Lulzim Sallaku: “Priteni Partizanin në Superligë!”

577
Sigal

Presidenti i të kuqve flet për gazetën “Telegraf”, pas fitores 3-2 me Mamurrasin në “Qemal Stafa”

 Partizani fitoi 3-2 me Mamurrasin, duke e rritur sërish në +5 pikë diferencën me Pogradecin e vendit të tretë. Suksesi i të kuqve erdhi në minutat e fundit të takimit, falë këmbënguljes dhe shënjestrës precize të Lalës. Tifozët e Partizanit dhuruan spektakël në “Qemal Stafa”, në një ndeshje të zhvilluar në një orë të pazakontë për takim të Kategorisë së Parë, me sfidën që nisi në orën 20:00. Presidenti i Partizanit, Lulzim Sallaku, u shpreh për gazetën “Telegraf” se, fitorja ishte e merituar dhe se skuadra do të bëjë gjithçka për ta rikthyer legjendën e kuqe në Kategorinë Superiore, atje ku e kanë vendin 15 herë kampionët e Shqipërisë.

 – Zoti Sallaku, me fitoren 3-2 ndaj një rivali si Mamurrasi, Partizani gjithmonë e më afër rikthimit në Superligë, objektiv që e shpallët dhe ju personalisht kur morët drejtimin e klubit. Si do ta vlerësonit suksesin e arritur?

 – Ishte një takim që, e kishim vlerësuar maksimalisht dhe mendoj se, e merituam fitoren, me lojën që bëri skuadra. Shënuam tre gola, që na siguruan edhe tri pikët, të cilat i synuam gjatë gjithë takimit. E përsëris, ishte meritë e të gjithëve.

 – Partizani ka tifozerinë më të madhe në vend, një tifozeri që është e pranishme në të gjithë Shqipërinë dhe që pret realizmin e objektivit të madh…

 – Besoj se, të gjitha premtimet që kemi bërë, kemi treguar se dimë ta mbajmë fjalën dhe t’i realizojmë një nga një të gjitha. Ne do të vazhdojmë me revanshin tonë, sulmin drejt synimit të madh. Jemi në rrugë të mbarë dhe këtë po e vërtetojmë çdo ditë.

–  Partizani, duket më agresiv në këto ndeshjet e fundit, ndërsa lojtarët gjithmonë e më shumë të motivuar. Cili është gjykimi juaj?

 – Të gjithë jemi të vetëdijshëm për misionin që kemi, në realizimin e synimi të madh. Jemi më ofensivë në sulm, shënuam tre gola, por edhe pësuam dy, por e rëndësishme është që fituam.

 – Një Partizan që, të gjithë e presin në Superligë, atje dhe ku ka bërë historinë. Sa ju emocion?

 – Është diçka që, e presim të gjithë. Gjithsesi, ka dhe gjashtë ndeshje dhe ne duhet të japim më të mirën tonë.

   

JAVA 24

PARTIZANI-MAMURRASI 3-2

 Mamurrasi e befasoi Partizanin, kur Metaj shënoi pa kaluar dy minuta lojë. Gjithsesi, Malo barazoi me penallti në minutën e 4-t, për t’u dhënë avantazhin të kuqve në të 9’. Metaj barazoi 2-2 për Mamurrasin në minutën e 53-të, ndërkohë që të kuqtë vuajtën jo pak për të shënuar golin e fitores me anë të Lalës dy minuta përpara përfundimit të ndeshjes, që mbylli edhe javën e 24-t të Kategorisë së Parë. Me këtë fitore, Partizani u ngjit në kuotën e 47 pikëve, pesë më shumë se Pogradeci i vendit të tretë.

 

Kategoria e Parë

Java 24

 

Dje, 08.04.2013

Partizani-Mamurrasi  3-2

 

Të shtunën, 06.04.2013

Besëlidhja-Tërbuni   2-0 

Elbasani-Burreli           2-0       

Butrinti-Dinamo      2-2       

Ada-Iliria           2-0 

Lushnja-Pogradeci    0-1 

Kamza-Gramshi        1-0 

Naftëtari-Himara           0-0

 

 

RENDITJA

 

1    Lushnja         24   +25  56

2    Partizani       24   +5   47

3    Pogradeci       24   +11  42

4    Mamurrasi       24   +8   39

5    Tërbuni         24   +10  36

6    Iliria          24   +2   32

7    Burreli         24   -2   30

8    Gramshi         24   -12  30

9    Dinamo          24   +0   29

10   Himara          24   -2   29

11   Butrinti        24   -3   29

12   Elbasani        24   -7   28

13   Kamza           24   -11  28

14   Ada             24   -2   27

15   Besëlidhja      24   -6   25

16   Naftëtari       24   -16  20

 

  Ultrasit e Tiranës: “Po, përdorët sërish dhunë do t’iu padisim në Prokurori”

 “Tirona fanatiks”: “S’e meritonin dhunën e policisë”

  Pas dhunimit që i është bërë nga policia e shtetit gjatë sfidës Tirana–Skënderbeu (1-0), tifo grupi “Tirona fanatiks” kanë reaguar me një deklaratë për shtyp drejtuar opinionit publik. Sipas tyre dhuna në shkallët e stadiumit dhe më tej në komisariat ka qenë e tepërt, e panevojshme dhe e pajustifikuar. Në deklaratën për shtyp tifogrupi “Tirona fanatiks” ka kërkuar të sqarojë opinionin publik. “Ne, Tirona Fanatics, në emër edhe të gjithë tifozerisë së klubit të futbollit Tirona duam t’i

bëjmë të njohur publikut qëndrimin tonë mbi dhunën e sotme që kanë ushtruar forcat e rendit. Ashtu si edhe në shumë ndeshje të tjera forcat e Policisë së Shtetit kanë ushtruar dhunë të tepruar, të panevojshme dhe të pajustifikuar karshi tifozëve të pranishëm në stadium. E konsiderojmë të tepruar sepse tifozët e Tironës, disa të tyre ende jo në moshë madhore janë trajtuar brutalisht nga forcat e policisë, e cila mund t’í kishte shoqëruar qetësisht në komisariate për të kryer verifikimet e nevojshme. Themi që dhuna ishte e panevojshme sepse tifozët e shoqëruar (mbi 20 vetë) në komisariat nuk kanë reaguar e kundërpërgjigjur edhe pse kanë pësuar fizikisht. Përkundrazi, në mënyrë qytetare kanë pranuar të shkojnë me forcat e rendit, edhe pse që kur kanë qenë brenda në stadium, gjatë shoqërimit deri në furgonat e policisë jashtë stadiumit si edhe gjatë rrugës drejt Komisariatit nr 1 kanë përjetuar dhunën e policisë. Dhuna ka qenë e pajustifikuar, pasi tifozët kanë qenë duke shikuar ndeshjen paqësisht, e nuk kanë dëgjuar asnjë arsye pse mbi ta ushtrohej dhunë. Reagimi i vetëm i tifozëve në stadium ka qenë largimi nga shkallët e stadiumit si protestë ndaj veprimeve të policisë. Edhe kjo protestë është penguar nga Policia e Shtetit pasi janë mbyllur dyert e stadiumit dhe pse kishte tifozë që kërkonin të dilnin nga stadiumi. Nuk mendojmë kurrsesi që kjo është sjellja e një policie normale dhe nuk duam ta besojmë që është qëndrim zyrtar i policisë karshi tifozëve të Tironës apo kujtdo sportdashësi tjetër. Ne kërkojmë vetëm që policia e shtetit të fillojë të kuptojë që taksapaguesit janë njësoj, si ato që shkojnë e shikojnë një shfaqje në teatër, ashtu edhe ata që shkojnë në stadium. Futbolli dhe kampionati i futbollit zhvillohet pikërisht për tifozët, të cilët u detyruan të largohen nga stadiumi e nuk mundën të ndjekin normalisht një ndeshje që luhej për ta. Do të donim shumë që Policia e Shtetit të reagojë karshi situatës së sotme duke përmirësuar veten pasi sjellje të tilla nuk janë më të tolerueshme e do shoqërohen me kallëzime penale për policinë. Do të ftonim të gjithë sportdashësit dhe publikun e gjerë që të mos e deformojnë këtë situatë duke e përkthyer në politike. Në asnjë moment nuk ka pasur motiv politik nga ana e tifozëve dhe do të donim që të trajtohej në këtë formë siç e parashtrojmë ne. Qëllimi jonë është përmirësimi i kushteve të trajtimit të tifozëve e jo përdorimit politik pasi tifozeria s’ka lidhje me politikën”. Kjo deklaratë e “Tirona fanatiks” vjen pasi nuk dëshirojnë që kjo situatë të përdoret politikisht, duke kërkuar një trajtim më të mirë të tifozëve në shkallët e stadiumit.

 Europiani i Peshëngritjes, fillim i mirë për Shqipërinë

 Me një ceremoni të denjë për një eveniment të përmasave gjigande që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ka ngritur siparin Kampionati Europian i Peshëngritjes. Për një javë me radhë kryeqyteti shqiptar do të presë në këtë kompeticion 400 sportistë nga 48 shtete të kontinentit të vjetër. Në këtë veprimtari, Shqipëria do të përfaqësohet me 10 sportistë, 8 meshkuj dhe 2 femra. Vëmendja do të drejtohet të Briken Çalja, Daniel Godelli, Fetije Kasaj dhe padyshim, Romela Begaj, të cilët garojnë për medalje, ndërsa do të ngjiten në pedanë të mërkurën.

Shqipëria e nisi pozitivisht Europianin e peshëngritjes për të rritur që po zhvillohet në Tiranë në pallatin e sportit Asllan Rusi. Në kategorinë 56 kg ekipi shqiptar u përfaqësua nga dy peshëngritës të rinj dhe me perspektivë, që arritën rezultate brenda pritshmërive së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Anxhelo Shabani u ngjit i pari në pedanë, duke ngritur fillimisht 80 kg në stilin e shkëputjes, ndërsa në dy provat e mbetura ngriti respektivisht 90 dhe 95 kg. Në këtë stil Arbër Çerçizi ngriti 90 kg në provën e parë, 100 në të dytën, por dështoi në të tretën ku pretendonte të ngrinte 108 kg. Në stili e shtytjes Shabani realizoi me sukses dy provat e para duke ngritur 100 dhe 105 kg, ndërsa në të tretën nuk arriti të ngrinte 111 kg. Edhe Cerzici nuk pati probleme në dy provat e para teksa ngriti 110, dhe 117 kg, ndërsa e pati të pamundur të ngrinte me sukses në provën e tretë 125 kg. Anxhelo Shabani e mbylli në dygarësh me 200 kg, ndërsa Arbër Çercizi me 217 kg. Trajneri i ekipit kombëtar shqiptar, Ilir Cela, u shpreh i entuziazmuar për rezultatet e dy të rinjve Shabani dhe Çercizi, që marrin më shumë vlerë në renditjen ekipore.