Lorik Cana: “Ta kthejmë ‘Olimpikon’, në një fortesë të pathyeshme”

485
Sigal

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ishte pjesë e fitores 3-0 të Lacios së tij, ndaj Udinezes, në takimin e vlefshëm për javën e 14-të të Serisë A, njëherësh edhe fitorja e dytë rresht në “Olimpiko”, pas asaj dramatike 3-2 ndaj Romës. Mesfushori shqiptar u aktivizua në pjesën e dytë, duke u aktivizuar nga minuta e 65-të në vend të Ledezmasë, ky i fundit humbi një pnallti në të 12′. Duke folur për “Lacio Style Radio”, Cana tha se, “Olimpiko” duhet të bëhet një fortesë e pamposhtur për bardhekaltërit. “E merituam fitoren. Ishte shumë e rëndësishme ta realizonim atë, për të mbajtur ritmin e skuadrave që janë përpara. Sidomos në shtëpi nuk duhet të dështojmë. Sot (të martën), në pjesën e parë i shfrytëzuam të gjitha rastet që patëm dhe kjo na lejoi të luanim me qetësi”, – tha Cana, i cili si zakonisht nuk i shpëtoi dhe ndëshkimit më karton të verdhë, i treti për këtë sezon, në tetë aktivizime të tij. “Tani nuk duhet të shohim çfarëdolloj objektivi, por të luajmë ndeshje pas ndeshje. E dimë se, për të arritur objektivin tonë duhen të paktën 65 apo 67 pikë dhe të luajmë ashtu siç dimë për të arritur tek ato pikë. Nuk është viti i parë që, ky grup lufton për trofe dhe e dimë se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”. Në fundjavë. Lacio, tashmë në kuotën e 26 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e pestë, do të përballet me Parmën e vendit të 12-të dhe që ka dhjetë pikë më pak se lacialët, pra 16. “Në shtëpi, – tha Cana për faqen italiane  ne duhet të synojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, edhe pse e kemi parë që Parma është në një formë të shkëlqyer. Ka lojtarë që, mund të bëjnë diferencën dhe që jashtë shtëpisë shprehen gjithmonë shumë mirë. Megjithatë, kemi ditë për t’u rikuperuar dhe u përgatitur, për të qenë gati për këtë ndeshje. Nevojitet punë dhe mentalitet, pasi nuk mund të shohim pas, por vetëm përpara”. Në total, Cana këtë sezon ka luajtur 189 minuta, të shpërndara këto në tetë ndeshje, ku vetëm në një ai e ka nisur si titullar, atë në barazimin 1-1 kundër Torinos.