Luhet Juventus-Atletico Madrid, Dybala humb balotazhin për ta nisur titullar

456
Sigal

Mbrëmja më e shumëpritur për tifozët e Juventusit po afron. “Zonja e Vjetër” e pret sonte Atletico Madridin në stadiumin “Allianz” të Torinos, në sfidën e kthimit të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve. Kampionët e Italisë do të kërkojnë përmbysjen e madhe, pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë.

Juventusi tashmë e ka mbyllur praktikisht çështjen e titullit në Serie  A, me fitoren e fundit 4-1 ndaj Udinese, ku luajti me formacionin e dytë, dhe diferencën e krijuar nga ndjekësit më të afërt. Atletico Madrid fitoi 1-0 me Leganes, duke i kursyer disa titullarë, dhe mbeti i dyti në La Liga, 7 pikë larg Barcelonës.

Për të hyrë në çerekfinale të Champions-it, Juventusit, i cili në tri ndeshjet e fundit të këtij kompeticioni nuk ka shënuar kurrë në fushën e Atletico Madridit, i duhet të fitojë 3-0 dhe kundërshtari të “agjërojë”. Sa i përket situatës te bardhezinjtë, Allegri e ka humbur përsëri Douglas Costa. Braziliani nuk do të jetë në dispozicion për këtë ndeshje.

Trajneri livornez do të duhet të bëjë edhe pa Khedira, Cuadrado, Barzagli dhe De Sciglio. Duke pasur parasysh edhe skualifikimin e Alex Sandro, është i mundshëm aktivizimi i Spinazzola në të majtë, me Cancelo në të djathtë, së bashku me Bonucci dhe Chiellini në qendër. Megjithatë, hipoteza e mbrojtjes me 3 qendërmbrojtës dhe me Caceres në fushë nga minuta e parë duket se ka humbur terren.

Pjanic, Matuidi dhe Emre Can pritet të shfaqen në mesfushë, ndërsa ulet në stol Bentancur. Në “tridentin” ofensiv, balotazhi midis Bernardeschi dhe Dybala është kthjelluar disi, me të parin favorit për të startuar. Të padikutueshëm janë në sulm Mandzukic dhe Ronaldo.

Nga ana tjetër, Diego Simeone nuk do të jetë në gjendje të llogarisë Lucas Hernandez dhe Filipe Luis. Për pasojë, në të majtë pritet të luajë Juanfran, me Arias në anën tjetër të mbrojtjes. Godin është gati dhe do të pozicionohet në vendin e tij pranë Gimenez. Në mesfushë, Partey është i skualifikuar. Në sulm, ish-lojtari bardhezi, Alvaro Morata, do të zëvendësojë Diego Costa, i skualifikuar. Ai do të bashkohet me Griezmann në repartin ofensiv të spanjollëve.

Formacionet e mundshme:
JUVENTUS (4-3-3): Szczesny; Cancelo, Bonucci, Chiellini, Spinazzola; Emre Can, Pjanic, Matuidi; Bernardeski, Mandzukic, Ronaldo.
ATLETICO MADRID (4-4-2): Oblak; Arias, Godin, Gimenez, Juanfran; Saul, Koke, Rodri, Lemar; Griezmann, Morata.