Lorik Cana: “Ta heqim qafe ‘Zonjën e Vjetër’!”

481
Sigal

Lacio e mesfushorit shqiptar do të përballet me Juventusin për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë

 Lorik Cana, mesfushori shqiptar i Lacios, i cili së fundi po aktivizohet nga trajneri Petkoviç në rolin e një qendërmbrojtësi, u shpreh i bindur se, skuadra e tij i ka të gjithë mundësitë të eliminojë Juventusin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Ndeshja parë do të luhet në Torino, më 22 janar, ndërsa ajo e kthimit, një javë më pas në Romë, më 29 janar. Lacio, ku është drejtor sportiv, ish-kapiteni i Shqipërisë, Igli Tare, ndodhet në vendin e dytë në kampionatin italian, pikërisht pas Juventusit, që kryeson me tri pikë shumë. Tashmë, dy rivalët e mëdhenj për “skudeton” italiane janë kundërshtarë direkt në Kupën e Italisë. “Juventusi është skuadra më e fortë e kampionatit dhe favorite për të arritur në finale. Nëse do të luajnë ashtu siç dinë janë thuajse të paprekshëm. Ne, megjithatë, duhet të garojmë me të gjithë, në të tri frontet. Do të lumë kundër tyre në Kupën e Italisë, mendoj se mund t’ia dalim. Në kampionat ata qëndrojnë favoritët kryesorë, por ne i ndjekim me kokën lart”, – tha Lorik Cana për “Lazio Style Radio”. Kapiteni i Shqipërisë foli edhe për ambientin që mbizotëron te Lacio dhe për momentin pozitiv që, bardhekaltërit nga kryeqyteti italian janë duke kaluar.

  – Lorik Cana, si është të jesh i dytë në kampionat dhe të luftosh për titullin kampion?

 – Është një gjë e bukur. Mbi të gjitha mentaliteti, ambienti, atmosfera brenda skuadrës, midis shoqërisë dhe tifozëve janë gjëja më e bukur për ta jetuar. Nuk kemi bërë akoma asgjë, por t’i bësh të ëndërrojnë tifozët dhe të marrës gjithë këtë mbështetje është një gjë e madhe.

 – Çfarë atmosfere mbizotëron në dhomën e zhveshjes?

 – Është një atmosferë pozitive, jemi kompetitivë. Kemi shumë impenjime, shumë objektiva ambiciozë dhe nuk mund të jemi sigurisht të kënaqur dhe të heqim dorë. Njerëzit janë mësuar me një Lacio që lufton në Europë. Duhet ta shohim të ardhmen me besim.

 – Juventusi?

 – E shihja kampionatin italian edhe përpara se të mbërrija në Romë, sigurisht në harkun e një viti e gjysmë Juventusit ka pasur një transformim të jashtëzakonshëm. Juventusi është skuadra më e fortë e kampionatit dhe favorite për të arritur në finale. Nëse do të të luajnë ashtu siç dinë janë thuajse të paprekshëm. Ne, megjithatë, duhet të garojmë me të gjithë, në të tri frontet. Do të luajmë kundër tyre në Kupën e Italisë, mendoj se mund t’ia dalim. Do të preferoja ta luanim ndeshjen e parë në shtëpi, ku mund të bënim menjëherë rezultat. Në kampionat ata qëndrojnë favoritët kryesorë, por ne i ndjekim me kokën lart

 – Cila do të jetë tani etapa më e vështirë për Lacion?

 – Në futboll gjërat mund të ndryshojnë me shpejtësi të madhe. Nëse jemi në këtë pikë është merita jonë, askush nuk ka na dhuruar ndonjë gjë. E dimë që, nëse në tri ndeshje, nëse nis e të mungon diçka, humbet terren. Më e vështira do të vijë tani, por ne, megjithatë, do të luftojmë deri në fund.

 – Çfarë peshë ka trajneri Petkoviç te kjo Lacio?

 – Kur një skuadër shkon mirë, merita është dhe e trajnerit. Misteri po i njeh gjithmonë dhe më shumë lojtarët, ne kemi një raport të madh me të, ekziston një respekt i madh reciprok. Nga ana tjetër, na ka bërë të gjithë të rëndësishëm. Në nivelin e lojës, dëshiron të luajmë në mënyrë ofensive, por pa qenë të çekuilibruar. Rezultatet janë meritë e tij.

 – Duke luajtur në mesfushë, megjithatë do të kishe mundësi të provoja të godisje?

 – E kam bërë vitin e kaluar këtu, duke provuar të futem. Pastaj, e adhuroj të gjuaj nga larg. Në këtë pikë për të shënuar janë thelbësore për mua gjuajtjet e çmendura.

 – Përveç Juventusit, nga cilët kundërshtare trembesh?

 – Mendoj se, Napoli dhe Interi janë më të fortë, me një avantazh të vogël të napolitanëve.

KUPA E ITALISË

GJYSMËFINALET

22.01: Juventus-Lacio 20:45

29.01: Lacio-Juventus 20:45

23.01: Roma-Inter    20:45

30.01: Inter-Roma    20:45

“Kam luajtur me Ronaldinjon”

 Lorik Cana ndihet shumë i sigurt në rolin e qendërmbrojtësit, në një mbrojtje me tre. “Kam luajtur në këtë rol nga pak në Kombëtaren shqiptare. Pastaj është inteligjenca e lojtarit, kapaciteti i tij fizik dhe eksperienca: kur i ke këto, mund të bësh gjithçka. Të luash me Bebe Biavën dhe Mika Sanin është e lehtë, ata të kuptojnë menjëherë dhe ti i kupton po kaq shpejt kur të flasin. Si shembull për këtë rol, më vjen në mendje Marsel Desaji. Te Lacio më kanë marrë edhe për aftësinë time që di të përshtatem. Nëse luaj më pak, nga ana tjetër, është më e lehtë të rihyj në fushë dhe të luaj si qendërmbrojtës. Personalisht, jam shumë i kënaqur kur luaj, ndihem shumë mirë edhe pas. Vitin e ardhshëm do të doja të luaja në mbrojtje, shpresoj te Lacio, dhe nëse do të më duhet të largohem, në një skuadër tjetër. Në dy-tre vitet e fundit kam luajtur më shumë pas, por unë argëtohem edhe duke qëndruar vetëm në fushë. Te Paris Sën Zhermeni i kam luajtur ndeshjet e mia të para me futbollistë si Ronaldinjo, Okoça, Anelka dhe atje kam kuptuar se duhet të japësh maksimumin deri kur shëndeti ta lejon këtë. Pastaj kam shumë ndeshje mbi shpinë, thuajse 450 ndeshje zyrtare, kështu që në të ardhmen do të përqendrohem më shumë të luaj në mbrojtje”

 Ujkani-Cana, derbi shqiptar në Palermo-Lacio

 Lacio do të luajë të shtunën me Palermon, për ndeshjen e radhës në Serinë A (java e 21-të), ku përballë njëri-tjetrit priten të jenë kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana dhe portieri i Kombëtares dhe i Palermos, Samir Ujkani. Por, çfarë ndeshje pret Cana kundër sicilianëve: “Një ndeshje shumë të vështirë. Është një klub që ka bërë mirë në kampionatin italian, që është renditur edhe në pjesën e sipërme të klasifikimit. Është dhe Ujkani, portieri i Kombëtares sonë, me të cilin flas shumë shpesh. Tani kanë shumë presion, të fitojnë kundër nesh do të ishte një shtysë më shumë për ata. Midis ndeshjeve tona të ardhshme, kjo është një nga takimet më të vështira për ne”. Palermo ndodhet në vendin e 19-të nga 20 ekipe që ka Seria A, pra në zonën e rënies direkt, ndërkohë që Lacio pozicionohet e dyta, me 42 pikë pas 20 ndeshjesh. Portieri Samir Ujkani ka luajtur në 18 nga 20 takimet e këtij sezoni, ndërsa Lorik Cana është aktivizuar në 10 ndeshje.

  Rikthehet dashuria për Hetemajn 

Përparim Hetemaj dhe Lacio. Një histori dashurie gjithmonë e gatshme për të shpërthyer, por kurrë e nisur me të vërtetë. E thotë drejtori sportiv bardhekaltër Igli Tare, i cili është i interesuar prej kohësh për futbollistin kosovar me pasaportë finlandeze, në forcë te Kievo. Lacio nuk ia ka dalë kurrë të bindë drejtuesit dhe djaloshi nuk ka lëvizur kurrë nga Veneto.

 U-19, Shqipëria shpartallon Greqinë

  Kombëtarja U-19 e Shqipërisë mposhti dje me rezultatin e pastër 2-0 Greqinë e asaj moshe, në ndeshjen e tretë dhe të fundit të turneut miqësor ndërkombëtar, të zhvilluar në Romë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Foto Strakosha treguan një nivel të pëlqyeshëm loje, duke shënuar dy gola qysh në pjesën e parë: fillimisht me anë të Ymerajt, ndërsa më pas falë një autogoli të grekut Vasilidis. Ndonëse në këtë avantazh edhe në pjesën e dytë gjithçka u zhvillua në gjysmëfushën e skuadrës greke dhe lojtarët tanë humbën disa raste shumë të mira për shënim, madje duke goditur dy herë shtyllën e portierit helen. Ky turne është organizuar nga Federata Italiane e Futbollit e cila në kuadër të marrëveshjes që ka me Federatën Shqiptare të Futbollit ftoi edhe ekipin tonë përfaqësues U-19. Kampingu sportiv për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse ishte i ndërtuar në afërsi të kryeqytetit italian. Me këtë fitore, Shqipëria grumbulloi 4 pikë në tri ndeshje duke bërë një figurë të mirë me nivelin e saj të lojës. Kombëtarja humbi ndeshjen e parë 1-0 me Rusinë, ndërsa barazoi 1-1 me Italinë (humbi 8-7 me 11-metërsha). Golin për Shqipërinë e shënoi kosovari Gavazaj. Trajneri Strakosha ka mbetur i kënaqur nga te besuarit e tij për këtë turne miqësor duke tërhequr vëmendjen për një përgatitje më të lartë në të ardhmen. Trajneri i skuadrës tonë përfaqësuese, Foto Strakosha, ka grumbulluar në këtë skuadër kandidatet e mundshëm të ekipit kuqezi. Disa prej tyre janë nga kampionati kombëtar i moshës U-19, ndërsa të tjerët vijnë nga Italia, Greqia, Zvicra etj.

REZULTATET

Romë, 15-17 janar

15.01.2013

Shqipëri-Rusi   0-1

16.01.2013

Shqipëri-Itali 1-1

17.01.2013

Shqipëri-Greqi 2-0

Renditja në FIFA, Kombëtarja e nis në vendnumëro

 Renditja botërore për muajin janar të vitit 2013 nuk sjell asnjë ndryshim për kombëtaren shqiptare. Në klasifikimin mujor të FIFA-s, kuqezinjtë e drejtuar nga De Biazit ruajnë vendin e 63, kjo dhe për faktin se në muajin e fundit të vitit të kaluar nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje. Por nëse kuqezinjtë nuk kanë luajtur nga vendi nuk ka ndodhur e njëjta gjë për disa nga skuadrat e grupit E eliminator të kampionatit botëror, grup në të cilin është edhe Shqipëria. Kështu Zvicra, skuadra më e mirë e grupit ka lëvizur një pozicion në renditje, duke ndërruar vend me Bregun e Fildishtë. Helvetët kanë zbritur nga vendi i 13 në të 14, kjo për faktin se afrikanët kanë qenë aktivë me miqësore gjatë kësaj periudhe. Norvegjia nuk lëviz nga vendi i 26-të, ndërsa zbritje në klasifikim pëson Sllovenia, plot 14 pozicione duke u renditur në vendin e 49. Por nëse skuadrat kryesore të grupit kanë pësuar rënie, nuk ndodh kështu me Islandën që rikuperon një pozicion në renditjen e FIFA-s, duke u pozicionuar në vendin e 96. Plot 20 pozicione ka humbur Qipro, që rrëshqet shumë poshtë në vendin e 127. Nuk ka ndryshim klasifikimi botëror në 10 vendet e para, me Spanjën që udhëheq duke u ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina.

 Jurgen Gjasula,rikthim me gol pas problemeve në zemër

 Mesfushori shqiptar Jurgen Gjasula u rikthye sërish në stërvitje me Duisburgun, skuadrën gjermane të Bundesligës 2. Dëshira më të mira nuk mund të kishte për Jurgen Gjasulën për këtë vit sesa kjo. Mesfushori i MSV Duisburgut kishte për vitin 2013 vetëm një dëshirë: të ishte i shëruar. Dhe për këtë 27-vjeçari punoi çdo ditë. Në sezonin e deritanishëm ai nuk luajti për arsye të një problemi muskulor në zemër. Nga fillimi i vitit, ai u integrua hap pas hapi sërish me stërvitjen e ekipit. Në një ndeshje testuese gjatë fazës përgatitore, që MSV Duisburgu luajti të martën kundër Këlnit (humbi 1-3), Gjasula hyri në fushë gjatë pjesë së dytë dhe shënoi me penallti. “Unë jam i lodhur, por i lumtur”, tha ai për mediat gjermane. Prej dhjetë ditësh po përgatitet Duisburgu në rivierën turke, për 15 ndeshjet e mbetura të Bundesligës së Dytë. Më qëllimin, për ta siguruar sa më shpejt që të jetë e mundur qëndrimin. Gjasula shpreson te një rikthim sa më i gjatë në fushë. Teksa “Zebrat” u rikthyen në korrik të vitit të kaluar, nga një fazë përgatitore në ishullin e Detit të Veriut, Borkum, mesfushori shqiptare pati nevojën e një mjeku, pasi ai ndihej paksa i lodhur. Pas diagnostikimit u qartësua se ai kishte një problem me një nga muskujt e zemrës. Një diagnozë që nuk mund të nënvlerësohej kurrsesi. Mjekët vendosën që, shqiptari të mos merrej me sport për një kohë të papërcaktuar, për të shmangur një përkeqësim të situatës shëndetësore të Gjasulës. “Kjo është një situatë vërtet e çuditshme. Ti nuk e ndjen veten të sëmurë, por megjithatë nuk mund të bësh dot asgjë’, – tha atëherë me dyshim Jurgeni. Në fillim të nëntorit ai mori lajmin e parë pozitiv. Gjasula e nisi me joga të lehta. Ai tha se, kishte mësuar shumë për sëmundjen e tij, por dhe se donte të shijonte çdo minutë nga futbolli. Sëmundja ia ndryshoi komplet mënyrën e jetesës. Dhe deri sa ai, të ishte plotësisht i shëruar kishte nevojë për pak kohë. Tani ai është i bindur se, mund të japë kontributin e tij për MSV Duisburgun. Sigurisht, ai nuk mund të jetë 100 për qind në fushë në një kohë të shpejtë, por brenda prillit ai do të mund të luajë minuta të plota. Gjasula punon çdo ditë me durim për këtë qëllim.