Lorik Cana: “Etrit Berisha, me të ardhme të madhe!”

513
Sigal

Mbrojtësi shqiptar i Lacios flet me superlativa për gardianin kuqezi pas barazimit me Juven

Lacioja e portierit Etrit Berisha dhe mbrojtësit Lorik Cana barazoi 1-1 kundër Juventusit të Antonio Kontes, kryesueses së Serisë A në Itali, pavarësisht se lacialët goditën shtyllën dhe një traversë në minutat e fundit. Dy lojtarët shqiptare, të cilët e nisën si titullarë dhe ishin ndër më të mirët në fushë, morën vlerësime maksimale nga mediat italiane. Lorik Cana gjatë një interviste për “Lacio Style Channel”, televizionin tematik të lacialëve tha se, i vinte keq që nuk e fituan takimin, pasi sipas e tij, e kishin ndeshjen në dorën tonë. Cana pësoi një dëmtim të lehtë, por kapiteni i Shqipërisë pohoi se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Cana u vlerësua për lojën e tij, duke mos i zhgënjyer tifozët, sidomos me sparkatat e tij në disa ndërhyrje vendimtare, që mund të kishin si pasojë pësimin e golit.

Lorik, një pikë e hidhur pas një ndeshje të madhe të Lacios, kundër një skuadër si Juventusi, më të mirës së këtij viti. Si do ta konsideronit?

– Sigurisht, tani pas ndeshjes mund të them se ishte paksa e hidhur, pasi ndeshjen e kishim në dorë. Sipas meje bëmë një ndeshje bindëse, pa harruar se përballe nesh kishim Juven. Ata dhe me një lojtar më pak dinë të sulmojnë dhe të jenë të rrezikshëm. U treguam të zotë që nuk u zhbalancuam. Për fat të keq, kur pëson gol, ka gjithmonë diçka që mund të shkojë më mirë. Juve mbetet gjithmonë Juve edhe kur luan me një lojtar më pak. Të vjen keq, pasi e patën ndeshjen në dorë. Stadiumi “Olimpiko” ishte plot dhe na mbështeti shumë, kështu duhet të vazhdojmë.

Lojtarët luajtën me shpirtin e duhur. Jemi një skuadër. Por, duhet ta dimë se rezultatet nuk vijnë menjëherë. Sigurisht, që na duhet të përmirësohemi akoma. Tani që, e morëm këtë pikë na duhet të mendojmë për ndeshje e radhës.

– Kundër skuadrave të mëdha, ju kemi parë që jepni në fushë diçka më shumë. Edhe ndaj Juventusit u vu re kjo gjë.

– Sipas meje, ishim përgatitur mjaft seriozisht për ta përballuar këtë sfidë, për të bërë në një farë mënyrë një paraqitje të mirë. Trajneri (Reja) e njeh mirë futbollin italian, e njeh grupin dhe e di se çfarë mund të nxjerrë nga lojtarët dhe puna që bën çdo ditë për çdo lojtar për t’u rritur. Mund të luajmë më mirë, por është një Lacio solide.

– Të mërkurën kundër Napolit në Kupë, një tjetër sfidë e vështirë…

– Do të jetë një sfidë e vështirë. Do të përballemi me një skuadër që është duke bërë një kampionat të mirë dhe që nuk dëshiron aspak të tërhiqet. Kupa është e jona dhe nuk do ta lëmë për asgjë. Nëse do të kalojnë ata, do t’u bëjmë komplimente kundërshtarëve tanë, por ne nuk heqim dorë.

– Lorik, cili është opinioni juaj mbi Etrit Berishën, luajti si titullar kundër Interit dhe tani kundër Juventusit, duke bërë paraqitje të rëndësishme. E dimë se, po e ndihmon shumë djaloshin…

– Unë e thërras Titi, dhe po kështu të gjithë shokët. Nuk është e lehtë për të, pasi është vetëm fillimi, e sigurisht që mosnjohja e gjuhës ia komplikon paksa gjërat. Unë tashmë jam duke i mësuar gjuhën dhe ta ndihmoj atë jashtë fushës së futbollit. Gjëja më e bukur është se, ai ka dalë t’u japë besim shokëve të skuadrës, por edhe tifozëve. Ka fatin të punojë çdo ditë me një portier të madh si Marketi dhe një trajner fantastik. Të punosh me një portier si Marketi, i kombëtares italiane, prej të cilit mund të mësoj shumë. E ka të ardhmen përpara tij. Dhe kur u thirr për të luajtur, mendoj se ka bërë shumë mirë deri tani. Sigurisht, edhe unë jam këtu për ta ndihmuar për gjërat që i mungojnë, e këtu futet edhe gjuha. Gjithsesi, ai e ka të ardhmen përpara dhe tashmë e ka ai në dorë për të luajtur mirë.

– A shihni një konkurrencë midis dy portierëve?

– Nuk mund ta them këtë. Kur Titi (Berisha) erdhi te Lacio, ai e dinte se përpara kishte një portier të madhe, si Fede (Federiko Marketi). Është Fede numri një, një nga numrat një më të fortë në Itali. Nuk mjaftojnë pak ndeshje, për t’u bërë numri një. Marketi ka punuar shumë vite, për të qenë ky që është dhe i ka bërë mirë. Siç e thashë, Titi Berisha është me fat që e ka atë përpara. Të mësojë prej tij. Gjithsesi, jemi të lumtur që të dy po bëjnë paraqitje të mira.

 

Edi Reja: “Pse fus Berishën dhe jo Marketin”

 Trajneri i Lacios, Edi Reja, nuk e ka njohur shijen e humbjes, qysh kur është ulur në bankinën laciale, dhe një rol jo të vogël në këtë statistikë ka dhe portieri Etrit Berisha. Në komentet e tij, tekniku dha edhe arsyet pse ai ka preferuar Berishën dhe jo portierin e parë, Federiko Marketin. “Pse se futa Marketin? Berisha ka luajtur shumë mirë, i ka dhënë siguri ekipit pasi është shumë i qetë dhe i lexon mirë trajektoret. Marketi pati disa probleme gjatë javës, e pyeta si ishte dhe më tha që nuk ishte mirë, kështu që e lashë akoma pushim. Për të luajtur kundër Juves duhet të jesh mirë”. Komenteta e “Sky Sports” vlerësonin shumë paraqitjen e Berishës, duke i dhënë epitete të ndryshme: “Berisha bëri një ndërhyrje impresionuese në goditjen e Lorentes”; “Spanjolli mund të shënonte, por goditja klasi e tij me kokë u prit mirë nga Berisha”; “Tevez gati sa nuk shënoi golin e 2-1, por Berisha ndërhyri me guxim, duke ia hequr mundësinë argjentinasit”, etj..

 Vlerësimet “Është fat ta kesh”

 Etrit Berisha është vlerësuar pozitivisht nga “Lalaciosiamonoi. it”, në faqe e afërt me klubin e Lacios. “Berisha 6.5: Për një motiv, apo për një tjetër nuk del më nga fusha. Është një fat ta kesh në dispozicion, duke parë mungesën në vazhdimësi të Marketit. Akoma dhe një herë tjetër nuk zhgënjen dhe i mban të sigurta shtyllat bardhekaltër. Ashtu si bllokoi në dy kohë, gjuajtjen me kthim të Lorentes. Spanjolli ia doli ta befasonte në pjesën e dytë që me një gjuajtje me kokë, e cila përfundoi poshtë kryqëzimit të shtyllave”. Gazeta sportive italiane, “CORRIERE DELLO SPORT” e cilësonte Berishën me notën 7, po aq sa sulmuesi gjerman Miroslav Kloze, i cili fitoi penalltinë prej së cilës Lacios shënoi dhe golin. Berisha dhe Kloze ishin dy më të mirët në fushë.

NOTAT E BERISHËS DHE CANËS

“CORRIERE DELLO SPORT”

Berisha 7; Cana 6

“GAZZETTA DELLO SPORT”

Berisha 6.5; Cana 6

“IL MESSAGGERO”

Berisha 6.5; Cana 6.5

“CORRIERE DELLA SERA”

Berisha 6.5; Cana 6.5

“LA REPUBBLICA”

Berisha 6.5; Cana 6

Luan Kaçe, PAOK-u fiton 4-1

 PAOK-u i Selanikut mposhti 4-1 Verian, por ajo që veçohet është aktivizimi si titullar i Ergys Kaçe, mesfushorit të Kombëtares sonë, i cili bën kështu paraqitjen e tretë në 2014-ën me fanellën e PAOK-ut. Korçari kishte plot pesë muaj që nuk luante, por falë këmbënguljes së trajnerit Hub Stivens, u rikthye në ekip, ndërsa edhe tifozët e mirëpritën rikthimin e tij. Edhe në ndeshjen e djeshme, ashtu si në ndeshjet e kaluara, Kaçe bëri një paraqitje për tu vlerësuar, teksa në qendër me Maduron bllokoi çdo sulm të miqve, duke mos u lejuar atyre të rrezikonin ndeshjen në asnjë moment. Dy rastet për t’u veçuar për talentin tonë, i pari në pjesën e parë, kur gjuajti fort drejt portës por portieri i Verias largoi, ndërsa një në minutat e fundit, kur largoi sërish portieri mik. Me këtë ndeshje dhe me një performancë për t’u admiruar, duket se Kaçe ka fituar pikë ndaj dy rivalëve të tij në zonën e mesfushës, Lazar dhe Tziolis.

 Basha, vetëm 15 minuta

  Torino fiton, por në pjesën më të madhe të kohës e bën këtë pa Migjen Bashën. Futbollisti i Kombëtares tonë, aktivizohet vetëm 15 minuta në ndeshjen e fituar ndaj Atalantës, teksa hyri në minutën e 81-të të sfidës, e cila u mbyll me gjashtë minuta shtesë. Numri 14 i përfaqësueses kuqezi hyri në vend të Omar El Kaduri, dhe në minutat që luajti ndërhyri një herë mirë në mesfushë ndaj Cigarinit, ndërsa në fund fitoi dhe një goditje këndi për vendasit. Ndërkohë, Torino fitoi dhe golin e shënoi i zakonshmi Çerçi me penallti, në minutën e 59-të.

  Shkëlqen Rey, katër gola

 Talenti shqiptar, Rey Manaj, ishte protagonisti absolut në fitoren 5-1 të Sampdorias kundër Novarës, të vlefshme për kategorinë U-17. Lushnjari Manaj shënoi katër gola për skuadrën e tij, Sampdoria. Ai është kontingjenti i Kombëtares U-19.