Magani: “S’shkojmë në Korçë, për të parë borën”

510
Sigal

Trajneri i Tiranës e pranon: “Skënderbeu është skuadra më e fortë e kampionatit shqiptar”

Si asnjë herë më parë, Skënderbeu, kampioni në fuqi i vendit dhe Tirana, skuadra me më shumë tituj në Shqipëri, do të përballen midis tyre në këto pozita ekstreme: korçarët, si kryesues të kampionatit e favoritët për titull dhe bardheblutë, në vend të fundit dhe kandidatët numër një për të rënë një kategori më poshtë. Kjo është tabloja midis dy skuadrave, që do të përballen këtë fundjavë në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore, e që i ndan një diferencë prej 16 pikësh pas 14 javëve të luajtura. Të dyja ekipet vijnë nga barazimet 1-1, Skënderbeu në Kukës, ndërsa Tirana me Vllazninë në kryeqytet.

Trajneri i Tiranës, Gugash Magani nuk e humbet besimin duke kërkuar maksimumin nga djemtë e tij. Sipas teknikut peqinas, problemi më i madh i grupit të tij nuk qëndron te këmbët, por te koka. Transferta në stadiumin “Skënderbeu” është një sfidë e analizuar deri në detaje nga tekniku që i kërkon skuadrës të mos hyjë në aventurë. Magani pranon me vetëdije se, Skënderbeu është skuadra më e fortë e kampionatit shqiptar. Të paktën në katër vitet e fundit, ndeshja Skënderbeu–Tirana, vitet e fundit nuk ka qenë asnjëherë një sfidë normale për futbollin shqiptar, pasojë e ndërrimit të kahut të forcës, me peshoren që ka filluar të anojë nga Skënderbeu. Në fakt, në tre duele direkte për trofe, ato të “Superkupës”, ishte Tirana e drejtuar nga spanjolli Hulian Rubio, që fitoi si në Korçë (1-0, 2011), ashtu dhe në Tiranë (2-1, 2012), por në Kupën e Shqipërisë (1-0, 2012). Gjithsesi, këtë sezon fundit, diferencat mes dy skuadrave janë thelluar, aq sa duket paradoksale, që dy ekipet ndajnë pikërisht dy skajet e klasifikimit. Nëse prezenca e Skënderbeut, aty përpara nuk përbën habi, ajo që të lë pa fjalë është prania e bardhebluve në fundin e renditjes. Në Korcë, biletat janë shitur të gjitha, tifozeritë kanë bërë gati banderolat, ndërsa nga kryeqytetit tifozët e Tironës, do të ndërmarrin një udhëtim masiv drejt qytetit juglindor, me shpresën se dueli ndaj ujqërve të dëborës do të flasë gjuhën e tyre, duke i ndihmuar që t’i japin dhe kthesën përfundimtare sezonit. Mirel Çota është alternativa e vetme në sulmin bardheblu dhe këtë e konfirmon edhe vetë Magani që shton gjithashtu se mbrojtësi Endri Vrapi është rikthyer në dispozicion pas pezullimit.

 Femrat e Rrakllit ngjiten në FIFA

 Nga vendi i 60-të kur ishte në muajin gusht, ekipi i drejtuar nga Altin Rraklli tani ndodhet në pozitën e 59-të me 1379 pikë, ndërsa që në nivel të kontinentit renditet e 32-ta. Kombëtarja jonë ndodhet midis Sllovenisë (58) dhe Panamasë (60), ndërsa në atë europiane midis Sllovenisë (31) dhe Kroacisë (33). Shqipëria për herë të parë pas themelimit luajti në kualifikimet për kupën e botës “Kanada 2015″, duke kaluar fillimisht fazën parakualifikuese, për tu plasuar në fazën e grupeve. Ndonëse rezultatet në grupe nuk janë shumë të kënaqshme, të paktën deri tani, pasi prej 4 ndeshjeve në grup, vashat shqiptare arritën të korrnin vetëm një fitore, dhe atë në shtëpi kundër Greqisë. Deri në fund të kualifikimeve, Shqipëria luan edhe 7 ndeshje, 3 prej të cilave si vendas. Ndërkohe, listës së Kombëtareve më të forta i prinë SHBA, të ndjekur nga Gjermania, Japonia dhe Brazili, ndërsa që top-10 e mbyll Republika Demokratike e Koresë.

 Kapllani, kundër së kaluarës së tij

 Edmond Kapllani do të luajë të dielën kundër Karlrsuhes, skuadrës me të cilën ai u bë i njohur në Gjermani dhe shënoi 26 gola në 128 ndeshje. Pra, do të jetë tepër emocionues për durrsakun, tashmë të falur nga klubi i tij, FSV Frankfurti. Vetëm dhjetë ditë më parë, klubi e pezulloi sulmuesin shqiptar, por një mbledhje e skuadrës, që i kërkoi drejtuesve ta falnin sulmuesin shqiptar ndryshoi gjithçka. Tashmë tre ditë më vonë, Kapllani është jo vetëm i falur nga klubi, por në sfidën e kësaj fundjave ndaj Karlsruhe do të luajë në formacion. Mundësia më e mirë për sulmuesin për tu rikthyer tek forma e mëparshme. Kapllani është golashënuesi më i mirë i Fsv Frankfurt këtë sezon me 7 gola. Tashmë duhet të vërtetojë veten, sepse edhe De Biasi po mban shënime. Ekipi kombëtar i femrave në futboll ka shënuar ngritje për një pozitë në ranglistën e fundit të publikuar ditën e sotme nga FIFA.

 Gara për kupën “Rinia”, Basha: “Bashkia, afër sportit”

  Mbi 3000 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit po garojnë për kupën “Rinia”, në gjimnastikë aerobike. Në nisje të këtij aktiviteti ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Lulzim Basha i cili është dhe një nga mbështetësit kryesorë të saj. Në fjalën e përshëndetjes, zoti Basha ka garantuar të rinjtë e kryeqytetit se Bashkia e Tiranës do ta mbështesë gjimnastradën, që të organizohet në mënyrë të përvitshme në kryeqytet. “Unë ju jap fjalën që Bashkia juaj do të mundësojë që gjimnastrada të kthehet në mënyrë të përvitshme sepse është mirë për ju, për fizikun tuaj, për kënaqësinë që i falni prindërve tuaj. Ju rrezatoni kaq shume kënaqësi anembanë qytetit, në këtë sezon festash, dhe  i jepni kaq shumë bukuri dhe hijeshi me vallet, këngët, me ushtrimet tuaja. Ju lumtë!

Ju jeni brezi i ri i Shqipërisë, me të cilin çdo shqiptar krenohet dhe do të krenohet edhe më shumë, sa më shumë vitet përparojnë.  Ju jeni fytyra më e bukur dhe më e dlirë e Shqipërisë europiane. Jeni europianë të merituar! Ju uroj suksese dhe ju garantoj se ne do të vazhdojmë ta bëjmë sportin, dansin, pjesëmarrjen sportive, një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë suaj. Kompjuteri dhe librat janë të rëndësishëm por mos harroni! Aktiviteti sportiv është akoma më  i rëndësishëm në moshën tuaj, ndaj ditën e nesërme, Bashkia e Tiranës ka organizuar dansin sportiv, më datë 22 kemi organizuar aktivitetin “Jeto me sportin”, do të rifillojmë kampionatet dhe për çdo fitues, Bashkia do të ketë shpërblime, çmime të veçanta, do të ketë udhëtime. Ne jemi krenarë me ju, bravo ju qoftë! Faleminderit dhe gëzuar festat!”,  – deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Studentët marshim në Dajt në Ditën Ndërkombëtare të Malit

 Më datën 12 dhjetor, Drejtoria e Trajtimit të Studentëve nr.2 në kryeqytet organizoi një marshim në Malin e Dajtit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare e Malit. Një marshim dhe një piknik në pikën më të lartë të kryeqytetit, që mblodhi rreth 65 studentë konviktorë të Fakultetit të Mjekësisë e Inxhinierisë. Iniciativa e Drejtorisë u përkrah nga shumë studente dhe drejtues, që shfrytëzuan një mundësi të mirë për të kaluar disa orë në një mjedis të qetë e me ajër të pastër. Një marshim që ishte një sensibilizim i mirë për të vënë në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e Maleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të tyre, për të ruajtur cilësinë e jetës së njerëzve. Dhe promotor i këtij marshimi nuk mund të ishte tjetër veç një ish-sportist kampion, Drejtori i Trajtimit të Studentëve Nr.2 në kryeqytet, z.Viron Bezhani, njëkohësisht presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. “Gjithnjë kam theksuar se rinia jonë duhet të merret me aktivitete dhe të ndërgjegjësohet se me sport do të jetë më e shëndetshme. Dhe ky marshim ishte një mundësi e mirë për t’iu larguar kafeneve, rutinës e smogut. Unë jam shumë i kënaqur që kjo iniciativë gjeti mbështetjen e kaq shumë studentëve”, u shpreh dje Viron Bezhani, që në atë marshim nuk ishte një Drejtor, por një udhërrëfyes i mire dhe një mik udhe.

Ky marshim nisi rreth orës 10:30 të paradites së djeshme, kur të gjithë studentët e stafi i Drejtorisë së Trajtimit të Studentëve u grumbulluan pas një udhëtimi me teleferik në sheshin përballë ish-kampit. Më pas, një grup prej 30 vetash nisën marshimin, duke provuar njëkohësisht kënaqësinë e këtij udhëtimi, dëshirën për të provuar një sfidë të re e natyrisht edhe lodhjen. Pas gati 90 minutash rrugë studentët mbërritën në pikën më të lartë të Malit të Dajtit (tek antenat), ku dhe ngritën një flamur kuqezi. Një marshim që ishte një mundësi e mirë për studentët për të bërë foto e për të thithur ajrin e pastër. Në fund një piknik i këndshëm dhe shumë kujtime që do të mbahen mend gjatë nga studentët.