Lorik Cana: Në këtë karrierë të dytë, projektet më bëjnë më optimist

698
Nga Agron KAJA
“GJITHÇKA PËR FËMIJËT”/ Dje, futbolli shqiptar u ul në tryezë për moshat e vogla me Projektin “GROW”, flet për “Telegraf” ish-kapiteni i Kombëtares
Në bashkëbisedimin e djeshëm që FSHF-ja organizoi për futbollin e fëmijëve, të gjithë të pranishmit prekën një nga ndjeshmëritë e kahershme për rritjen e standardeve në punën me futbollin e fëmijëve. Prindër, specialistë futbolli, juristë, psikologë e të tjerë pjesëmarrës në këtë tryezë, të gjithë u shprehën se ky është një projekt që do ta ndihmojë shumë rritjen graduale të nivelit në futbollin shqiptar. Presidenti i FSHF-së dhe Lorik Cana, e bënë edhe më të prekshme këtë veprimtari.
Si ndjeheni sot, kur gazetarët ju drejtohen si një ish-kapiten i Kombëtares?
Mendoj se është përkushtimi ndaj një realiteti të ri tek ne ish-futbollistët, pasi duket sikur mbetemi brenda po vetes, nga pasioni që kemi për futbollin. Në pjesën aktive, natyrisht që jam një ish-futbollist, dhe ndjehem mirë me të gjithë, sepse e shoh që në këtë karrierë, njëherësh edhe te Kombëtarja, kam lënë mbresa e kujtime të mira.

Jeni larguar nga futbolli i luajtur në verën e vitit 2017, sot në nëntor 2017 ju ende nuk e keni një pozicion fiks, pse?
Besoj se është normale, pasi është shumë e vështirë për një karrierë të dytë. Aktualisht jam në pritje, por mendoj se është mirë që pas lënies së futbollit, dy-tre vite t’i përkushtohesh familjes.

Keni një fondacion tuajin për futbollin, jeni President Nderi i projektit Grasroot, keni ndonjë ide tjetër për vazhdimësinë tuaj, brenda ose jashtë futbollit?
Vazhdimësia e karrierës së dytë gjithmonë është në varësi të situatave. Me fondacionin “CANA 5” do të jetë një punë që do më shoqërojë gjatë gjithë kohës, ndërkohë që kushtet më shumë më kanë imponuar që të jem më shumë jashtë Shqipërisë.

Tashmë që jeni larguar nga Kombëtarja, e keni ndjekur në vazhdimësinë e ndeshjeve që ajo ka luajtur deri më sot?
Gjithmonë, si live në stadium, kryesisht këtu në Shqipëri, por edhe nëpërmjet televizionit kur jam ndodhur në Kosovë apo në vende të tjera jashtë Shqipërisë. Nuk e mendoj që të më kalojë një ndeshje e Kombëtares sonë pa u parë në këto dy forma.

Pas largimit nga futbolli i luajtur, ju krijohen më shumë mundësi në përkushtimin ndaj saj?
Kur bëhesh prind, qendra e vëmendjes është fëmija e familja në tërësinë e saj. Ndaj këtë kohë kështu e kam kaluar, njëherësh duke parë shumë ndeshje futbolli në televizion. Angazhimet e detyrimet e tjera në familje, plotësojnë gjithçka që më ka munguar më parë. 

Keni menduar ndonjëherë se djali juaj do të ketë një karrierë si e babait në futboll?
Është shpejt për ta menduar, por edhe për të koha do të vijë. Natyrisht që unë do ta orientoj te futbolli, por se sa do të bëhet ai, këtë do ta tregojë koha. Tashmë dua që ai të ritet mirë e shëndetshëm, për të qenë i tillë në gjithë vazhdimësinë e jetës.

Shqipëria nuk u kualifikua për ndeshjet finale të Botërorit “Rusi 2018”, çfarë do të sugjeronit për kualifikueset e Evropianit 2020?
Mendoj se Kombëtarja duhet të vazhdojë këtë rrugë. Panuçi e mori skuadrën pas një suksesi, por do të ishte më e vështirë vazhdimësia, pa një platformë që të na shtyjë më përpara. Besoj se edhe ai si trajner do të rritet shumë gjatë ndeshjeve kualifikuese për Evropianin 2020, sepse aktualisht ka një skuadër të pjekur dhe me kualitete.

Në muajin mars 2018 do të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF-së, ju e mendoni postin e Presidentit?
Absolutisht jo. Futbolli shqiptar e ka një president të përgjegjshëm, një njeri i zgjuar dhe i përkushtuar në këtë detyrë. Unë do ta mbështes atë për një vazhdimësi edhe më progresiste në futbollin shqiptar.

Po futbollin shqiptar, e keni ndjekur gjatë kësaj kohe i larguar nga futbolli i luajtur?
Po, në këtë periudhë e kam ndjekur më shumë se më parë. Sikundër edhe Kombëtaren, edhe këtë kategori elitare e ndjek kur jam në Tiranë dhe nëpërmjet televizionit, dhe konstatoj se ka shumë progres, vit pas viti.

Një mendim, kritikë ose porosi, e keni sot për futbollin shqiptar në tërësi?
Një autokritikë shumë domethënëse është kjo sot (dje) për futbollin e fëmijëve. PO krijohen kushte për të hedhur bazat e një futbolli më solid, i cili të orienton më shumë te cilësia në të gjitha nivelet.

Prisni ndonjë ndryshim tjetër në vazhdimin e karrierës suaj për vitin 2018?
Tani për tani, nuk kam ndonjë ide të re. Vazhdoj me këto projekte që kam nisur për ti përsosur më shumë.
Sigal