Luhet Partizani-Dinamo, Tirana ndahet në kuq e blu

730
Sigal

Të shtunën do të luhet derbi i vogël i kryeqytetit, por për herë të parë në Kategorinë e Parë

Pas derbit midis Partizanit dhe Tiranës në Kupën e Shqipërisë, që pa fitues bardheblutë, të shtunën (15:00) do të luhet një tjetër derbi, ai midis Partizanit dhe Dinamos, por kësaj radhe jo më si dikur në Kategorinë Superiore, por një kategori më poshtë, në të Parën. Pra, një derbi i pazakontë për dy nga ekipet që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar në vitet 1950-2010, duke fituar jo pak, por 33 kampionate së bashku: Dinamo 18 (i fundit në vitin 2010) dhe Partizani 13 (i fundit në vitin 1993). Dy skuadrat e kryeqytetit shqiptar, dikur të mbështetura nga Ministria e Mbrojtjes (Partizani) dhe nga Ministria e Brendshme (Dinamo) e kanë fituar së bashku Kupën e Shqipërisë, 28 herë në 60 edicione, pra gati gjysmën, por tani situata e tyre nuk është aspak e zakonshme. Pas pesë ndeshjeve të para, Partizani ka një pikë më shumë së Dinamo, 9 me 8.

PARTIZANI

Të kuqtë u rikthyen në Kategorinë e Parë, pas një sezoni stazh në të Dytën, teksa e fituan të drejtën si fitues të grupit B, por pa mundur të dalin kampionë të Kategorisë së Dytë, pasi humbën në finale me Tërbunin e Pukës. Gjithsesi, me ndryshimin e presidencës dhe minimizimi të problemeve financiare, skuadra e kuqe ka si objektiv ringjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Sipas skemës së paravendosur, nga Kategoria e Parë ngjiten direkt në Kategorinë Superiore vetëm dy skuadrat që zënë dy vendet e para. Misioni nuk është dhe aq i lehtë, pasi në të Parën militojnë skuadra si Lushnja (aktualisht në vend të parë me 12 pikë), Elbasani, Dinamo, Kamza, Besëlidhja apo Pogradeci, që kanë qenë më parë në Superligë. Ecuria e pesë javëve të para të Partizanit ka qenë në kontrast. Gjithsesi, skuadra e drejtuar nga trajneri Nikolin Çoçlli është në rritje. Partizani fitoi me Adën në Velipojë, por humbin në javën e dytë 3-1 me Butrintin në kryeqytet. Më pas erdhi humbja 3-1 në Elbasan, por në dy ndeshjet e fundit, të kuqtë fituan 3-2 me Tërbunin dhe 2-1 me Burrelin. Pa pesë ndeshjeve të para kanë grumbulluar 9 pikë, 3 më pak se Lushnja kryesuese, 12.

DINAMO

Pas titullit kampion të sezonit 2009-2010, Dinamo përjetoi një krizë rezultatesh. Shpëtoi pas ndeshjes “Play-off” me Besëlidhjen në sezonin 2010-2011, por ra direkt në fund të sezonit 2011-2012. Arsyet janë të shumta, por mbizotëruan ato financiare, si dhe largimet e lojtarëvve titullarë, me të cilët blutë fituan titullin e 18-të në historinë e tyre. Dinamo e këtij sezoni është paraqitur shumë e zbehtë. Në pesë ndeshje ka arritur të fitojë vetëm dy takime, ato me Himarën (1-0) dhe me Kamzën (4-3), duke zhgënjyer në ndeshjet me Mamurrasin (0-1) dhe Gramshin (1-1). Trajneri Eduard Zhupa, një ish-lojtar i Partizanit, mendon se derbi kundër të kuqeve do të tregojë një tjetër Dinamo. Së fundi blutë u eliminuan me “dashje” nga Kamza në Kupën e Shqipërisë.

TIFOZERITË

Ultrasit e dë dyja ekipeve kanë lëshuar mesazhet e para përmes faqeve sociale, duke përgatitur një derbi të nxehtë, të paktën në shkallët e tribunave. “Guerrilsat e kuq” e treguan veten e tyre ndaj Tiranës, teksa dhuruan spektakël, me banderola pikante, lumë pa fund fishekzjarrësh, këngë dhe gjithçka tjetër që është i armatosur një tifoz i thekur. Parulla më e njohur e tyre është “Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”. Një mesazh kuptimplotë. Edhe “Djemtë Blu”, apo “Blu Boys”, siç e quajnë veten ata, edhe pse janë të paktë në numër në raport më ata të Partizanit, premtojnë për shfaqjen dhe dekorin e tyre. Për herë të fundit dy ekipet janë ndeshur në vitin 2009 dhe ndeshja ka dhuruan shumë emocione në tribuna.