Lojtarët që Mourinho i dëboi si trajner, por ata janë në majë për momentin

621
Sigal

José Mourinho shpesh justifikohet, sa herë që vuan një pengesë, me trashëgiminë që ka lënë në ekipet e drejtuara prej tij. Ai e bëri këtë në një nga konferencat e tij të fundit për shtyp në drejtimin e Real Madridit, në të cilën mburrej se kishte arritur në tri gjysmëfinale radhazi të Champions-it, pavarësisht se kishte dështuar në të gjitha prej tyre, pa arritur titullin, i cili do të vinte vitin e ardhshëm nga drejtimi i Ancelottit. Kështu bëri edhe pak ditë më parë, pasi u eliminua nga Sevilla në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, kur iu kujtua “trashëgimia” e tij në Madrid: “Kur kam marrë drejtimin e Real Madridit, ju e dini se shumë lojtarë i kishin arritur çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Xabi Alonso me Liverpool, Casillas me Real Madrid dhe Cristiano Ronaldo me Manchester United. Jo më shumë. Kjo është trashëgimia e futbollit. Ju, e dini se çfarë tjetër është me vlerë? Otamendi, De Bruyne, Fernandinho, Sterling , Agüero apo Silva janë investime të së kaluarës, jo të dy viteve të fundit”. Në këtë fjalim, trajneri portugez harroi disa emra, për të cilët nuk dha asnjë mundësi kur ishte trajner i tyre dhe që sot janë titullarë të padiskutueshëm në ekipet e tyre. Lojtarë, që sot janë në mesin e më të mirëve në botë në rolin e tyre, por që duhej të “emigronin”, për të ikur nga Mourinho, i cili u vendosi kryqin.

 
Mohamed Salah
Ky është rasti i Mohamed Salah, udhëheqësi aktual i garës për “Këpucën e Artë” me 28 gola. Ish-lojtari i Chelsea dhe Mourinhos. Egjiptiani ka shërbyer nën drejtimin e trajnerit portugez në klubin e Londrës, menjëherë pas largimit të tij nga Real Madridi, por ka luajtur vetëm 19 ndeshje në të gjitha garat. U huazua te Fiorentina dhe pastaj ekipi i Romës e bleu. Pjesa tjetër është e njohur. Salah është shënuesi më i mirë i Premier League me Liverpool e drejtuar prej Jurgen Kloop.

 
Kevin de Bruyne
Gjithashtu, Kevin de Bruyne, ishte një nxënës i Mourinhos, edhe pse nën drejtimin e tij kaloi shumë më pak kohë në dhomat e zhveshjes. I faturuar si një premtim i madh, belgu luajti vetëm tri ndeshje në Premier League me këmishën blu, përpara se të shkonte te Wolfsburg për 22 milionë euro. Vetëm disa sezone më vonë, Manchester City theu rekordin e shpenzimeve, duke paguar 75 milionë euro për të. Tani është aistuesi më i mirë në Angli, lider i Manchester City, ekipit të udhëhequr nga Pep Guardiola, një kandidat për të fituar gjithçka, edhe Ligën e Kampionëve.

 
Dani Carvajal
Te Real Madrid, Mourinho ka pasur, gjithashtu, një rast flagrant. Dani Carvajal nuk ka pasur absolutisht asnjë shans në ekipin e parë, atëherë i kryesuar nga Jose Mourinho, ndaj u detyrua të “migronte” te Bayer Leverkusen. Aty u rrit më shumë. Tashmë pa Mourinhon në stolin e ekipit të bardhë, Carvajal u kthye dhe u bë “pronari” i padiskutueshëm i krahut të djathtë të “Bernabéut” dhe ekipit kombëtar spanjoll.

 
Romelu Lukaku
Ndoshta rasti i Lukakut shërben si “pendimi” i Mourinhos. I hedhur poshtë në kohën e tij te Chelsea, portugezi shfaqi pendimin e tij, duke e marrë verën e kaluar te Manchester United, por tashmë duke paguar 85 milionë euro. Kaq vleu pendesa për trajnerin portugez, i cili e justifikon shitjen e belgut kur ishte te Chelsea duke thënë se “ky është futbolli, kjo është jeta, ky është tregu. Ne shesim lojtarët më të mirë, por edhe kemi marrë më të mirët”.

 

Filipe Luis
Sulmuesi brazilian u largua nga Atlético Madrid pasi fitoi titullin në La Liga dhe arriti finalen e Ligës së Kampionëve. Përpjekja ambicioze e Mourinhos te Chelsea u errësua nga favorizimi i portugezit ndaj Azpilicueta, i cili mbylli rrugën e Filipe Luis, i cili, vetëm një sezon më vonë, vendosi të kthehet nën urdhërat e Diego Simeone. Braziliani ka marrë pjesë në 26 ndeshje, në sezonin e tij të vetëm si lojtar blu.