Lorenc Jemini: Ka rritje në nivelin e gjykimeve, por duhet ndryshim cilësor tek arbitrat

518
Nga Agron KAJA
FOKUS/ Flet për “Telegraf” ish-arbitri ndërkombëtar shqiptar, analizon ecurinë e gjykimit për fazën e parë të Superiores
Edhe pse ka kaluar rreth një javë nga zhvillimi i ndeshjes Flamurtari-Kukësi 1-1, e vlefshme për javën e 9-të të Kategorisë Superiore, ende ka mendime Pro dhe Kundër për golin e avantazhit, i cili iu anulua skuadrës vlonjate në minutat e fundit të ndeshjes, nga asistenti Riziger Çoka. Gazeta “Telegraf”, me idenë për ta mbajtur “gjallë” debatin, gjithmonë në interes të një mendimi profesional që e ndihmon gjykimin e ndeshjeve, por edhe për një fokus profesional për gjykimet në fazën e parë të Superiores, iu drejtua fillimisht ish-arbitrit ndërkombëtar Lorenc Jemini, i cili qëndron ende në mendimin e dhënë në media të tjera sportive, se anulimi i golit ishte rregullt. Por, Jemini mendon se duhet ndryshim cilësor me arbitrat, ndërsa për më gjerë, gazeta iu referua edhe mendimit të një tjetër ish-arbitri ndërkombëtar, Arsen Hoxhës. Në deklarimin e tij për gazetën “Panorama Sport”, Hoxha shprehej se kishte një këndvështrim ndryshe, duke e quajtur të padrejtë anulimin e atij goli në Vlorë.
Në këndvështrimin tuaj si specialist gjykimi, si ka qenë niveli i gjykimeve gjatë ndeshjeve të fazës së parë të Kategorisë Superiore 2017-2018?
Lorenc Jemini: Si në çdo fillim sezoni, edhe në këtë fazë të parë të kampionatit, arbitrat futen me vonesë në ritmin e ndeshjeve. Gjithsesi, unë mendoj se në tërësinë e tyre, gjykimet kanë qenë në nivel të mirë, pa mohuar edhe gabimet që janë bërë gjatë garës, të cilat unë i quaj vetëm njerëzore.
Në 45 ndeshjet e fazës së parë janë luajtur 4050 minuta kohë zyrtare, si kanë qenë arbitrat në këtë hark: faktor pozitiv apo negativ?
Unë ja u deklarova më sipër faktin se, kanë qenë gjykime të mira, dhe për mendimin tim, në asnjë rast arbitrat nuk janë bërë faktor në përcaktimin e ndonjë rezultati. Duhet ta kemi të qartë të gjithë, se arbitrat nuk mund të gjykohen e të vlerësohen vetëm nga një gabim që ndodh në ndeshje.
Ku mendoni ju se është problematika e gjykimeve sot në Superiore?
Unë nuk mund ta përcaktoj konkretisht, sepse të gjithë ata arbitra që kanë gjykuar ndeshje, i kanë kaluar testet e sektorit të gjykimit në FSHF. Por mendoj se problematika e gabimeve në arbitrime, ka edhe një zinxhir faktorësh pasionantë që bëhen pjesë e lojës: Tifozë-drejtues-trajnerë-lojtarë. Gabimet në gjykimin e ndeshjeve sot tek ne, unë i mendoj vetëm njerëzore e personale.
Ka shumë arbitra të rinj në kohën dhe eksperiencën e gjykimit, mos është ky një guxim i FSHF-së për ta rinovuar këtë sektor?
Mendoj se ky është problemi më i madh që kanë drejtuesit e Sektorit të Arbitrimit në FSHF me futbollin sot. Në gjykimin tim, unë mendoj se jam shumë larg tyre, ndaj kam deklaruar edhe më parë se, që të ketë rinovim me arbitrat, së pari duhet rinovuar ky sektor në FSHF. 
Flasim konkretisht vetëm për një gol, ai i anuluar në fundin e ndeshjes Flamurtari-Kukësi 1-1, sipas jush, ishte anulim i drejtë apo i padrejtë?
Rasti i golit të Flamurtarit ishte i vështirë për t’u evidentuar nga këndvështrimi i kryesorit dhe asistentit dhe unë mendoj, se anulimi ishte i drejtë. Vetëm nga një fakt, sepse lojtari që ishte në pozicion jashtë loje në momentin e golit, sipas rregullores, ndikon te portieri kundërshtar, edhe pse nuk e preku topin.
Nisur jo vetëm nga ky rast, por në tërësinë e problematikës së gjykimit në fazën e parë të Kategorisë Superiore, çfarë sugjeroni ju për vazhdimësinë?
Më duhet ta ripërsëris edhe një herë mendimin tim në përgjigje të kësaj pyetjeje, se duhet të ketë ndryshim në përzgjedhjen e arbitrave të rinj. Ky është problemi më i madh që kanë drejtuesit e Sektorit të Arbitrimit në FSHF me futbollin sot, dhe sugjerimi im është i qartë.
Po për arbitrimin në tërësi, ku mendon se duhet ndryshimi më konkret në këtë sezon?
Sezoni është në vazhdimësi, dhe nëse mendojmë që të ndryshojmë emra në mesin e garës, kjo nuk do t’i shërbente aspak cilësisë së gjykimeve. Por, duke qenë se ka diferenca mes skuadrave që tani në fazën e parë, në fazat e tjera, nëse do të jetë kështu, gjykimet do të jenë edhe më të lehta. Ndryshimi nuk varet vetëm nga arbitrat, por nga të gjithë faktorët dhe aktorët e lojës.
Mendoj se arbitrat e rinj sot, nuk janë vetëm pjesë e guximit të FSHF-së për ta rinovuar këtë sektor delikat të lojës. Duke e parë më konkretisht dhe më gjerë, unë konstatoj, se në rastet më të shumta, arbitrat e futbollit në Shqipëri vijnë pa seleksionimin e duhur, ndaj ka një mospërputhje të vendimeve të tyre gjatë lojës
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 10-të
E mërkurë, 15 nëntor 2017
Luftëtari-Teuta 14:00
Vllaznia-Lushnja 14:00
Të enjten, 16 nëntor 2017 
Laçi-Partizani 14:00
Kamza-Kukësi 14:00
Flamurtari-Skënderbe17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 9 25
2.Kukësi 9 18
3.Flamurtari 9 16
4.Kamza 9 15 
5.Laçi 9 11
6.Partizani 9 11
7.Teuta 9 8 
8.Luftëtari 9 8
9.Vllaznia 9 6
10.Lushnja 9 5
Sigal