli i luajtur, jeta merr drejtimin tjetër, por shpirti e zemra nuk largohen nga fusha e lojës. E ndjek kampionatin shqiptar në ritmikë, kryesisht Kategorinë Superiore, por ndjek edhe futbollin e huaj. Nuk ndjehem mirë, nëse gjatë ditës do gjendem pa futboll.

Keni luajtur me tre skuadrat e kryeqytetit, si ndjeheni sot kur Dinamo e Tirana kanë zbritur në kategori inferiore?
Ndjehem keq për të dyja këto skuadra të mëdha, kryesisht Tirana 24 herë Kampione. Dinamo ka vite që nuk po ngrihet, e për këtë mendoj se duhet të lëvizet më shumë, ndërsa Tirana nuk e meritonte zbritjen në sezonin e kaluar. E pamë në ndeshjen e Superkupës, ku nuk dallohej kush ishte Kampione, dhe cila ishte ajo që kishte zbritur një kategori më poshtë.

Çfarë treguan Kukësi dhe Tirana në ndeshjen e Superkupës?
Kjo është një ndeshje më shumë si një start, që fundin e ka kur mbyllet sezoni. Por, angazhimi ishte i madh, dhe Tirana mbetet Tiranë. Nuk u panë shumë diferenca, edhe pse në një ndeshje të tillë skuadrat nuk mund të tregojnë më shumë vlera.

Pas më shumë se tre muaj shkëputje, sot nis java e parë e Kategorisë Superiore për sezonin e ri 2017-2018, ndikon kjo hapësirë tek skuadrat?
Në fakt, kaq gjatë vetëm tek ne ndodh, sepse vende me futboll cilësor në Europë, kanë rreth një muaj që i kanë çelur sezonet. Varet se si e kanë shfrytëzuar skuadrat këtë periudhë, sepse në fazën përgatitore kanë pasur kohë që të bënin merkato, të përgatiteshin dhe të luanin ndeshje miqësore.

Si e përshkruani kalendarin e javës së parë, që nis sot në Kukës dhe mbyllet nesër në Tiranë?
Duke ardhur nga fazat përgatitore, skuadrat dhe nuk i kanë shprehur zyrtarisht vlerat në fushë, do të jenë ndeshje interesante. Nga të gjitha ndeshjet, veçoj Skënderbeu-Flamurtari, sepse janë dy skuadra që kanë bërë përgatitje dhe merkato më serioze. Skuadra korçare luan njëherësh edhe në Evropa Ligë, dhe në këtë përballje do të tregohen vlerat e tyre.

Po takimet e tjera, çfarë do të tregojnë për skuadrat respektive?
E përmenda edhe më sipër, se në këto premiera, më shumë rëndësi kanë rezultatet, pasi ato ndikojnë shumë në vazhdimësinë e çdo skuadre. Teuta dhe Luftëtari është një tjetër sfidë e bukur, ndërsa për të tjerat, mendoj se favorite do të jenë skuadrat pritëse.

Sa i favorizon merkatua e verës, të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore në këtë start?
Në përgjithësi, të gjitha skuadrat kanë bërë merkato, sipas financave dhe objektivave të tyre për këtë sezon. Te Vllaznia ka qenë një merkato disi e dobët, ndërkohë që të gjitha skuadrat e tjera kanë lëvizur me emra lojtarësh e trajnerësh. Duhen disa ndeshje që skuadrat të kapin harmonizimin më normal të lojës së tyre.

Cilat skuadra mendoni se do të jenë pretendente për titullin kampion?
Ndoshta duhen veçuar Skënderbeu, Partizani e Kukësi si pretendentë, pa nënvleftësuar edhe ndonjë befasi. Mundet të afrohen Flamurtari me Teutën në skuadrat e kreut, ndërsa të tjerat, besoj se do të jenë “peng” i vendeve të fundit në tabelën e renditjes.

Çfarë do të uronit në këtë sezon të ri?
Uroj një Kampionat të mbarë, pa problematikat e së shkuarës, me shumë fair-play, dhe me sa më pak dëmtime të lojtarëve. Të gjitha skuadrat, veç synimeve, duhet të mendojnë më shumë edhe për argëtimin e tifozerive të tyre.
Uroj një Kampionat të mbarë, pa problematikat e së shkuarës, me shumë fair-play, dhe me sa më pak dëmtime të lojtarëve! Të gjitha skuadrat, veç synimeve, duhet të mendojnë më shumë edhe për argëtimin e tifozerive të tyre
Skuadrat Kampione
SK Tirana 24 herë
Dinamo 18 herë
Partizani 15 herë
Vllaznia 9 herë
Skënderbeu 6 herë?
SK Elbasani 2 herë
Flamurtari 1 herë
Teuta 1 herë
Kukësi 1 herë
Shënim: Skënderbeut 
i është hequr titulli 
kampion 2015-2016,
nuk i është dhënë 
asnjë skuadre tjetër

KATEGORIA SUPERIORE
SEZONI 2017-2018 
Ndeshjet-Java e parë
E shtunë, 9 shtator 2017
Kukësi-Kamza 16:00
(Stadiumi “Zeqir Ymeri”)
Skënderbe-Flamurtari 19:00
(Stadiumi “Skënderbeu”)
Teuta-Luftëtari 19:00
(Stadiumi “Niko Dovana”)
E dielë, 10 shtator 2017
Lushnja-Vllaznia 16:00
(Stadiumi “Loni Papuçiu”)
Partizani-Laçi 19:00
(Stadiumi “Selman Stërmasi”)

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Kukësi 0 0
2.Partizani 0 0
3.Skënderbeu 0 0
4.Luftëtari 0 0
5.Teuta 0 0
6.Vllaznia 0 0
7.Laçi 0 0
8.Flamurtari 0 0
9.Kamza 0 0
10.Lushnja 0 0
Sigal