Lojtarët e Tiranës bojkotojnë stërvitjen

569
Sigal

Futbollistët kanë katër muaj pa rroga

 Gjendje kaotike te 24 herë kampionët. Rrezikohet ndeshja me Flamurtarin

Tirana, klubi më i rëndësishëm futbollistik në Shqipëri – 49 trofe në tre kompeticione – është duke përjetuar një situatë kaotike, që lidhet kryesisht me rrogat e papaguara të futbollistëve. Lojtarët nuk janë paguar prej katër muajsh dhe ata vendosën ta bojkotojnë stërvitjen deri në marrjen e parave, duke rrezikuar kështu seriozisht edhe takimin e fundjavës me Flamurtarin. Nuk ka qetësi tek Tirana. Sikur të mos mjaftojë shuplaka e marrë nga Komisioni i Disiplinës me dënimin për dy ndeshje pezullim të trajnerit Nevil Dede, tashmë shpërthejnë problemet e brendshme. Sipas burimeve pranë skuadrës, veteranët dhe titullarët e ekipit kanë bojkotuar seancën stërvitore, duke kërkuar rrogat e prapambetura. Ndërkohë që klubi përgatiste një deklaratë për shtyp të zëdhënëses Iva Mero, në kompleksin “Skënder Halili”, disa futbollistë, pjesa dërmuese titullarë, refuzuan të vijojnë me programin, duke zgjedhur këtë rrugë për të kërkuar rrogat e prapambetura. Futbollistët deklaruan se, bojkoti do të vijojë deri në momentin që të marrin paratë, pasi sipas tyre ndjehen të lodhur nga premtimet boshe. Ata bëjnë të ditur se kanë për të marrë pagën e katër muajve, pa përmendur premiot e deklaruara për fitoren ndaj Teutës sezonin e kaluar dhe suksesin në finalen e Kupës së Shqipërisë (ndaj Skënderbeut). Madje ky grup i futbollistëve bën të ditur se do të bojkotojë edhe sfidën e rëndësishme me Flamurtarin, duke theksuar se nuk kanë asgjë me trajnerin, por thjesht dëshirojnë të paguhen për djersën dhe kontributin e dhënë në fushë. Ekipi i Tiranës përmes një deklarate për mediat ka reaguar me revoltë ndaj vendimit të Komisionit të Disiplinës që ka dënuar trajnerin e ekipit të bardhebluve Nevil Dede me dy ndeshje pezullim, ndërsa sipas deklaratës, Elvis Rroshi dhe ankesa në FSHF nuk është marrë aspak në konsideratë. Komunikata për shtyp e shpërndarë nga zëdhënsja Iva Mero, e cilëson vendimin si të pa drejtë, duke theksuar se ka inkoherencë vendimmarrëse në vendimimin e Displinorit. “Organi juridik, i cili ndëshkon viktimën për pësimin e dhunës dhe komplimentin agresorin për gjestin “civil” të kryer. Ndaj Dedes janë konsumuar shkelje të rënda dhe nuk mund të pranojmë assesi përçudnimin e së vërtetës. Më datë 10.03.2013 u luajt futboll i vërtetë, aq sa i vërtetë ishte akti i dhunës ndaj trajnerit tonë. Një agresor i identifikuar, i cili ushtron funksionin e përfaqësuesit të aksionarit, konsumon kundravajtjen e parashikuar në Nenin 48.2/b, si sjellje e keqe ndaj kundërshtarëve, mbetet i pandëshkuar nga drejtësia sportive, ndërsa një subjekt i dhunuar dhe i kërcënuar ndëshkohet për një gjest të ashtuquajtur, provokues”. Kryendeshja e javës së 19-të të Kategorisë Superiore, Tirana-Flamurtari do të luhet në “Selman Stërmasi”, në një terren aspak cilësor, teksa gjendja e stadiumit është aspak e mirë. Kjo pasi drejtuesit e rinj, që administrojnë stadiumin kombëtar nuk kanë lejuar zhvillimin e kësaj ndeshje, pasi synojnë përmirësimin e fushës së këtij impianti në prag të miqësores se 26 marsit kundër Lituanisë. Në këto kushte drejtuesit e klubit Tirana, janë detyruar të hapin dyert e “Selman Stërmasit” për zhvillimin e sfidës me flamurtarin, pavarësisht se në të nuk është luajtur asnjë takim prej 5 muajsh, ka disa problem me rrethimin e tij, kushtet për tifozët janë të papërshtatshme dhe mbi të gjitha gjendja e terrenit është në ditën më të keqe dhe pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejt në cilësinë e kësaj përballje. Megjithatë rëndësia e kësaj ndeshje, synimi i përbashkët për një biletë në kupat e Europës, pritet gjithsesi të tërheqë interesimin e një pjesë të konsiderueshme të tifozerisë.

 Kryebashiaku Bici: “Ta zhdukim kupolën e FSHF-së”

  Kreu i Bashkisë së Gramshit, Dritan Bici, reagoi shumë ashpër në lidhje me vendimin e Komisionit të Disiplinës, pas dënimi të skuadrës së Gramshit për t’i zhvilluar të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të edicionit jashtë fushës së tij. Dritan Bici, autor i një veprimi të pazakontë, duke hyrë me makinën e tij dhe shqyer dyert e fushës së Gramshit, pas takimit Gramshi- Mamurrasi (java e 20-të e Kategorisë së Parë),  është kundër atij vendimi duke deklaruar se FSHF ka vepruar me qëllim për të zbritur ekipin e futbollit në kategorinë e dytë. “Veprimin e bëra dhe unë duhet të mbaj përgjegjësi dhe të dënohem. Madje unë jam në ndjekje penale për atë veprim që bërë, çuditem çfarë pune ka Komisioni i Disiplinës me ekipin që e ka dënuar, ndërkohë që autori jam unë dhe ndeshja kishte përfunduar. “Kjo është bërë e gjitha me qëllim për të zbritur Gramshin nga kategoria. Duhet ti zhdukim njëherë e mirë nga Federata ata që na drejtojnë, pasi futbolli është kriminalizuar. Vendimin do ta ankimojmë menjëherë, pasi është i padrejtë dhe i pabazuar. Ky qytet nuk e meriton këtë ndëshkim, aq më tepër që fajtori jam unë dhe për këtë po përgjigjem”,  përfundon Bici.

 Ngjitemi vende

FIFA, “ballokume” Shqipërisë për 14 marsin

  FIFA i bëri një dhuratë të bukur Shqipërisë në ditën e 14 marsit, të konsideruar si “Dita e Verës”, duke e ngjitur me shtatë vende në renditjen botërore për muajin mars 2013. Kombëtarja jonë, edhe pse nuk ka luajtur asnjë ndeshje, tashmë është e 64-ta me 510 pikë, e pozicionuar midis Siera Liones dhe Libisë. Ky ishte një mesazh i ngrohtë i qeverisë futbollistike, vetëm pak ditë përpara sfidës me Norvegjinë. Norvegjezët humbën dy vende dhe tani renditen të 29-të me 784 pikë. Shqipëria ka përfituar edhe katër vende në renditjen specifike të UEFA-s: e 30-ta nga 53 ekipe kombëtare. Nëse u referohesh skuadrave të tjera të grupit E eliminator për Botërorin “Brazil 2014”, ku bën pjesa edhe Shqipëria, Zvicra qëndron më lart se të gjithë. Helvetët nuk kanë lëvizur nga pozicioni i 14-të në renditjen botërore, ndërsa Norvegjia ka humbur dy shkallë. Nordikët e shohin veten në vendin e 29-të me 784 pikë. Dy pozicione ka humbur edhe Sllovenia, që pozicionohet e 56-ta me 567 pikë. Islanda renditet në vendin e 92-të, duke ngjitur njëherazi 6 shkallë. Në krye të kësaj renditjeje mujore të FIFA-s vijon të jetë Spanja me 1610 pikë, e ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina.

Flet i ati

Agim Cana: “Skenarët e Lorikut”

 Agim Cana, babai i Kapitenit të Kombëtares shqiptare, Lorik Ca Cana, njëherësh edhe agjenti i tij, zbuloi detaje nga karakteri i të birit gjatë një interviste të dhënë për portalin e njohur italian, “Tuttomercatoëeb.com”. Cana është duke bërë një paraqitje të mirë me Lacion, sidomos në rolin e qendërmbrojtësit ku është përshtatur më së mirë me skemat e trajnerit Vladimir Petkoviç. “Kur Loriku ka mundësinë të luajë ai jep gjithmonë 100 për qind”, – tha Agimi. Cana ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Europë, midis tyre dhe francezëve të Olimpikut të Marsejës, ku Loriku ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit.

  – Zoti Cana, si do ta vlerësonit paraqitjen e Lorikut, në rolin e ri të mbrojtësit?

 – Për të nuk është një rol i ri. Ai ka luajtur në mbrojtje me Kombëtaren shqiptare. Mund t’i mbulojë të dyja rolet, pa asnjë lloj problemi, si kur luan si mesfushor, ashtu dhe mbrojtës. Ashtu si për të gjithë lojtarët e rëndësishme është të luajë. Ai është i qetë. E rëndësishme është t’i japë një dorë skuadrën.

 – Ky impenjim i ri a mund t’i hapë edhe skenarët e rinj në merkato?

 – Ai ka një kontratë me Lacion deri në vitin 2016. Tani është shumë shpejt për të thënë se, ku do të luajë vitin e ardhshëm. Janë shumë faktorë që mund të ndryshojnë nga ky moment dhe deri në fund të sezonit. Loriku, për momentin, nuk është duke menduar për të ardhmen e tij. Objektivi i tij është një tjetër…”

 – Cili?

 – Ai dëshiron të kapë vendin e tretë. Është plotësisht për ta arritur këtë objektiv.

 Brahimi thirret sërish nga Zvicra

 Ish-futbollisti i përfaqësueses U-21 Mërgim Brahimi është thirrur nga përfaqësuesja Shpresa e Zvicrës për dy ndeshje miqësore që do të luhen më 22 dhe 26 mars. Futbollisti 20 vjeccar ka thënë që ka pranuar ftesën. Brahimi ka debutuar për Shpresat zvicerane më 6 shkurt në ndeshje kundër Sllovakisë. Ai ishte ftuar në të njëjtën kohë nga Shqipëria e Zvicra, por vendosi të luajë për “helvetët”. Brahimi kishte thënë se ka vendosur të grumbullohet me Zvicrën.

 Dinamo e Zagrebit kërkon Vajushin

 Dinamo e Zagrebit është impresionuar nga talenti i Armando Vajushit dhe është gati të bëjë një ofertë për futbollistin e Liteksit dhe përfaqëseses shqiptare, ndërkohë që klubi bullgar e shet në një shifër dinjitoze: 1 milion euro. Lajmin e dha gazeta bullgare “Meridian Match” e cila citonte burime nga klubi bullgar. “Interesi ka nisur që në ndeshjen e parë të fazës së dytë, ku Liteksi luante në shtëpinë e CSKA-së kur një përfaqësues i klubit kroat, Dinamo Zagreb, kishte ardhur në Sofje për të parë nga afër mbrojtësin bullgar, Nikolai Bodurov, mbrojtës i përfaqësueses së Bullgarisë. Por përfaqësuesi i klubit kroat mbeti i impresionuar sidomos nga sulmuesi Armando Vajushi, i cili shënoi të dy golat e ndeshjes”, shkruante gazeta në fjalë, që më pas jepte edhe identikitin e njeriut të Dinamo Zagrebit. “Ai ishte shefi ekzekutiv i klubit, vëllai i bosit Zdravko Mamicc-Zorani”, shkruhej në të përditshmen bullgare. Klubi ka nisur procedurat për të pajisur shqiptarin me pasaportë bullgare, në mënyrë që ai të ketë mundësinë të luajë si futbollist komunitar në Europë.

 Maradona: “Zoti i futbollit dhe Papa janë argjentinas”

 “Zoti i futbollit është argjentinas dhe tani është edhe Papa, diçka që e bën të lumtur të gjithë vendin tim”. Këto kanë qenë fjalët e para të legjendës Diego Armando Maradona i cili përshëndet Papën e ri Jorge Bergoglio dhe shpreh dëshirën për ta takuar atë sa më shpejt. “Kur të shkoj në Itali shpresoj të kem mundësinë për ta takuar”. Përveç Maradonës kanë qenë të shumtë futbollistët argjentinas që e kanë pritur me shumë entuziazëm zgjedhjen e Bergoglio, që ka zgjedhur emrin Françesko i parë. Lionel Messi që vjen pas asaj paraqitje të mrekullueshme ndaj Milanit në Ligës së Kampioneve ka shprehur të gjithë kënaqësinë e tij. “Një Papë argjentinas, sa i lumtur jam. Françesko do të më pëlqente shumë të dedikoja fitoren e Kupës së Botës 2014”.

 Blater: “Platini, si Gadafi!

 Numri një i FIFA-s ka kritikuar idenë e qeverisë së futbollit europian për të zhvilluar një kampionat europianë në disa vende të ndryshme. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, nuk është aspak dakord me UEFË-n që ka hedhur idenë për të zhvilluar në të ardhmen një Europian jo në një vend të vetëm por në disa kryeqytete të kontinentit të vjetër. Në 2020 kampionati do të do të zhvillohet në disa vende duke prishur traditën që zgjat prej 60 vjetësh ndaj edhe kritikat nuk mungojnë ku e para vjen pikërisht nga Sep Blatter i cili ka qenë i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij. “Njëherë i kam thënë Platinisë se Kolonel Gedafi më prezantoi një plan të tillë për Botërorin 2010. Ai besonte me të vërtetë tek kjo ide por unë i thashë së ishte diçka që nuk mund të bëhej. Pra ideja e Platinisë nuk është e re për mua. Një turne duhet të zhvillohet vetëm në një vend dhe kjo krijon një identitet dhe eufori. Mjafton të shikoni Kupën e Botës 2006 në Gjermani. Realisht nuk do të jetë një kampionat europian në një format të ri. Do të duhet ta shikosh në një tjetër mënyrë po se si saktësisht nuk e di. Për mua një europian i tillë do të humbiste zemrën dhe shpirtin e tij”. Vendet që, do të presin Euro 2020 do të shpallen nga UEFA në Shtator të 2014-tës.