Luiza Gega tallet me serben Terziç

586
Sigal

Atletja shqiptare hyn në gjysmëfinalen e 1500m në Botërorin e Moskës. Lë pas 200 metra serben

Luiza Gega, atletja më e mirë shqiptare e momentit, arriti të kualifikohet në gjysmëfinalet e garës së 1500 metrave në Botërorin e Atletikës, që po zhvillohet në Moskë (10-18 gusht 2013) duke kapur kohën e 20-të më të mirë nga 37 atlete pjesëmarrëse. Kampionia dhe rekordmenia e Shqipërisë u pozicionua e 8-ta nga 13 pjesëmarrëse në baterinë e saj, atë me numër 1, duke fiksuar kohën 4 minuta, 8 sekonda dhe 76 të qindtat dhe fituar të drejtën për të marrë pjesë në gjysmëfinalet e disiplinës së saj. Në baterinë e Luiza Gegës konkurroi edhe atletja serbe Amela Terziç, por koha e kësaj të fundit ishte gati 20 sekonda më e ngadaltë: 4:27.89  – ose rreth 200 metra pas vrapueses sonë, çka e bëri serben qesharake në stadiumin olimpik të Moskës. Në fakt, 24-vjeçarja Luiza Gega u rendit e teta, ndërkohë që në tre bateritë kualifikuese, sipas formulës arrinin të kalonin më tej gjashtë të parët, si dhe gjashtë atletet e tjera me kohën më të mirë, mes të cilave Gega ishte e treta. Gjithsesi atletja durrsake duhet thënë që nuk regjistroi rezultatin e saj më të mirë, i cili është ai i regjistruar në Sceszin këtë vit (15 qershor 2013) me kohën e 4 minuta 5 sekonda e 11 të qindtat, pak më i shpejtë se rezultati me të cilin ajo mori medalje argjendi në Lojërat Mesdhetare. Nëse Gega do të kishte regjistruar rezultatin e saj më të mirë, ajo do të kishte qenë e para nga të tri bateritë kualifikuese. Garën gjysmëfinale atletja shqiptare, do ta ketë me datë 13 gusht, në 18:40 me orën tonë dhe do të garojë në baterinë numër 1. Në finale, kualifikohen pesë atletet e para për çdo bateri dhe 2 kohët më të mira. Gega la pas atlete nga vende të njohura dhe me traditë, të tilla si Holanda, Gjermania, Rumania, Italia, Britania, Tuqiqia, apo dhe Kanadaja, Etiopia.

BATERIA 1

 1. Abeba Aregavi (Suedi)   4:07.66 K

2. Siham Hilali (Marok)    4:07.82 K

3. S.Podosenova (Rusi)     4:07.87 K

4. Nansi Langat (Kenia)    4:07.98 K

5. Renata Plis (Poloni)    4:08.20 K

6. Mary Cain (SHBA)        4:08.21 K

7. K. Van Buskirk (Kanada) 4:08.65 K

8. LUIZA GEGA (SHQIPËRI)   4:08.76 K

9. Maurin Koster (Holandë) 4:08.99 K

10. Gelete Burka (Etiopi) 4:11.26

11. Laura Vajtman (Britani) 4:14.38

12. Rosibel Garcia (Kolumbi) 4:15.38

13. AMELA TERZIÇ (SERBI)   4:27.89

RENDITJA E PËRGJITHSHME

1. Genzebe Dibaba (Etiopi)      4:06.78 K

2. Hellen Obiri (Kenia)    4:06.98 K

3. Zoe Buckman (Australia)      4:06.99 K

20. Luiza Gega (SHQIPËRI) 4:08.76 K

21. Maurin Koster (Holandë) 4:08.99 K

37. Amela Terziç (Serbia) 4:27.89

 Izmir Smajlaj, në kërcim së gjati

 Shqipëria përfaqësohet në Botërorin e Moskës edhe me atletin e kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj. Rezultati më i mirë i shkodranit është 7.54 metra, i arritur më 10 maj 2013. Smajlaj do të garojë, më 14 gusht.

Të kuqtë kanë realizuar 12 blerje në merkaton e verës. Synojnë një vend në Europë

 Musta, goditja e radhës e Partizanit

  Partizani merr edhe një tjetër lojtar nga ekipi kombëtar i shpresave. Pas Amir Rrahmanit, skuadra e “kuqe” ka firmosur edhe sulmuesin elbasanas Emiljano Musta. 21-vjeçari i cili së fundmi ka luajtur për skuadrën e Shkumbinit dhe flitej për  një kalim të mundshëm në vendlindje te skuadra e Elbasanit, ka firmosur për  një vit me mundësi rinovimi. 15 herë kampionët e Shqipërisë janë në negociata me një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për ish-sulmuesin e Shkëndijës së Tetovës, Muzafer Ejupi që për pak kohë ishte pjesë e Skënderbeut. Ejupi ka qenë edhe më parë në fokusin e drejtuesve të kuq, madje këta të fundit kanë shprehur interes për ta afruar në skuadër. Partizani nuk fiton një kampionat nga sezoni 1992-1993, një Kupë të Shqipërisë nga viti 2004 dhe një Superkupë po nga ai vit. Takimi i parë e Partizanit në kampionat është ajo kundër Kastriotit në Krujë. Derbi me Tiranën është në javën e 7-të. Të kuqtë janë rikthyer në Superligë pas një mungesë katërvjeçare (nga 2009) dhe tashmë kanë një ekip krejt tjetër nga ai që bëri të mundur rikthimin në Kategorinë Superiore.

12 blerjet e kuqe

 Tek të kuqtë janë afruar Besnik Krasniqi, Gezim Krasniqi, Ertan Demiri, Mevlan Murati, Labinot Ibrahimi, Behar Maliqi, Alban Hoxha, Aldo Mitraj, Mentor Mazrekaj, Armir Rrahmani, Renato Hyshmeri dhe Emiljano Musta.

 Miqësore, Prishtina-Partizani 1-1

 Partizani barazoi 1-1 me Prishtinën në miqësoren e zhvilluar në kryeqytetin e Kosovës. Të kuqtë kaluan në avantazh në minutën e 52-të takimit me autor Renato Hyshmerin. Për vendasit barazoi shifrat Begolli në minutën e 68-të.

 Gega përgatit Shpresat kundër Hungarisë

 Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë u grumbullua në mesditë në kompleksin “Tropikal” në kuadër të përgatitjeve për sfidën eliminatore me Austrinë, që do të zhvillohet më 14 gusht në stadiumin “Flamurtari” të qytetit të Vlorës. Trajneri Skënder Gega ka bërë ndryshimet e duhura në organikë, për të arritur rezultatin e parë pozitiv në Grup pas humbjeve me 2-1 dhe 4-1 përkatësisht ndaj Hungarisë (në Durrës) dhe Bosnjë-Hercegovinës (në Zenica). Gega parashikon një sfidë shumë të vështirë me Austrinë, që mbetet një nga ekipet me të forta europiane për këtë grup-moshë. Trajneri i Shpresave beson se, në Vlorë do të kenë mbështetjen e tifozëve. Në listën e 20 lojtarëve të thirrur, vetëm shtatë luajnë në kampionatin shqiptar.

Lenjani, “zbulimi” i ri i De Biazit

Mesfushori shqiptar i St. Gallenit, Ermir Lenjani, ka marrë një ftesë nga trajneri italian i Kombëtares, Xhani De Biazi për ndeshjen miqësore kundër Armenisë. Lenjani kështu bëhet lojtari i dytë debutues që konfirmohet, pas mesfushorit të Grasshopersit Shkëlzen Gashi tashme të konfirmuar. Në katër ndeshjet e zhvilluara në Superligën, 24-vjeçari Lenjani ka luajtur për 90 minuta në të gjitha takimet duke u bërë një titullar i pazëvendësueshëm.

LEGJIONARËT

Teli-Agolli fitojnë 5-1

 

Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit fitoi 5-1 ndaj Standard Sumqayt në kampionatin azerbajxhanas. Takimi ishte i vlefshëm për javën e dytë të Premier Ligës azere. Pjesa e parë u mbyll 1-0, ndërkohë që skuadra e dy lojtarëve të Kombëtares sonë shpërtheu në fraksioni e dytë, teksa dallohet Silva me tregolëshin e tij. Miqtë e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë.

HYKA

Lucerni i mesfushorit shqiptar barazoi 1-1 me Tunin në javën e 5-të të kampionatit zviceran. Martinez (53’) realizoi për Tunin, barazoi Shtahel (57’) për Lucernin. Hyka luajti si zëvendësues nga minuta e 78-të. St. Galen i Kristian Nushit fitoi 2-0 me Lozanën.

SALIHI

Paraqitje e dobët në shtëpi e Jiangsy Sainty, skuadrës kineze ku aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi. Jiangsu Sainty humbi 0-2 me Guizhou Renhe, ndërkohë që Qu Bo ishte autori i të dy golave (33’ dhe 58’).

BULKU

Sepahan i Ervin Bulkut dhe Xhevahir Sukajt humbi 0-1 në shtëpi me Traktor Sazi, në javën e katërt të kampionatit iranian. Mesfushori i Kombëtares, Bulku, ishte në fushë, ndërkohë që sulmuesi shkodran është ende në rikuperim e sipër.

PLAKU

Slask Vroklav i Sebino Plakut mori një barazim të çmuar 2-0, edhe pse kundërshtari, Pogoni Szcecin udhëhoqi 2-0. Sulmuesi shqiptar hyri në lojë në minutën e 45-të, por pa mundur të shënojë. Takimi ishte i vlefshëm për javën e katërt të kampionatit polak.

HASANI

Cehalul Piatra i Edon Hasanit fitoi 1-0 me Panduru Targu, në takimin e vlefshëm për javën e katërt të kampionatit rumun. Vetëm qëndrim në bankinë për mesfushorin shkodran, të transferuar nga bullgarët e Liteksit të Loveçit. Sot, luan Azdren Llullaku me Gaz Metanin.