Luan për jetë a vdekje, Argjentina nuk fiton prej 16 vitesh në Ekuador

535
Sonte në mesnatë Argjentina luan një nga sfidat më të rëndësishme të historisë së saj. Skuadra ku militon edhe Lionel Messi është e detyruar të marrë rezultatin pozitiv përballë Ekuadorit në mënyrë që të mos varet nga sfida tjetër Peru-Kolumbi.
Të dyja këto përfaqësuese janë më lart se Argjentina në renditje, por avantazhi i “La Seleccion” është se Peruja dhe Kolumbia kanë përballje direkte, ndërsa vetë “albiçeleste” luajnë përballë Ekuadorit të dalë jashtë çdo objektivi, por që gjithsesi kanë 16 vite pa fituar në stadiumin e tyre “Estadio Olimpico Atahualpa” që ndodhet 2782 metra mbi nivelin e detit.

Nuk është e njëjta lartësi e stadiumit të Bolivisë “Hernando Siles”, ku Nejmar me shokë u desh ta merrnin oksigjenin me bombola pas ndeshjes, por lartësia do t’ia vështirësojë jetën Mesit dhe shokëve të tij, të cilët mbërritën në kushte ekstreme sigurie, të shoqëruar nga forca të armatosura deri në dhëmb.
Në rast moskualifikimi përveç prestigjit Argjentina humbet shumë edhe në të ardhura. “MKT Registrado” ka analizuar humbjen financiare të bardhekaltërve dhe shifra fillestare është 10 milionë euro vetëm për moskalimin e grupit.
Më pas, në çdo fazë të Botërorit që do të zhvillohet në Rusi, Argjentina do të humbiste 10 milionë euro për kalimin në 1/8 e finaleve, 15 milionë euro për çerekfinalet, 21 milionë euro për vendin e katërt, 25 për vendin e tretë, 34 për finalisten dhe 42 milionë euro në rast shpalljeje kampion.
Për të shmangur çdo lloj të papriture dhe për të mos vulosur një damkë të keqe në histori, futbollistët e Argjentinës janë të detyruar që sonte të marrin 3 pikët. Rezultat që ndoshta mund t’i dërgojë automatikisht në Botëror.
Sigal