Lorenc Jemini: Gabimet e arbitrave, më shumë ndodhin në zonën e penalltisë

959
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Këndvështrimi i ish-gjyqtarit Ndërkombëtar të futbollit, ja “receta” e tij për vazhdimësinë e garës
Duke qenë një nga ish-arbitrat e futbollit më të mirë në Shqipëri, ish-Ndërkombëtari Lorenc Jemini, kohët e fundit ka qenë prezent edhe në media, duke dhënë kështu kontributin e tij në përmirësimin e gjykimit në lojën e futbollit, por tashmë jashtë fushe. Dhe dje për gazetën “Telegraf”, Jemini deklaroi, se në këtë gjysmë të dytë të këtij sezoni, ka ngadalësi në ritmin e garës, e këtu ai fut edhe arbitrat. “Gjithmonë, rifillimi i sezonit në gjysmën e dytë të tij pas një pauze zyrtare, shoqërohet me ngadalësi në ritmin e tij, sepse të gjithë duhet të futen në “vallen” e këtij ritmi, e këtu përfshihen edhe arbitrat. Por edhe mosha e re dhe përvoja e pakët e tyre, kanë nevojë që të rriten, dhe rritja duhet të vijë natyrshëm, mes të mirave, dobësive e gabimeve”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij ish-arbitri Ndërkombëtar Lorenc Jemini, i cili ka edhe një moment ku gabimet e gjyqtarëve evidentohen më shumë. “Në këndvështrimin tim, gabimet më të shumta të arbitrave janë bërë në zonën e penalltisë. Dhe këtu ata (arbitrat) duhet të kenë më shumë kujdes në vendimet e tyre, sepse ka raste që zihen në “grackën” e lojës, duke bërë gabime të pandërgjegjshme, njerëzore. Por që të ndryshosh fatin e një ndeshjeje kur gabon edhe njerëzisht, nuk do të thotë që të mos reagosh ndaj gabimit, në interes të përmirësimit”. Por për Ndërkombëtarin e arbitrimit shqiptar, në ecurinë e garës duhet që arbitrat të kenë vlerësim më të madh në vështirësitë që kanë ndeshjet, në të gjitha kategoritë e futbollit, jo vetëm në Kategorinë Superiore. Sipas tij, arbitrat nuk duhet të bien “pre” e presionit të deklarimeve nga klubet apo trajnerët, por edhe gjatë zhvillimit të lojës. “Ndeshjet e javës së 21-të janë shumë të vështira, të tilla bëhen edhe për arbitrat. Unë i këshilloj ata që të jenë të kujdesshëm dhe të mos futen në presion e klubeve me deklarimet e tyre ekstreme për “non grata”, aludime për ryshfete, e të tjera akuza, të cilat duhet t’i ndajnë nga performanca e tyre në fushë. Kështu ata duhet të jenë edhe në ndeshjet e kategorive të tjera në futbollin tonë, sepse kështu përmirësohet loja në tërësi, njëherësh përmirësohet edhe performanca e tyre në fushë”. Duke e parë këtë këndvështrim të Lorenc Jeminit si një ndihmë në përmirësimin e aktorëve të lojës së futbollit në vendin tonë, ndoshta iu duhet klubeve të futbollit që të lidhin më mirë përgatitjen teorike të lojtarëve e trajnerëve me realitetin, për të qenë në koherencë sa më të mirë edhe me gjykimet.
Në këndvështrimin tim, gabimet më të shumta të arbitrave janë bërë në zonën e penalltisë. Dhe këtu ata (arbitrat) duhet të kenë më shumë kujdes në vendimet e tyre, sepse ka raste që zihen në “grackën” e lojës, duke bërë gabime të pandërgjegjshme, njerëzore
Sigal