Lucerna vishet kuqezi, trembet Zvicra

467
Sigal

Sot në orën 20:30, përplasja e madhe Zvicër-Shqipëri. 6 mijë shqiptarë në stadiumin “Swisspoarena”

Do të jenë 6 mijë shqiptarë midis 15 600 spektatorëve në “Swissportarena” të Lucernës. 6 mijë tifozë shqiptarë që, do të mbështesin pa pushim ekipin e tyre të martën kundër Zvicrës. “Ne e dimë fare mirë kontekstin në të cilët do të zhvillohet kjo ndeshje. E do të jemi të fishkëllyer. Bëhet fjalë për një humbje të vërtetë për ne. Por, dhe për tifozët gjithashtu”. Trajneri i Zvicrës, Otmar Hitcfeld i dha një apel popullit të tij. Seleksionuesi i helvetikëve nuk dëshiron në asnjë rast që kjo ndeshje në Lucernë, që mund t’i lejojë ekipit të tij të ketë një opsion të parë në rrugën drejt kualifikimit për Kupën e Botës, t’i ngjajë një ndeshje në transfertë. “Ne nuk do të luajmë në një tolë të panjohur, – tha ai. – Qysh kur u hodh shorti, të gjithë ishin të vetëdijshëm se ballafaqimi i dyfishtë kundër Shqipërisë do të ishte i pasur me emocione për pesë nga lojtarët tanë. Por, Behrami, Xhaka, Shaqiri, Xhemaili dhe Mehmedi nuk do të jenë të vetmit që do të kenë të bëjnë me këtë konteskt. Ata janë pjesë e një ekipi, dhe ky ekip do ta përjetojnë se bashku gjithçka emocionale në takimin e Lucernës”. Pas fitores 3-1 kundër Qipros, Shqipëria është gati kundër Zvicrës, për ndeshjen e dytë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2014, finalet e të cilit do të luhen në Brazil. Një sfidë shumë intriguese, vetëm po të mendosh se, në fushë do të jenë, jo pak por 13 lojtarë kosovarë: tetë në ekipin e Shqipërisë: Samir Ujkani, Etrit Berisha, Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Armend Dallku, Alban Meha, Burim Kukeli dhe Ahmed Januzi, ndërkohë që tek zviceran janë Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi. Shqipëria vjen në përballjen e dytë në këto kualifikues pas fitores së bujshme kundër Qipros (3-1), me golat e Armando Sadikut, Edgar Çanit dhe Erjon Bogdanit. Ndeshja kundër Zvicrës do të jeta e pesta historike me këtë kundërshtar, ku në të katër të parat kemi arritur 1 barazim dhe 3 humbje, e fundit 3-2 në vitin 2003. Kombëtarja shqiptare e futbollit është akomoduar në  hotelin me pesë yej, “Radisson Blu”, ndërkohë që sheshi para hotelit është rrethuar nga grupimi i tifozëve “Kuq e Zi”. Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj i kontaktuar në telefon nga “Top Channel”, tha. “Është një ndeshje që pritet me interesim të madh këtu në Zvicër, qoftë nga opinion publik zviceran, por edhe ai shqiptar për faktin që 5 lojtarë shqiptarë luajnë me kombëtaren e Zvicrës, e për një arsye tjetër që numri i shqiptarëve në Zvicër shkon mbi 300 mijë, duke u bërë komuniteti më i madhe dhe gjuha shqipe si gjuha e katërt që flitet në këtë vend”. Me dy zemra në kraharor do të paraqiten Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemali dhe Admir Mehmedi. Pesë lojtarë zviceranë, me rrënjë shqiptare, janë një fokus të veçantë të interesit. “Unë mendoj se publiku do të na provokojë, – paralajmëron Granit Xhaka. – Ne jemi me fat që nuk do të luajmë në Bazel. 30 mijë shqiptarët atje me siguri do të kishin ardhur në stadium.” Gjithashtu, për yllin e Bajernit të Mynihut,  Xherdan Shaqiri, është një ndeshje shumë e veçantë. “Unë do të dëgjoj dy himne para fillimit të lojës. Që të dy shumë emocionalë”, – nënvizon Shaqiri. Blerim Xhemali, nga ana tjetër, përpiqet ta marrë me qetësinë e mundshme këtë kualifikuese: “Për ne është disi e vështirë, gjithsesi, sepse do të ketë shumë shqiptarë të pranishëm në një ndeshje që e luajmë në shtëpi. E rëndësishme është që të harrojmë çdo gjë që ndodh përreth stadiumit”. Të dy ekipet kanë pikë të barabarta, nga 3, pasi dhe Zvicra fitoi 2-0 me Slloveninë në Lubjanë. Në dy takimet e fundit kundër Zvicrës, ato për eliminatoret e Euro 2004-s, në barazimin 1-1 në Tiranë, në stolin e Shqipërisë ishte italiani Xhuzepe Dosena, ndërsa në humbjen 3-2 në Gjenevë ishte gjermani Hans-Peter Brigel. Kështu që, Xhani De Biazi është trajneri i tretë i huaj që do të ndeshet kundër Zvicrës, ndërkohë që në dy takimet e tjera i përkasin Zyber Konçit dhe datohen në vitin e largët 1965, ku i humbëm të dyja ndeshjet: 2-0 në Tiranë dhe 1-0 në Gjenevë. Por, në Lucernë, gjithçka do të jetë veshur në të kuqe, por nëse ato të Zvicrës shoqërohen ne kryqin e bardhë, ato të Shqipërisë kanë shqiponjën e zezë.