Luan Zmijani: Puna ime do t’i kthejë Vllaznisë lojën e bukur dhe rezultatet, do mbështetemi shumë tek akademia

692
Sigal

Intervistë me Luan Zmijanin, trajnerin e klubit të futbollit “Vllaznia”

Një ardhje e re për Vllazninë, një ish futbollist i saj që vjen bashkë me shpresën për të parë edhe një herë rindërtimin e kësaj skuadre, për ta sjellë në  vendin ku i takon, në elitë, aty ku shumë janë mësuar ta shohin gjithmonë. Është Luan Zmijani trajneri më i ri i Vllaznisë, që zëvendësoi para pak kohësh italianin Raineri, duke e marrë ekipin siç thotë ai “në një gjendje shumë të rënë moralisht dhe psikologjikisht”. Në intervistën për “Telegraf”, Zmijani ndalet më tej për të shfaqur “platformën” e tij dhe punën që do të bëjë me futbollistët e akademisë, që siç duket do të gjejnë gjithmonë mbështetje nga Zmijani që ka kryer edhe rolin e trajnerit të të rinjve. Në këtë intervistë, trajneri aktual i Vllaznisë jep një panoramë më të gjerë se cilat rrugë do të ndjekë ekipi që të mund të rikthehen edhe një herë në kohët e lavdishme, si atëherë kur trajneri aktual ishte futbollist dhe bashkë me shokët e ekipit i sollën tifozëve shumë trofe, e siç shprehet edhe vetë Zmijani “Synimi im është që nëpërmjet punës sime të kthej lojërat e bukura dhe rezultatet, ashtu siç i takon qytetit të Shkodrës dhe tifozëve të Vllaznisë, që kanë qenë gjithmonë një ndihmesë dhe një shtysë për jetën e këtij ekipi”. Fitorja me Partizanin ishte vetëm një fillim, mbetet për tu parë se çfarë do të sjellin takimet e tjera nën drejtimin e Zmijanit.

Zoti Zmijani, pikë së pari, urime për detyrën tuaj të re! E filluat mirë, me fitore ndaj Partizanit, sa pozitivisht do të ndikojë tek ekipi?

-Në radhë të parë ju falënderoj për intervistën. Ishte një fitore e merituar ndaj një skuadre të madhe dhe normalisht ndikimi i kësaj fitoreje është shumë i madh përsa i përket moralit të skuadrës, se të themi të drejtën, kur mora drejtimin e skuadrës, një ndër pikat ku duhej më shumë ndërhyrja ishte ana morale dhe psikologjike e ekipit.

Era “Raineri”, çfarë mund të thoni për këtë dhe çfarë shkoi keq gjatë kësaj kohe?

 –E kuptoj shumë mirë pyetjen, por nuk më intereson e kaluara e skuadrës në kohën e Rainerit, për mua e rëndësishme është e tashmja dhe e ardhmja e ekipit.  

Filozofia që do të ndiqni ju për ekipin, do të bazohet më shumë tek blerjet e reja apo tek akademia?

-Pa diskutim që të rinjtë do të jenë primare për idetë e mia, por gjithmonë alternimi i të rinjve me ”të vjetrit” do të jetë ai më kryesori sepse është shumë e vështirë që tu japësh 100% besimin të rinjve në këtë fazë ku është skuadra.

Ndeshja me Skënderbeun në Korçë luhet pa tifozë, a do të ndihmojë kjo?

-Për çdo skuadër tifozët kanë një rëndësi të madhe, e edhe në rastin e Skënderbeut mendoj që tifozët korçarë janë lojtari i 12-të, kështu që për ne është pozitive.

Duke parë ecurinë dhe pikët, a rrezikon Vllaznia qëndrimin në Superligë?

-Me fitoren ndaj Partizanit mendoj që ne nuk rrezikojmë qëndrimin në Superligë por në ndeshjet në vazhdim përqendrimi jonë do të jetë maksimal që të ruajmë pozicionin që kemi, pavarësisht dy ndeshjeve që kemi jashtë, në Korçë dhe në Kukës.

Nisur nga kjo që thatë më sipër, çfarë rruge duhet të ndiqet që në një të ardhme, skuadra mos të luftojë për mbijetesë por të luftojë për titull?

– Sa i përket kësaj, rruga që duhet të ndiqet, ose më saktë mënyra e vetme për të parë rezultate do të duhet që të investohet shumë dhe të ketë afrime shumë cilësore, gjithashtu duhet të ketë një menaxhim sa më të mirë të brezit të ri.

Çinari, që shënoi golin ndaj Partizanit, vinte nga Akademia, a do të jenë të shpeshta prurjet e tilla nën drejtimin tuaj?

– Po, është e vërtetë. Çinari është produkt i akademisë dhe në skuadër janë aktualisht edhe 6 lojtarë të tjerë përveç Çinarit, ku edhe në ndeshjen me Partizanin unë i besova edhe 3 lojtarëve të tjerë postin e titullarit. Do të ketë përsëri lojtarë të tjerë që do të bëhen pjesë e ekipin, gjithmonë nëse më bindin në atë çfarë ofrojnë, e  pa diskutim që do të besoj tek ata.

 Çfarë synimi i keni vënë vetes tani, si trajner i Vllaznisë?

-Synimi im është që nëpërmjet punës sime të kthej lojërat e bukura dhe rezultatet, ashtu siç i takon qytetit të Shkodrës dhe tifozëve të Vllaznisë, që kanë qenë gjithmonë një ndihmesë dhe një shtysë për jetën e këtij ekipi.

A e ndjeni se keni gjetur mbështetjen e duhur nga stafi dhe nga ekipi?

– Pa diskutim që kam gjetur mbështetjen e tyre, pasi ishte vetë stafi që ma besoi këtë detyrë, e deri më tani kam ndjerë gjithë besimin dhe mbështetjen e tyre të plotë. Po ashtu edhe tek ekipi, që dita-ditës po e krijon besimin ndaj meje, e në fakt është besim i ndërsjellë.

Kompletimi i stafit u bë para dy ditësh, mund të na thoni dy fjalë në lidhje me këtë?

– Po, në fakt para dy ditësh, në mbledhjen me bordin drejtues u vendos me propozimin tim kompletimi i stafit që do të punojë pranë meje dhe si zëvendës trajner do të jetë Ilir Dibra, trajner i portierëve do të jetë Avenir Dani dhe përgatitësi fizik do të jetë Prof. Vildan Tufi.

-Një pyetje e fundit, përveç atyre që thatë më sipër, për çfarë tjetër ka nevojë Vllaznia që të rikthehet edhe një herë në shkëlqimin e dikurshëm, si atëherë kur ju ishit pjesë e futbollit të luajtur?

-Pa diskutim që në lidhje me këtë duhet të hartohet një plan afatgjatë dhe gjithashtu duhet të bëhet afrimi i një investuesi të madh që do të mund të bëjë të mundur kohët kur ne fituam kampionate dhe kupa. Ashtu siç dihet nga të gjithë pra, nuk mund të arrihet menjëherë tek kohët e lavdishme të trofeve pa pasur një ndihmesë të madhe financiare dhe sigurisht, edhe përkushtimi për të arritur sa më shumë, të gjithë së bashku, drejt një synimi që është rikthimi në kohën e trofeve.

Faleminderit!