OPINION/ Lojërat Olimpike u mbyllën, Shqipëria e “fshirë” nga harta e olimpizmit botëror
Lojërat Olimpike “Londër 2012” e ulën siparin pas 17 ditësh, por me atë çka pamë në këtë event gjigant, duket se do të na marrë malli shumë shpejt. Jo vetëm se pamë spektakël në fushë, në pedana, në pishina apo edhe në pistat e vrapimit, por edhe për faktin real dhe drithërues, se ne shqiptarët në këtë Olimpiadë treguam anën më të dobët të sporteve tona, njëherësh edhe menaxhimin mediokër të tyre. Pse duhej të ishim ne shqiptarët në këtë eveniment? Kjo është një pyetje, e cila në përgjigjen e saj, sportivisht na bën të ndjehemi si pjesa më e dobët e globit, krahasuar këtu edhe me minishtete apo ishuj turistike që në disiplina të veçanta sportive arritën të merrnin ndonjë medalje, pse jo edhe të artë. Por, kjo paraqitje amatoreske na detyron të themi se në Londër, ka qenë një udhëtim turistik i olimpistëve tanë dhe i shefave të tyre me lekët e taksapaguesve shqiptarë, për deri sa aty ata nuk lanë asnjë shenjë sportive. Që nga viti 1972, kur në Mynih të ish-Gjermanisë Federale u zhvilluan Lojërat e 19-ta Olimpike Botërore, kanë kaluar plot 40 vjet, dhe që atëherë, Shqipëria nuk ka ekzistuar më në tabelat elektronike olimpike. Sepse, që kur Mjeshtri i Madh i Peshëngritjes sonë, Ymer Pampuri u shpall Kampion Olimpik, në të gjitha Olimpiadat e tjera olimpistët shqiptarë janë treguar ekskursionistë sa i përket përfaqësimit të tyre në to. Kështu ndodhi edhe në Londër, ku e nisën me një skualifikim për doping, që më së shumti është edhe një shkelje e ligjeve sportive, e vazhduan sagën me gara pa nivel në peshëngritje e qitje, u thyen dy rekorde kombëtare në not, që njehsohen me vendin e 37-të dhe të 42 në botë, u dëmtua një atlete, e…. pse të vazhdojmë më kështu! Në ranglistën e medalisteve në këto Lojëra Olimpike ishin edhe shtete të vogla si Qipro, Republika Domenikane, Afganistani, Uzbekistani, Taxhikistani apo Trinidad Tobago, të cilët ndoshta nuk kanë pasur karizmën shqiptare para garave, por që në Londër treguan se ekzistojnë sportivisht në hartën e olimpizmit botëror. Këta e lanë nga një shenjë në këto Lojëra, ndërkohë që olimpistët shqiptarë morën valixhet që në startet e para eliminatore. Gjithsesi, sa do që të renditësh mangësi, apo edhe të shprehësh pakënaqësitë e përfaqësimit të dobët shqiptar në Lojërat Olimpike në “Londër 2012”, ndoshta është mirë të dihet e të thuhet se ku dhe si stërviten atletët shqiptarë që marrin pjesë në këto Lojëra, në raport me olimpistët e tjerë konkurrues. Ky është një detaj që e merr me vete faturën e dështimit në Londër, e bashkë me të edhe trajningu, i cili në nivele evropiane e botërore thuajse është i dështuar. Të dy këta elementë të domosdoshëm, për të kapur hapin e olimpizmit botëror, janë duke e mbajtur “makinën” shqiptare me frena dore, makinë e cila ka 40 vite që është nisur për në destinacion, dhe që për ta do të duhet ndihma e NASA-s që t’i ngjisë në pedanat e medaljeve olimpike. Po çfarë përkrahje kanë ata olimpistë nga shteti e federatat e ndryshme sportive që ne t’i “dënojmë me vdekje” pas Londrës? Edhe këtu ka një “thembër Akili”, të cilën shigjeta shtetare nuk po e prek ku dhe si duhet. E thënë më troç, shteti shqiptar nuk ka dëshirë, nuk ka dashuri për flamurin shqiptar në arenën sportive, për të mos thënë vulgaren, nuk ka b…ë që të bëjë sport. Sepse të gjithë detajet e përmendur më sipër, kanë lidhje me programet e qeverive për sportin, të cilët as edhe Komisionin Anti-Doping nuk mundën ta venë në lëvizje para se t’i dërgonin olimpistët e “droguar” në Londër. Mendo për më shumë! Po, kush e drejton olimpizmin shqiptar në vite dhe çfarë përgjegjësie kanë këta zyrtarë në të tilla paraqitje? Në Londër, “suvaja” rrënuar e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ra, e ajo duket se i zuri brenda ata njerëz që kanë menduar se e kanë drejtuar “me dinjitet” atë ndër vite. Ndryshe, shqiptarët dhe flamuri ynë kombëtar do të ishin “gjallesë” sportive në Londër, këtë të mos e harrojë askush që në KOKSH pasuron CV-në personale me rrugë jashtë shtetit. Këtë nuk duhet ta harrojnë edhe federatat sportive në Shqipëri, të cilat mbeten çdo vit duke kërkuar lëmoshë te “lëmi pa drithë” i qeverive që shkojnë e vijnë, ndërkohë që vetë parapëlqejnë të jenë mediatikë e xhentëlmenë, thua se drejtojnë sportistë nga Xhamajka, USA apo Kina! Kjo ishte Shqipëria në “Londër 2012”, këtë CV i dhanë atletët tanë olimpizmit botëror dhe kjo nuk është për “Fletë Lavdërimi”. Më e pakta, të gjithë olimpistët e shefat e tyre në Londër, duhet t’u kërkojnë falje taksapaguesve shqiptarë që përfaqësuan në këto Lojëra Olimpike Botërore. Pse jo, dorëheqja e zyrtarëve e largimi nga sporti i ndonjërit prej “ç’olimpistëve”, do të ishte ndjesa më elementare ndaj qytetarëve shqiptarë që kanë menduar se nga taksat e tyre do të prodhohej ndonjë rezultat sportiv që ta evidentonte si pjesëmarrëse Shqipërinë në “Londër 2012”. Në sport, fjalët e bukura thuhen në fusha, në tapete e pista vrapimi, ndërsa në tavolina në të tilla raste ka vetëm një: “GO AWAY”! (ik, largohu).
Garat dhe rezultatet e olimpistëve shqiptarë
NOEL BORSHI
(Not, 100 metra delfin)
Vendi i 40-të nga 42 sportistë
Theu rekordin kombëtar në këtë stil
ARBEN KUÇANA
(Qitje me pistoletë, 10 m ajër)
Vendi i 20-të nga 44 sportistë
MAJLINDA KELMENDI
(Xhudo, pesha 52 kg)
U eliminua në 1/16
ROMELA BEGAJ
(Peshëngritje, pesha 58 kg)
Rezultati: 216 kg në dygarësh
Vendi i 11-të nga 19 sportistë
BRIKEN CALJA
(Peshëngritje, pesha 69 kg)
Vendi i 9-të nga 24 sportistë
DANIEL GODELLI
(Peshëngritje, pesha 69 kg)
Nuk u klasifikua në dygarësh
SIDNI HOXHA
(Not, 100 metra stil i lirë)
Vendi i 37-të nga 60 sportistë
Theu rekordin kombëtar në këtë stil
ADRIATIK HOXHA
(Hedhje gjyle)
Vendi i 37-të nga 40 sportistë
ENDRI KARINA
(Peshëngritje, pesha 94 kg)
Vendi i 14-të nga 21 sportistë
ARBEN KUÇANA
(Qitje, 50 metra pistoletë)
Vendi i 37-të nga 38 sportistë
SHËNIM
KLODIANA SHALA
(Atletikë, 200 metra)
U tërhoq nga gara për arsye dëmtimi
HYSEN PULAKU
(Peshëngritje, pesha 69 kg)
U përjashtua nga Olimpiada pasi rezultoi pozitiv me doping, substancën stanozozol
7 herë
ka marrë pjesë Shqipëria në Lojërat Olimpike: 1972, 1992, 1996, 2000, 2004, 2008 dhe 2012.
11 sportistë
është numri më i madh i pjesëmarrëseve në një Olimpiadë, pikërisht në “Pekin 2008”.
32 meshkuj
kanë marrë pjesë në Lojërat Olimpike për Shqipërinë
18 femra
Kanë përfaqësuar vendin tonë në shtatë Olimpiadat
RENDITJET MË TË MIRA TË SHQIPËRISË SIPAS OLIMPIADAVE
“MUNIH 1972”
Sportisti Mosha Sporti Vendi Pjesëmarrës
Ymer Pampuri 28 Peshëngritje 9 14
Pjesëmarrës: 5 sportistë (4 meshkuj/1 femër)
“BARCELONA 1992”
Sportisti Mosha Sporti Vendi Pjesëmarrës
Dedë Dekaj 22 Peshëngritje 9 24
Pjesëmarrës: 7 sportistë (5 meshkuj/2 femra)
“ATLANTA 1996”
Sportisti Mosha Sporti Vendi Pjesëmarrës
Ilirjan Suli 20 Peshëngritje 14 24
Pjesëmarrës: 7 sportistë (3 meshkuj/4 femra)
“SIDNEJ 2000”
Sportisti Mosha Sporti Vendi Pjesëmarrës
Ilirjan Suli 24 Peshëngritje 5 17
Pjesëmarrës: 4 sportistë (2 meshkuj/ 2 femra)
“ATHINË 2004”
Sportisti Mosha Sporti Vendi Pjesëmarrës
Theoharis Trasha 19 Peshëngritje 13 25
Pjesëmarrës: 7 sportistë (5 meshkuj/ 2 femra)
“PEKIN 2008”
Sportisti Mosha Sporti Vendi Pjesëmarrës
Romela Begaj 21 Peshëngritje 6 12
Pjesëmarrës: 11 sportistë (7 meshkuj/ 4 femra)
“LONDER 2012”
Sportisti Mosha Sporti Vendi Pjesëmarrës
Briken Calja 22 Peshëngritje 9 24
Pjesëmarrës: 9 sportistë (6 meshkuj/ 3 femra)