Magjistari Pele i dhuron Brazilit Botërorin e parë

1737
Sigal

Suedi 1958/ Suedezët në lot, humbasin 5-2 finalen në shtëpi. Shkëlqen “samba” braziliane

Kampionati Botëror i vitit 1958, i gjashti për nga radha, u zhvillua në Suedi nga 8 deri më 29 qershor 1958. Turneu u fitua nga Brazili, që mundi Suedinë 5-2 në finale duke fituar edhe titullin e parë botëror. Kjo është hera e parë që, një Kupë Bote është fituar në Europë nga një ekip jo europian. Ky Botëror është në shenjën e 17-të vjeçarit Pele, apo Edson Arantes Do Nascimento. Është botërori i trajnerit të saj Visente Feda zbatuesit të sistemit taktik 4-2-4 që do të varrosë sistemin “VvM”. Brazilianët i dhanë një ngjyrim ekzotik këtij botërori, falë “sambas”, këtij kërcimi që e luajnë me aq temperament në fushë. Në grupin e tyre të tmerrshëm likuidojnë Austrinë, Bashkimin Sovjetik, barazojnë pa shumë telashe me Anglinë, po heqin pikën e zezë me Uellsin (1–0) në çerekfinale, për të shpartalluar francezët e Kopa dhe Fontenit. Në finale i presin të zotët e shtëpisë, natyrisht jo për t’i gostitur, por për t’u thënë se janë ata që duhet të meritojnë kurorën e botërorit. Për këtë arsye ata thërrasin djemtë mërgimtarë që janë shpërndarë anekënd Europës; Lidholm, Hamrin, Skoglund, Simonson, Bergmark etj.. Si për të treguar e jo rastësisht është Kampione e Botës në fuqi, RF Gjermane, e drejtuar nga Hardergeri, paraqet një futbollist të ri si qendërsulmues, Uve Zelerin, emri i të cilit do të dominojë deri më 1970-n në tri botërorë të tjerë. Është pastaj Franca që do t’i dhurojë botës një shenjëtar të rrallë si Fonteni, i cili me 13-të të shtënat e tij të sakta mbetet ende më i miri në librin e Botërorëve të futbollit dhe mesa duket edhe për dekada e dekada të tjera. Po është edhe Bashkimi Sovjetik. Për shkak të politikës vetëizoluese të diktatorit Stalin, futbolli sovjetik shfaqet për herë të parë në një botëror futbolli. Dhe duhet thënë jo pa sukses. Kupa e Botës 1958 është botërori i festivaleve të golave, ku vetëm dy ndeshje mbyllen të bardha. Në gjysmëfinale Suedia mund Gjermaninë Perëndimore 3–1, Brazili Francën 5–2. Pastaj në finale për vendin e tretë Franca mposht Gjermano-perëndimorët 6–3 në finale Brazili Suedinë 5–2. Në finalen e luajtur më 29 qershor në Stokholm, çasti magjik i suedezeve që e shohin veten Kampionë të Botës, zgjat vetëm 6 minuta, kur Lidholmi shënon golin e parë. Pastaj në minutën e nëntë barazon Vava, i cili u jep frymëzim shokëve të tij duke shënuar dhe golin e dytë. Më pas gjithçka zhvillohet nën ritmin e sambas të drejtuar nga Pele që shënon dy gola, njëri prej të cilëve mbetet një nga golat më të bukur të antologjisë së botërorëve të futbollit. Simonsoni kërkon të zbusë përmasat e një humbje të turpshme me një gol të shënuar 10 minuta para mbarimit, por nuk është i këtij mendimi Pele që shënon edhe golin e pestë dhe të fundit të këtij botërori. Titulli kampion i përket Brazilit! Pele është heroi i Botërorit suedez!

  Rezultatet

 Ir.e Veriut–Çekosllovaki  1-0

Argjentinë–Gjermani       1-3

Gjermania–Çekosllovaki  2-2

Argjentinë-Ir. Veriut        3-1

Çekosllovaki-Argjentina  6-1

Gjermani-Ir.e Veriut         2-2

Ir.e Veriut–Çekosllovaki  2-1

Jugosllavi–Skoci                     1-1

Francë–Paraguaj               7-3

Paraguaj–Skoci                3-2

Jugosllavi–Francë            3-2

Paraguaj–Jugosllavi         3-3

Francë–Skoci                    2–1

Hungari–Uells                  1–1

Suedi–Meksikë                 3-0

Meksikë–Uells                 1-1

Suedi–Hungari                 2-1

Hungari–Meksikë                   4-0

Suedi–Uells               0–0

B. Sovjetik–Angli            1-0

Brazil–B. Sovjetik            2-0

Angli–Austri                    2-2

B. Sovjetik–Austri           2-0

Brazil–Angli                    0-0

Brazil–Austri                    3–0

Çerekfinale

Gjermani–Jugosllavi        1-0

Brazil–Uells              1-0

Suedi–B. Sovjetik            2-0

Francë–Ir.e Veriut            4–0

Gjysmëfinale

Suedi–Gjermani               3-1

Brazil–Francë                   5-2

Finalja

Brazil–Suedi                     5–2

Fonten, “Këpuca e Artë” e Botërorit

 Franceti Zhyst Fonten shënoi 13 gola në Botëror, duke vendosur edhe një rekord të pathyer ende nga askush. ekipin kombëtar francez ka zhvilluar 20 takime duke shënuar 27 gola.

Fonteni ka luajtur në radhët e Nisës dhe Reimsit. Në kampionatin francez të futbollit ka shënuar 156 gola gjatë karrierës së tij sportive.

YJET

 Pele, mbreti i futbollit botëror

 Edson Arantes Do Nascimento i mbiquajtur thjesht Pele ka lindur më 23 tetor 1940 në Tres Coraçoes të Brazilit. Gjatë karrierës së tij ka luajtur vetëm për skuadrën Santosit në vendin e tij dhe Nju Jork Kozmos në Amerikë në fund të karrierës futbollistike. Është padyshim futbollisti më i famshëm i të gjitha kohërave. Pele i cili në botërorin e vitit 1958 ishte vetëm 17 vjeç, ka shënuar 77 gola në 92 ndeshje me ekipin kombëtar brazilian. Ka qenë futbollisti më i mirë i shekullit të kaluar dhe ka fituar Kupën e Botës më 1958, 1962 dhe 1970. Ka qenë Kampion i Brazilit me skuadrën e San Paolos më: 1956, 1958, 1960, 1961, 1962, 1964, 1965, 1967, 1968, 1969, 1973. Më 1961, 1962 ka fituar Kupën Libertadores me Santosin.  Si dhe ka fituar Kupën e Brazilit në vitet 1961, 1962, 1963, 1964, 1965, 1968. Gjatë gjithë karrierës së tij ka shënuar 1281 gola në 1363 ndeshje.

  Kopa

Me përfaqësuesen franceze zhvillon 45 ndeshje. Në vitin 1958 cilësohet futbollisti më i mirë i Europës. Me Reims fiton katër herë kampionatin francez. Me Realin e Madridit u bë tri herë Kampion Evrope.

 Masopusti

Çekosllovaku është aktivizuar në 56 ndeshje duke përfshirë botëroret e viteve 1958 – 1962. Është i pari futbollist i Evropës Lindore që më 1962 fiton Topin e Artë. Në 1963 aktivizohet me përfaqësuesen e FIFA-s.

 Zbulohet skema e Kampionatit të 76-të Kombëtar. Kategoria e Parë me dy grupe me nga 10 skuadra

 FSHF: “Sezoni starton, më 23 gusht”

 Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit mori një sërë vendimesh, mes të cilave një pjesë prej tyre kanë të bëjnë me piketat për sezonin e ri futbollistik. Në këtë mënyrë është vendosur që kampionati i 76-të kombëtar i futbollit tonë të startojë me datën 23 gusht dhe të 10 skuadrat në konkurrim do të zhvillojnë një garë katër faza. Dy ekipet e renditura të fundit do të zbresin një kategori më poshtë. Ndërkohë anëtarët e KE kanë bërë edhe ndarjen e ekipeve në dy grupet konkurruese në kategorinë e parë, më shumë sipas parimit gjeografik. Në këtë mënyrë, në grupin A do të jenë këto skuadra Besa, Kastrioti, Tërbuni, Burreli, Iliria, Besëlidhja, Kamza, Mamurrasi, Ada, Veleçiku. Ndërsa në grupin B Dinamo, Bylis, Lushnja, Luftëtari, Butrinti, Tomori, Pogradeci, Shkumbini, Naftëtari, Sopoti. Në përfundim të kampionatit në këtë kategori, e para e çdo grupi fiton të drejtën për tu ngjitur në superiore, e fundit e çdo grupi bie në kategorinë e dytë, ndërsa e parafundit e çdo grupi luan ndeshje “play off” me ekipet e renditura të dytat në grupet përkatëse të Kategorisë së Dytë. Konkurrimi në këtë kategori do të vazhdojë me tre faza, ku pas dy të parave me sistem vajtje-ardhje, e treta do të jetë e paracaktuar në bazë të renditjes.

 Kupa e Shqipërisë

 Kupa e Shqipërisë do të fillojë në datën 29 gusht dhe finalja do të luhet me 23 maj

 Duros, midis Partizanit e Shkëndisë

 E ardhmja e Shpëtim Duros mes Partizanit dhe Shkëndijës së Tetovës. Trajneri kryeqytetas, i cili arriti të bënte mrekullinë me tetovarët, duke siguruar jo thjesht mbijetesën por edhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës në takimin e fundit të kampionatit maqedonas, zbuloi se ka marrë ofertë nga presidenti i të kuqve, Gazmend Demi. Në një situatë të tillë, 54-vjeçari pret të bisedojë me drejtuesit e Shkëndijës, për të marrë më pas një vendim përfundimtar. “Para dy javësh kam marrë një ofertë nga miku im presidenti i Partizanit. Me kualifikimin e Shkëndijës në Ligën e Europës do të bisedoj me drejtuesit, por nuk është ky momenti për të folur për këtë çështje

  Mërgim Mavraj transferohet te Këlni

 Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, u transferua zyrtarisht nga Grojther Fyrthi te Këlni, kampioni i Bundesligës 2 dhe që sezonin e ri do të luajë në Bundsligën 1. Lajmin e dhanë mediat gjermane, por dhe vetë Mavraj përmes faqes së tij në “Facebook”. Mërgimi falënderoi publikisht ish-klubin e tij për tre vitet e shkëlqyera që ai kishte kaluar në Furth, por dhe në urimet e tij nuk mungonin as dhe fqinjët ku kosovari banonte. “Unë nuk do t’iu harroj kurrë për mbështetjen që kemi dhënë. Ju uroj shumë suksese, juaji, numri 5”, – shkruante Mavraj. Me Grojther Fyrthin, nga viti 2011 ai luajti 73 ndeshje në Bundesligën 2 dhe 32 ndeshje në Bundesligën 1. “Mërgim ishte nga dita e parë një lojtar special për ne. I urojmë shumë sukses”, – tha Presidenti i Fyrthit, Helmut Hak. 27-vjeçari nënshkroi një kontratë me Këlnin deri, më 30 qershor 2017.