Lysjen Nurishmi: Prioriteti ynë në futbollin e moshave, një detyrim për vazhdimësi të progresit

685
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, aktualiteti dhe vazhdimësia e sezonit pas Asamblesë
Viti 2018 po mbyll muajin e dytë të tij, dhe në këtë hapësirë, futbolli shqiptar ka funksionuar me përgatitje, miqësore dhe rifillimin e pjesës së dytë të sezonit në Kampionat dhe Kupë. 
Për situatën aktuale, Shefi i Sektorit të garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, deklaroi dje për gazetën “Telegraf” , se nga ana e institucionit të futbollit, angazhimi është i madh për një garë të rregullt e Fair-play. Në këtë intervistë, Nurishmi u ndal edhe tek problematikat që kanë qenë prezent kohët e fundit në futboll, edhe pse, sipas tij, për FSHF-në prioritet është futbolli i moshave, si një detyrimin për vazhdimësinë e progresit. “Një nga prioritetet e FSHF-së në katër vitet e ardhshme është zhvillimi dhe promovimi i futbollit të moshave dhe i të rinjve. Tashmë ka filluar të zbatohet dhe projekti “Grow”, me një bashkëpunim mes FSHF-së, UEFA-s dhe Ministrisë së Arsimit”, kështu deklaroi midis të tjerave në intervistën e tij Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi.
Deri në këtë periudhë të sezonit, 2017-2018, si ka qenë mbarëvajtja e garës në futbollin shqiptar?
Normalisht në këtë edicion e në vazhdim, në futbollin shqiptar nuk ekziston më dukuria e skuadrës së fushës, e për pasojë, fitoret e skuadrave si brenda dhe jashtë fushës, janë të balancuara. Është duke u luajtur futboll “Fair”, pa asnjë presion.

Ka pasur problematika në vazhdimësinë e saj gara e këtij sezoni?
Natyrisht që ka problematika, këtë nuk mund ta mohojmë, por në tërësinë e tyre ato nuk kanë dhënë ndikimin e tyre në ecurinë e gjithë garës. Të gjitha problematikat që janë shfaqur, janë bërë objekt i trupave juridike në FSHF, me qëllimin e zbutjes së tyre.

Në statistikat tuaja, aktualisht kemi një kampionat superior të mirë apo normal?
Të mirë dhe normal unë i kuptoj ndryshe. Sepse në normalitet mund të biesh në rutinë, ndërsa në përsosmëri, kuptohet që je më mirë. Po kështu edhe kampionati superior, ku bazuar në statistikat tona, ka progres sa i përket rivalitetit, shënimit të golave dhe fitoreve jashtë fushe. Lufta në të gjitha pozicionet që kanë skuadrat në renditje, tashmë është shumë e fortë.

Dhuna në futbollin tonë për këtë sezon ka kulmuar në Këlcyrë, në tërësi, ky është një rast i veçuar në këtë sezon?
Ne e kemi quajtur rastin e dhunës në Këlcyrë, si një episod të veçuar, i vetmi në këtë sezon që ka pasur si objekt zyrtarët e ndeshjes. Ka pasur edhe problematika në shkallët e stadiumit, me ofendime apo çështje disiplinore në fushën e lojës, por Këlcyra mbetet rast i veçuar.

Në cilat kategori të futbollit shqiptar kanë qenë më evidente rastet e dhunës?
Më evidente rastet e dhunës kanë qenë në kategoritë e ulëta të futbollit tonë, por ato nuk kanë ndikuar në cenimin e garës dhe në përcaktimin e rezultateve. Nga ana jonë si FSHF, të gjitha rastet janë bërë objekt i trupave juridike, gjithmonë në luftë për minimizimin e tyre.

Gjatë këtij sezoni ka pasur shumë akuza për arbitrat, ju si i keni gjykuar ato?
Gjatë garës ka pasur polemika, ka pasur edhe gabime por edhe fjalë fyese për arbitrat, kryesisht të bëra pas ndeshjeve, ku njëra apo tjetra skuadër ka pasur pretendime për gjykimin. Por këto kanë qenë më shumë deklarime emocionale, sepse më vonë, edhe vetë deklaruesit nuk kanë dashur të pranojnë çka kanë thënë.

Në prioritetet e së ardhmes, në FSHF është deklaruar futbolli i moshave dhe i të rinjve, çfarë synohet më konkretisht?
Në katër vitet e ardhshme synohet zhvillimi e promovimi i futbollit të moshave dhe i të rinjve. Ka filluar të zbatohet dhe projekti “Grow”, një bashkëpunim mes FSHF-së, UEFA-s dhe Ministrisë së Arsimit, ku në çdo shkollë të Shqipërisë do të ketë një orë mësimi që do të quhet “Ora e futbollit”. Ndërkohë, për U17 e U19 jemi në edicionin e tretë i Kupës së Shqipërisë, veç organizimit të kampionateve respektivë.
Rasti i Skënderbeut
“Në FSHF ende nuk ka ardhur ndonjë njoftim zyrtar për këtë rast, për gjithë informacionet ne jemi njohur vetëm mediatikisht. Ne do të shpresonim që nga UEFA të mos kemi ndëshkim drastik sikundër edhe përflitet, ndërsa jemi në pritje. Nëse do të ketë ndëshkim, ndikimi i tij do të ndjehet vetëm te skuadrat që synojnë Titullin Kampion”.
Një nga prioritetet e FSHF-së në katër vitet e ardhshme është zhvillimi dhe promovimi i futbollit të moshave dhe i të rinjve. Tashmë ka filluar të zbatohet dhe projekti “Grow”, me një bashkëpunim mes FSHF-së, UEFA-s dhe Ministrisë së Arsimit. Në çdo shkollë të Shqipërisë do të ketë një orë mësimi që do të quhet, ora e futbollit
Sigal