Lorik Cana: “Shqipëria s’është inferiore”

463
Sigal

Kapiteni i Kombëtares: “Të shfrytëzojmë goditjet standarde. Të luajmë futboll fizik kundër Norvegjisë”

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, gjithmonë është dalluar për entuziazmin e tij. Mesfushori i Lacios karikon skuadrën në prag të ndeshjes të premtes kundër Norvegjisë në Oslo, ndeshja e pestë e Kombëtares në eliminatoret e Botërorit 2014. Pas dëmtimit të lehtë në kavilje, gjatë seancës së ditës së martë, kapiteni është gati për sakrificën e radhës, pikërisht në “Uleval”, atje ku për herë të parë dhe të vetme, Shqipëria e drejtuar nga Astrit Hafizi barazoi 2-2, edhe pse ishim në avantazh 0-2 deri në minutën e 82-të. Kombëtarja e Shqiptare do të niset të enjten drejt Norvegjisë, ku dhe do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në orarin dhe stadiumin ku do të luhet ndeshja e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014.

Lorik, në skuadër kanë ardhur dy prurje të reja, Migjen Basha dhe Valdet Rama. Si do t’i vlerësonit, edhe në rolin e kapitenit?

  – Jemi të lumtur që I është hapur mundësia të luajnë me Kombëtaren si Migjenit ashtu edhe, siç shpresojmë Valdetit  I falenderoj gjithë njerëzit që e kanë bërë këtë të mundur, duke filluar që nga lojtarët që kanë dashur këtë gjë, por edhe stafi teknik, federata dhe gjithë institucionet, sepse kjo I jep cilësi dhe konkurrencë Brenda ekipit Kombëtar. Duke pasur më shumë konkurrencë, edhe niveli I ekipit rritet. Janë lojtarë që luajnë në dy nga kampionatet më të mira të botës, Valdeti në Spanjë dhe Migjeni në Serinë A. Janë lojtarë që do të rrisin cilësinë e ekipit. Por, është detyra e ne lojtarëve që kemi kohë në Kombëtare që ti japim ndihmën tonë në mënyrë që ata të ambjentohen dhe të japin kontributin sa më shpejt.

 – Trajneri De Biazi është fokusuar shumë në anën taktike. Çfarë skeme mund të përdorim në Olso?-

– Jemi duke provuar shumë gjëra gjatë gjithë kësaj periudhe, sepse duam edhe ne që të kemi një fytyrë tonën dhe një mënyrë loje. Për ato që japim në fushë, teknikisht dhe për sa I përket cilësive, nuk ka hapësira për kontestime, por sigurisht që kemi shumë për të përmirësuar.

 – Në ndeshjen e fundit fituam kundër Sllovenisë, por nuk duhet të harrojmë dy humbjet me Islandën dhe Gjeorgjinë, në Tiranë. Si do ta vlerësonit?

– Është e vërtetë që kemi dy humbje në tre ndeshjet e fundit, por unë dua të nisem nga ky edicion, pra ky vit, ku pësuam një humbje në miqësoren përpara një muaji. Nuk ishte një ndeshje që meritonim humbjen, pasi si ne, ashtu edhe Gjeorgjia, nuk treguam një cilësi loje për të merituar fitoren. Ishin detaje. Kurse, nga fillimi i eliminatoreve, ku kemi mbledhur gjashtë pikë në katër ndeshje, pengu më I madh është humbja me Islandën. Meritonim të paktën 1 pikë, jo 3. Me Slloveninë nuk ishte surprizë.

 – Jeni kapiteni i skuadrës. Si do ta vlerësonit gjendjen e saj?

 – Jemi një skuadër që jemi në rritje. Në të shkuarën ka pasur edhe breza të tjerë që kanë qenë cilësorë. Mendoj se Shqipëria, me kalimin e kohës, do të bëhet edhe më konkurruese në çdo edicion, por ne po mundohemi që ta bëjmë këtë gjë sa më herët. Do të ketë edhe prurje të reja, pra futbollistë që do të vijnë në këtë Kombëtare.

 – Shqipëria e ka pasur gjithmonë të vështirë në transferta. A besoni se do të arrijmë ta thyejmë këtë traditë?

 – Nuk jam dakord shumë në këtë gjë, pra që vuajmë në transfertë. Por, është e vërtetë që kur luajmë përpara publikut tonë jemi ndryshe nga momenti kur luajmë në transfertë. Dhe pikërisht kjo është ajo që thashë më parë, pasi na mungon personaliteti dhe identiteti të cilin jemi ende duke e ndërtuar. Kur ke arritur në pikën kur luan pa frikë se Brenda dhe jashtë fushe, atëherë është arritur edhe ajo që unë, trajneri dhe të gjithë kërkojnë. Sigurisht, Brenda fushës nxjerrim në pah shumë vlera të tjera. Kjo dallohet sidomos te fakti që ne rrisim nivelin dhe kundërshtari e ul atë, duke u barazuar nëse ka diferenca të tjera teknike.

 – Në ndeshjen e vetme në Norvegji, Shqipëria barazoi 2-2. A mund ta përsërisim atë rezultat?

  – Mund të përsëritet ajo që ka ndodhur vite më parë dhe, madje kam parë dhe që ekipi kuqezi, edhe përpara, është ndeshur në Norvegji dhe është mundur, por me një lojë të mirë. Ne do të mundohemi që të bëjmë një ndeshje të madhe. Do udhëtojmë në Norvegji me bindjen se njerëzit presin shumë nga ne. Do të jenë kushte të vështira dhe atmosferë e vështirë, por do të ketë edhe shqiptarë”.

 Prova kundërsulmi

  Trajneri De Biazi provoi në seancat e djeshme stërvitore skemat që do të përdorë në Oslo, kundër Norvegjisë. Manovra që kanë të bëjnë kryesisht me kundërsulmin, pasi rreshtimi taktik i Shqipërisë do të jetë një 4-4-1-1 i pastër, Roshi në të majtë dhe Lila në të djathtë do të mbështesin vijnë sulmuese me Edgar Çanin dhe Hamdi Salihin. Në mesfushë, dyshja Bulku-Basha ka edhe detyrën më të vështirë, atë të digës, por edhe të krijimit të lojës.

 Çani, në gjendje të shkëlqyer

 Italiani Alberto Bele, përgatitësi atletik i Kombëtares sonë tha fjalët më të mira në lidhje me gjendjen fizike në tërësi të skuadrës. Në lidhje me Çanin, që ka dy muaj që stërvitet me Katanian, ai është shprehur: “Isha në Katania para ca kohësh për të ndjekur nga afër stërvitjen e Edgarit, por edhe të mikut tim, Të mos harrojmë që Edgari ka vetëm dy muaj që ka nisur të stërvitet rregullisht, ndaj i duhet pak kohë që të kapë ritmet optimale, edhe pse konkurrenca është e madhe. Tani është OK!”.

  Mërgim Mavraj: “S’kanë rëndësi temperaturat, ne shkojmë për fitore”

 Mbrojtësi i Grojther Fyrthit është rikthyer pas mungesave në miqësoret me Kamerunin dhe Gjeorgjinë. I njohur për karakterin e fortë të tij, kosovari me një përvojë të madhe futbollistike në Gjermani, foli me entuziazëm për ndeshjen me Kamerunin. “Ndeshja me Norvegjinë është një ndeshje ku kërkohet shumë stabilitet në mbrojtje, sidomos nisur nga fakti se nuk luajmë Brenda fushës, por edhe duhet të dimë se nuk është ndeshja e fundit, kështu që pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë, kemi edhe disa ndeshje të tjera. Duhet të shkojmë në Norvegji për të fituar dhe jo për të barazuar, por çfarë do të marrim në fund nuk i dihet”.

Në Norvegji, në këtë fillim pranvere temperaturat priten të jenë nën zero. “Për ne nuk ka kurrfarë problemi, qoftë borë, apo shi, ngrohtë apo ftohtë. E rëndësishme është të jemi kompaktë dhe solidë. Pra, moti nuk ka rëndësi, sepse si për ne, ashtu edhe për ata, do të jetë njësoj. E përsëris, do të japim maksimumin për të marrë tri pikët. Stafi dhe trajneri kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në lidhje me paraqitjen e kundërshtarit dhe e njohim, por kjo sërish s’është edhe me aq rëndësi, duke qenë se ne fillimisht duhet të jemi luftarakë. Asnjë skuadër nuk na tremb dhe mendoj se çdo kundërshtar e ka shumë të vështirë për të na mundur”. Në lidhje me të ardhmen, Mavraj tha: “Për momentin jam fokusuar tek ndeshja me Norvegjinë, sepse kemi një rast dhe një mundësi të mirë, por edhe për sa I përket skuadrës së Greuther Furthit dhe mundësisë për mbijetesë, mendoj se janë edhe 9 ndeshje, ndaj dhe ne do të provojmë. Por, ajo që do të ndodhë në verë nuk është se më përket në këtë moment, pasi siç e thashë, përqendrimin e kam diku tjetër”.

 Fanella e re e transfertës, e bardhë me vija të kuqe

 Shqipëria do të luajë kundër Norvegjisë me fanella të bardha, por me shirita të kuq. Ia vlen të kujtojmë se kur luajti kundër Zvicrës në Gjeneve ajo ishte e bardhë me shirita blu dhe krejt e ngjashme më atë të Greqisë, çka prodhoi polemika të forta midis grupimit të tifozëve “Kuq e Zi” dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, madje kjo e fundit kërkoi falje, duke premtuar se gjithçka do të ndreqej. Dhe ja tani, në “Ulelav” të Oslos ajo do të luajë me fanella të bardha me vija të kuqe.