Luan Çipi/ Na la “i palodhuri” Vasillaq Ndini

1046
Sigal

Dje, më datë 20 shkurt 2015, ndërroi jetë, Vasillaq Stavro Ndini, futbollisti dhe trajneri shumëvjeçar i ekipit të të rinjve dhe të rriturve te “Flamurtarit” të Vlorës, financier i spikatur dhe drejtor komunal  i shquar në qytetin e Vlorës.Vasillaq Ndinin e njoha qysh të ri, kur ai na falte kënaqësi të veçantë, tek e shihnim në fushën e futbollit, në pozicionin e sulmuesit, kur lëvizte aq bukur me topin, driblonte dhe kalonte lirshëm, bënte sikur gjuante me të djathtën, duke mashtruar edhe portierin dhe pastaj me një shut bombë, e çonte me këmbën e majtë topin fuqishëm në trekëndësh, pikërisht aty ku lidhen traversat e kuadratit të portës. Dhe kjo nuk ishte rastësi, që ndodhte rrallë, po një përsosmëri e përsëritur me dhjetëra herë. Vasillaq Ndini, ose Vaçi, siç i thërrisnin të gjithë, pasi mbaroi me rezultate të mira shkollën e mesme financiare në Tiranë, që ishte vazhdimi i shkollës së dëgjuar “Tregtare” të Vlorës, dhe luajti futboll me “Partizanin”, u kthye në Vlorë. Këtu, krahas punës si financier, në futboll përfaqësonte ekipin e “Flamurtarit” e më pas u bë trajner i ekipit të të rinjve të “Flamurtarit”, nga ku doli ai brez i talentuar futbollistësh, të kurorëzuar kampion kombëtar dhe që mundën disa ekipe me famë botërore si “Partizani” i Beogradit dhe “Barcelona” e Spanjës. Vasillaqi, më vonë, gjatë punës, vazhdoi dhe përfundoi me korrespondencë edhe studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të USh. Tiranë.

Vasillaq Ndini i lindur në vitin 1929 në qytetin e Vlorës, ishte i biri i Stavro Ndinit, një pasanikut vlonjat, me origjinë nga Poliçani i Gjirokastrës dhe nip në fisin e Papallarëve, ndër me të pasurit e Vlorës. Vëllai i madh i Vasillaqit ishte administrator i një ferme të fuqishme në Mifol e më pas në Llakatund të Vlorës, ndërsa vëllai tjetër ishte Teli Ndini, dëshmori i parë i Vlorës, një nga antifashistët dhe atentatorët e parë në vend.

Vaçi ishte i suksesshëm dhe në punën e tij shtetërore, si financier, më pas shef llogarie në një ndërmarrje nafte dhe më në fund emërohet shef i financës në Komitetit Ekzekutiv të K.P. Rrethit Vlorë. Në këtë pozicion të ri, që përplasej me interesa gjithfarësh, Vaçi, duke qenë rigoroz në kryerjen e detyrës, natyrisht, u ballafaqua dhe me njerëz të pa aftë, apo kundravajtës, që nga ana e tyre, krijuan pakënaqësi e rezerva, duke pritur rastin e volitshëm për ta penguar apo ndëshkuar.

Ishte viti l975, kur gjëmonin thirrjet ultra revolucionare në rrugët e Vlorës, deri në formë demonstratash, të turmave entuziaste: ”Lini zyrat, burokratë, hajdeni me ne në fshat.”

Unë dhe Vaçi, shoqëruar nga Bardhi Bega, një instruktor simpatik i Komitetit të Partisë së Vlorës, nisemi për në Fermën e Llakatundit, për të filluar punë, ai, si shef finance dhe unë si shef plani. Në një mbledhje me kuadrot e fermës u lexuan nga instruktori në fjalë, për secilin, karakteristikat e punës, ku jepeshin konsiderata për veprimtarinë politiko profesionale. Karakteristikat, më së shumti, i bënin, në fshehtësi, persona të zyrave të kuadrit, caktuar për këtë qëllim, sipas porosive të udhëheqjes. Vaçi po dëgjonte me vëmendje, fërkonte duart dhe buzëqeshte i kënaqur. Mu drejtua mua, me zë të ulët:

   More, Luan ! Po, unë kisha frikë se do na e nxinin punën tonë. Këta e paskan bërë vlerësimin, sikur ne të kemi shkëlqyer. Po, atëherë, pse s’na ngritën në përgjegjësi, po na prunë këtu, sikur të na kenë internuar? Me atë që dëgjova unë për veten, këta më kanë bërë një karakteristikë të denjë për Ministër Finance. Po, Vasillaqi ishte njeri që i punonte mendja.

 Vasillaqi me t’u kthyer atë mbas ditë në Vlorë shkoi fill e në Komitetit e Partisë dhe kërkoj takim me shokun Mihallaq Gjinikasi, sekretarin e parë te K.P.Rrethit, me të cilin kishte marrëdhënie miqësore. Ai i shpjegoi sekretarit se në Fermën e Llakatundit ishte një vend vakant, i sapokrijuar, posti i nëndrejtorit. Me që karakteristikën, si e dëgjova, e kishit bërë të shkëlqyer, të denjë për Ministër Finance, pse mos të caktohem unë në atë detyrë, që është pak më e lart dhe ka nën vartësi edhe shefin e financës? Sekretari e miratoi menjëherë propozimin dheVasillaqi e nisi punën në Llakatund, jo si kryefinancier, por si drejtues. Në këtë pozicion edhe rrogën e kish më të lart dhe nuk do të rinte gjithë ditën në zyrë me llogaritje e shkresa, por do të lëvizte, siç ishte në natyrën e tij, duke kryer, njëkohësisht, më shumë punë operative dhe gjurmëlënëse.

Vasillaqi, si nëndrejtor i ndërmarrjes bujqësore shtetërore Llakatund, mori mbi vete të gjitha kompetencat e drejtimit të punëve administrative ekonomike e financiare, me “karta bjankë“të dhënë  nga drejtori, mjaft kompetent Ejup Mita, i cili, në këto anë, u lehtësua shumë. Ai e nisi punën me forcimin e sektorit të ndërtimit, ku edhe u përqendrua.

Me përpjekjet e tij direkt dhe me mbështetjen tonë, u rikujtuan dhe u takuan të gjithë shokët në rreth e në qendër, që kishin pozicione të favorshme, për të siguruar burime financiare për një sërë investimesh të programuara, si dhe për të gjetur materialet dhe bazën teknike të nevojshme. Vasillaqi shfrytëzoi mirë aftësitë e inxhinierit politeknik të ndërtim montimit, Feri Dishnica. Ky dhe të tjerë u përdoren për të ndërtuar shumë objekte. Objekti i parë ishte “Ura e varur mbi Shushicë”që u projektua me guxim nga inxhinier Dishnica. Ura ishte me gjatësi njëqind metër, ku do kalonin edhe makina të tonazhit të madh. Shkurtoheshin rreth dhjetë kilometra rrugë. Ta shihje Vaçin ato ditë në kantierin që gumëzhinte, nuk e njihje. Me një kashtore të madhe meksikane në kokë, me kanotiere e pantallona të shkurtra, ish futbollisti energjik, ishte i gatshëm për çdo punë dhe mbante lart entuziazmin e të gjithë pjesëmarrësve. Po aty u ngritën dhe mensa dhe fjetoret provizore. Vaçi, ish sportist i njohur dhe pjesëmarrës në shumë aksione vullnetare të rinisë, dallohej për një shpirt kolektivi dhe solidariteti të veçantë dhe atje bëri shkollën e një drejtuesi e organizatori të shkëlqyer.

Një tjetër vepër, që i mori shumë kohë, ishte zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës Vlorë- Llakatund. Rruga, nën drejtimin teknik të inxhinier Ferit, u bë me cilësi të mirë dhe i rezistoi gjatë viteve. Shumë vepra ndërtuese u bënë dhe për ujësjellësit për ujë të pijshëm të disa fshatrave, vepra të tjera ujitëse, nëpërmjet disa puseve arteziane të shpuar nga ndërmarrja gjeologjike, me insistimin e Vaçit, në fushën ujëmbajtëse të Llakatundit, si dhe një kanal i madh ujitës në Bishan, që mori ujë nga lumi Vjosës dhe shtoi e përmirësoi sipërfaqen nën ujë të asaj zone.

Vasillaq Ndini me këto punë të suksesshme të kryera dhe me stilin e veçantë të drejtimit, brenda një kohe të shkurtër u bë i njohur nga çdo punëtor, madje çdo familjar i fermës në të shtatë fshatrat, që e formonin atë. Veç këtyre, ai u ndodhej atyre pranë për ti ndihmuar në çdo nevojë e hall që kishin, si për vizitë e shtrim në spital, për bursat e fëmijëve, për t’u siguruar pajisje shtëpiake, që merreshin me autorizim, e deri në fejesa e martesa, ndarje dhe evitim sheresh e mosmarrëveshjesh.

Aty, në Llakatund, Vasillaqi, paksa i madh në moshë, mësoi dhe motoçikletën dhe pas kësaj nuk e mbante më vendi, por lëvizte e lëvizte, thuajse i erdhi, në pak vjet, disa herë rreth ekuatorit. Ç’është e vërteta, nuk qe e lehtë ta mësonte dhe shumë herë u rrëzua e disa herë u vra, po prapë ngrihej, derisa u bë një mjeshtër. Ai ishte me vullnet të çeliktë dhe skish gjë që mos ta mësonte.

Vasillaqin e  transferuan në qytetin e Vlorës dhe e emëruan drejtor të ndërmarrjes komunale  “Banesa”. Ishte Llakatundi që evidentoi vlerat e tij të jashtëzakonshme drejtuese të një stili krejt të veçantë, që besoj se vinin nga tradita e tij familjare e stërlashtë, si njerëz të punës,  të sakrificës dhe të heroizmit. Ndërmarrja e tij e re, skish dyshim, brenda një kohe të shkurtër u bë më e mira në shkallë Republike, duke u zgjeruar, forcuar e modernizuar. Ai përsëri shfrytëzoi gjithë njerëzit e njohur, sidomos shpirtin dashamirës e qytetdashës të vlonjatëve, që ishin me pozicione të dobishme në qendër, siguroi fonde investimesh dhe e transformoi qytetin e Vlorës, duke e nxjerrë në krye të sistemit komunal dhe ndërtimor. Rreth tij ai grumbulloi njerëz të punës, duke mos pyetur shumë për origjinën sociale dhe politike, të cilët i përkrahte dhe i mbështeste, për çdo gjë. Ishte i vetmi drejtor, që nominalisht, për të gjithë nëpunësit e deri punëtorët e vetë, kishte listën e tyre me datëlindje e gjeneralitetet e nevojshme dhe i suprizonte ata me shpërblime apo ceremoni festive, në raste datëlindjesh jubilare, apo për ngjarje të tjera të rëndësishme.

Një gjë synoi gjithë jetën, por nuk e realizoi dot Vasillaqi. Shumë vlonjatë, po ai mbi të gjithë, kishin një kujtim dhe një respekt të jashtëzakonshëm për Teli Ndinin, antifashistin, atentatorin e guximshëm dhe dëshmorin e parë të Vlorës. Pse ai, gjigant në veprimtarinë  sportive të qytetit dhe trimi, që ishte në ballë të trimave, deri sa e dha jetën aq heroikisht, në luftë të pabarabartë me dhjetëra milicë e xhandarë, mos të shpallej hero i popullit? Edhe ndaj luftëtarëve të këtyre përmasave, që historia i nxori mbi klasat, disa hasetçi, bastardë, zhvillonin “luftën e klasave”? Po hero i vërtetë do të ishte Teli Ndini nga vlerësim i popullit që e pa, e dëgjoi dhe e ndjeu dhe jo nga këndvështrimi i zbatharakëve pa vlerë, shtrembërues të fakteve historike. Sidoqoftë kjo është një çështje tjetër, që unë sa e ceka, për të ”nxjerr një dert”. Koha do ta vendos historinë në vendin e vet. Për mua, që e kam njohur nga afër, si për shumë vlonjatë, që kanë bashkëjetuar me të, pa mëdyshje, Vasillaq Stavro Ndini, ngelet një figurë  shumë e pastër, që i ka dhënë shumë qytetit të vet, si me aktivitetin e shquar sportiv, me pjesëmarrjen e tij si futbollist i talentuar dhe trajner i aftë dhe i pasionuar, por sidomos me punën e madhe, të një risie e stili të veçantë, për të drejtuar punët masive dhe për  të dhënë ndihmesë në ndërtimin dhe zbukurimin e qytetit të Vlorës. Ai, si rrallë të tjerë, janë dhe duhet të jenë nderi i tij.