Luhen ndeshjet “jashtë tavolinave dhe komisioneve”,  kampionati në kërkim të normalitetit

157

Ndeshje që u paraprinë nga “ndeshje” të tjera që u zhvilluan në tavolina, ku vendimet e Komisioneve të Etikës dhe Disiplinës thanë fjalën e tyre në lidhje me zhvillimet e ndodhura javët e fundit në kampionat. Në fakt, pavarësisht të gjithave, secila skuadër është sado e prekur nga vendimet, qoftë nga Disiplina apo qoftë edhe nga Etika dhe pritet që të ketë një farë peshe edhe tek ekipet, që nga Teuta dhe Elbasani që janë të kallëzuara penalisht për paracaktim rezultatesh e deri tek Kukësi që nuk iu mor parasysh kërkesa për fitore në tavolinë nga zhvillimet e ndodhura në stadiumin e Laçit, që kjo e fundit do të luajë 5 ndeshje pa tifozët në shtëpi, nisur nga demonstrimet e dhunës së kësaj tifozerie ndaj futbollistëve. Me shumë mendime në kokë, secila skuadër përpiqet që të angazhohet tek takimet e radhës ku luhet pak a shumë edhe fati i secilës.

Tirana-Elbasani, rast për të mos u humbur- Një ndeshje që nuk duhet të diskutohet nga Tirana për tu fituar, nisur edhe nga fakti se ka shumë mundësi që të përfitojë nga kundërshtarët e vet që kanë ndeshje më të vështira këtë javë, si Kukësi, Partizani. Nga forma aktuale e të dy klubeve nuk paraqet ndonjë vështirësi të madhe fitorja për bardh e blutë, që përveç të gjithave vijnë edhe pas një fitoreje shumë delikate në Shkodër, me grumbullimin e 3 pikëve shumë të çmuara. Nga ana tjetër, Elbasani ka nevojë të bëjë kthesë, por me shumë mundësi nuk do të jetë ky rasti, edhe pse asnjëherë nuk i dihet në futboll, duhet vetëm të presim.

Teuta-Laçi, takimi i të “dënuarve”- Mund të quhet fare mirë ndeshja mes dy ekipeve që janë dënuar shumë nga Komisionet e kësaj jave, e si pasojë e kësaj ndoshta ngushëllimi i vetëm do të jetë fitorja, por se kujt do t’i përkasë ajo është çështje 90 minutash, por duhet thënë se Laçi gëzon “respekt” më të madh në këtë aspekt.

Kukësi-Partizani, thjeshtë, ndeshja e kreut- Një ndeshje që ka vlerën enjë kampionati, jo vetëm për rëndësinë që ka për pikët por edhe për rëndësinë që ka për vazhdimësinë e secilit ekip. Nëse humbet Kukësi, do shkonte në dy humbje rresht. Krizë? Nëse humbet Partizani do të kishte mungesë të theksuar rezultatesh për këtë fillim viti. Krizë? As për këtë nuk mund të thuhet. Situatat këtë sezon në kampionat kanë treguar se javë pas jave Superliga pëson ndryshime të mëdha. Ndoshta edhe kësaj radhe ka nevojë për ndryshime.

Apolonia-Skënderbeu, ndikim në renditje– Një rast për të mos u humbur nga skuadra korçare që ju duhet medoemos fitorja, që me kundërshtarin si Apolonia, pavarësisht se ndeshja luhet në Fier, nuk mendohet se do të ketë probleme, e sigurisht që kjo do ketë ndikimin e vet në renditje, pasi korçarët kanë rastin më të mirë të përfitojnë në renditje, pas përballjes mes Kukësit dhe Partizanit.

Flamurtari-Vllaznia, shansi i artë për të dy ekipet- Ky mund të jetë një nga takimet më të paparashikuara në këtë javë, për faktin e vetëm se Vllaznia ka treguar se mund t’i bëjë “dëm” skuadrës vlonjate, por tregoi edhe se mund të rivalizonte edhe ekipet e mëdha, diçka që e shfaqi edhe në ndeshjen ndaj Tiranës, ku edhe pse nuk fitoi arriti që ta mbante portën e paprekur deri në minutën e fundit të takimit. Këto dy skuadra ndajnë përkatësisht vendet 6 dhe 7, ku Vllaznia ndodhet 5 pikë larg Flamurtarit dhe një fitore në Vlorë do të ishte ndihmesë e madhe për rikthimin sa më dinjitoz të shkodranëve me fitore.

“Qemal Stafa” hap dyert, më në fund është gati

Më në fund është gati stadiumi “Qemal Stafa”, punimet e të cilit dërguan në “shtegtime” Tiranën dhe Partizanin, ku në pamundësi për të luajtur në fushën e tyre, luajtën disa nga takimet e fillim vitit në “Elbasan Arena” dhe në “Niko Dovana”. Vetëm dje u shpall më në fund se stadiumi është gati, por edhe ndeshjet e ditëve të nesërme, ekipet kryeqytetase do t’i luajnë jashtë, për arsye se ka nevojë edhe për pak kohë në dispozicion që të cilësohet në gjendjen më të mirë fusha, për të përballuar plotësisht një 90 minutësh loje. Ndërkohë, ashtu siç u vendos, Tirana ndeshjen ndaj Elbasanit do ta luajë në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, por pa tifozë e në lidhje me këtë ka sqaruar edhe ekipi bardheblu se pse kjo ndeshje nuk është paguar, duke dhënë një deklaratë zyrtare: “Duke kërkuar mirëkuptimin e tifozëve, klubi ka vendosur që të mos paguajë për këtë takim, duke qenë se stadiumi modest nuk ofron kushtet e nevojshme për një numër të madh sport dashësish, si dhe kushtet e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e takimit. KF Tirana ka kaluar një numër të madh vështirësish këtë sezon, duke u detyruar të luajë për tetë ndeshje në shtëpi pa tifozë, të paguajë me gjobë më pas disa takime, të luajë jashtë kryeqytetit për shkak të rikonstruksionit të plotë të “Selman Stermasit” si dhe rikonstruksionit të pjesshëm në “Qemal Stafa.

 Kombëtarja në rënie të lirë, humbet edhe 5 pozicione nga renditja e FIFA-s

Duket se nuk ka filluar siç duhet pozicionimi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit në renditjen aktuale të FIFA-s, ku përsëri, ashtu si para një muaji, humbet pozicione në krahasim me rivalët e grupit I por edhe me skuadrat e tjera. Në renditjen e fundit të pasqyruar nga FIFA, Shqipëria ndodhet në vendin e 63-të nga vendi i 58-të që ishte muajin e kaluar. Edhe pse ekipi nuk ka bërë asnjë ndeshje kohët e fundit, përsëri zbritja nuk është shmangur. Nga ana tjetër, ekipet e grupit I kulifikues për Euro 2016 Portugalia vazhdon të mbetet në vendin e 7-të, si ekipi më i mirëpozicionuar, pas Portugalisë vjen Danimarka që është në vendin e 28-të, më tej Serbia që zbret në renditje me një pozicion dhe ndodhet në vendin e 39-të, ndërkohë që Armenia ndodhet në vendin e 74-t, duke fituar 5 pozicione nga muaji i kaluar. Sa i përket vendeve të para, vazhdon të kryesojë Gjermania si Kampione Bote në fuqi, ndiqet nga Argjentina, Kolumbia dhe Belgjika.

 Armando Vajushi shënon golin e parë me Veronën

Edhe pse vetëm një miqësore, Vajushi ia doli që në vetëm pak ditë të transferimit të tij tek ekipi veronez të shënonte edhe golin e parë në ndeshjen që u luajt mes Veronës dhe ekipit zinxhir të kësaj skuadre, ose siç njihen ndryshe Primavera. Edhe pse në fazë rikuperimi, Vajushi duket se po e merr vetë, për tu gjendur sa më shpejt si pjesë e ekipit të parë, duke qenë se akoma nuk gëzon formë të plotë pas gjithë asaj kohe që ka qëndruar pa stërvitje dhe pa aktivizim tek Liteks.

 Ndeshja ndaj Partizanit, Kukësi hap dyert për tifozët

Një ndeshje jo si të tjerat kjo e Kukësit ndaj Partizanit, e sigurisht që emocionet e tilla kërkojnë tifozë të shumtë, e në fakt për këtë ka menduar edhe presidenti i Kukësit që ka vendosur se do të jetë hyrja e lirë për këtë takim. Sigurisht që prania më e madhe e tifozëve do të nxisë edhe skuadrën për një rezultat pozitiv, ku nëse arrijnë të fitojnë, do të ishte e para në këtë sezon ndaj Partizanit.